Lëvizja Vetëvendosje është përgjysmuar në vota në Komunën e Drenasit, kur bëhet fjalë për garën për pushtet lokal.

Në zgjedhjet lokale të këtij viti, Vetëvendosje – si në garën për Asamble Komunale, ashtu edhe për Kryetar Komune – ka marrë përgjysmë më pak vota se në zgjedhjet e vitit 2021.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, kandidatja e kësaj partie për kryetare, Egzona Terdevci, ka marrë vetëm 1,008 vota.

Në zgjedhjet e kaluara, më 2021, kandidati i Vetëvendosjes, Fejzi Kiqina, kishte marrë 3,916 vota.

Rënie e ngjashme është shënuar edhe në votat për Asamblenë Komunale.

Në zgjedhjet e vitit 2021, VV në Drenas kishte marrë 3,543 vota, ndërsa në këto zgjedhje ka marrë vetëm 1,746 vota.

Gara për Drenas u mbyll që në raundin e parë, pasi Ramiz Lladrovci – duke kandiduar jashtë PDK-së – fitoi me 13,140 vota, sipas rezultateve preliminare.

Kandidati i PDK-së, Petrit Hajdari, mori 9,373 vota.

Për Asamble Komunale, Lista e Ramiz Lladrovci mori 9,822 vota, duke u renditur e para, ndërsa PDK numëroi 8,384 vota.