Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se kanë goditur objekte ushtarake iraniane gjatë fundjavës, ndërsa Teherani tha se është përgjigjur duke shënjestruar një bazë amerikane, duke shënuar përshkallëzimin e tretë brenda një jave rreth Ngushticës së Hormuzit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) deklaroi se ka ndërmarrë “goditje në vetëmbrojtje” në përgjigje të “veprimeve agresive iraniane”, të cilat përfshinin rrëzimin e një droni amerikan mbi ujëra ndërkombëtare.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) deklaruan se kanë shënjestruar një bazë ajrore të përdorur nga forcat amerikane për një sulm ndaj Iranit.
Centcom theksoi se dy raketa balistike iraniane që synonin forcat amerikane në Kuvajt u interceptuan dhe se “asnjë personel amerikan nuk u lëndua”, shkruan BBC.
Më herët, Kuvajti potencoi se forcat e tyre kishin përballuar “raketa dhe dronë armiqësorë”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje kritikëve të tij që të “ulen dhe të relaksohen” në një postim në Truth Social herët të hënën, duke thënë se gjithçka “do të përfundojë mirë në fund”. Ai potencoi se Irani “vërtet dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe se ajo do të jetë e mirë për SHBA-në”.
Sulmet shënojnë shkëmbimin më të fundit mes dy palëve pas dështimit të përparimit të negociatave gjatë fundjavës për një marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit disamujor, me mediat amerikane që raportuan se Trump kishte kërkuar ndryshime në kushtet e saj.
Ndryshimet lidhen me korridorin detar të Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e uraniumit të pasuruar nga Irani, raportoi CBS Neës. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se SHBA po “ndryshon vazhdimisht qëndrimet dhe po paraqet kërkesa të reja ose kontradiktore”, gjë që sipas tij do të “zgjaste natyrshëm negociatat”.
Negociatori kryesor i Iranit kishte thënë të dielën se Teherani nuk do të pranonte asnjë marrëveshje për sa kohë që të drejtat iraniane nuk siguroheshin plotësisht.
Ushtria amerikane deklaroi se të shtunën dhe të dielën ka kryer “goditje në vetëmbrojtje ndaj radarëve iranianë dhe qendrave të komandës dhe kontrollit për dronë” në qytetin Goruk, pranë bregdetit jugor të Iranit, dhe në ishullin Qeshm në Ngushticën e Hormuzit.
Në një postim në X, Centcom tha se avionët luftarakë amerikanë goditën mbrojtjen ajrore iraniane, një stacion tokësor kontrolli dhe dy dronë që sipas tij “përbënin kërcënim të qartë për anijet që kalojnë nëpër ujërat rajonale”. “Nuk pati të lënduar amerikanë”, shtoi ai.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit pohoi se sulmet përbënin shkelje të armëpushimit.
IRGC tha se ka shënjestruar bazën që sipas saj SHBA e kishte përdorur për të goditur një kullë komunikimi në ishullin Sirik në Gjirin Persik, rreth 40 milje (65 km) nga bregdeti jugor i Iranit.
Ushtria iraniane shtoi se përgjigjja e saj do të ishte “krejtësisht ndryshe” nëse agresioni amerikan përsëritet, sipas deklaratave të IRGC-së të raportuara nga agjencia gjysmëzyrtare Fars.
Ushtria e Kuvajtit deklaroi herët të hënën se po “përballej me sulme armiqësore me raketa dhe dronë”, ndërsa agjencia shtetërore KUNA raportoi se sirenat e alarmit u dëgjuan në të gjithë vendin.
Ministria e Jashtme e Kuvajtit më pas dënoi “në termat më të ashpër… sulmet e përsëritura dhe të poshtra iraniane, të cilat përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një sulm të drejtpërdrejtë” ndaj Kuvajtit.
Ajo tha se këto sulme “dëmtojnë” përpjekjet për de-përshkallëzim në rajon dhe se vendi ruan të drejtën për të “ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme” për mbrojtje.
Teherani kishte shënjestruar një bazë ajrore në Kuvajt javën e kaluar në përgjigje të sulmeve ajrore amerikane të mëparshme, të cilat sipas tij ishin kryer për të parandaluar vendosjen e minave nga anijet iraniane në korridorin detar.
Ndërsa një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill, Trump ka sugjeruar vazhdimisht se SHBA dhe Irani janë afër një marrëveshjeje përfundimtare, por deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje zyrtare.
Trump dhe këshilltarët e tij të lartë u takuan të premten për të marrë një “vendim përfundimtar” mbi një kornizë për zgjatjen e armëpushimit, por takimi përfundoi pa qartësi mbi hapat e ardhshëm.
Kushtet e fundit përfshijnë një ndërprerje 60-ditore të luftimeve dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas CBS Neës – rruga detare përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë, dhe mbyllja e saj ka rritur çmimet globale të naftës.
Ato gjithashtu përfshijnë një kornizë për rifillimin e negociatave mbi programin bërthamor të Iranit, të cilin Teherani e ka cilësuar gjithmonë si paqësor, por zëdhënësi iranian, Esmail Baghaei, tha se kjo nuk ka qenë në tryezë.
“Nuk ka pasur negociata për detajet e çështjes bërthamore. Në këtë fazë, prioriteti ynë është t’i japim fund luftës”, tha ai.
Ai shtoi se përfundimi i konfliktit në Liban mbetet një “kusht thelbësor” për çdo marrëveshje dhe se SHBA dhe Irani nuk kanë arritur ende një “përfundim final”.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha në X se armëpushimi mes Iranit dhe SHBA-së vlen në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, dhe se SHBA dhe Izraeli mbajnë përgjegjësi për pasojat e çdo shkeljeje.
Libani u përfshi në konflikt më 2 mars, kur grupi Hezbollah i mbështetur nga Irani lëshoi raketa drejt Izraelit, pas një sulmi izraelit që vrau udhëheqësin e lartë iranian Ali Khamenei, ndërsa më pas Izraeli ndërmori fushatë ajrore dhe pushtim tokësor në Liban.









