Bekim Blakaj, nga Organizata Jo-Qeveritare “Fondi për të Drejtën Humanitare” ka deklaruar se të dhënat e prezantuara nga autori i librit “Masakrat në Kosovës 1998-1999” nuk janë në linjë me ato që kjo OJQ posedon, siç kishte deklaruar më parë autori.

Blakaj, në një përgjigje për mediumin Paparaci, ka deklaruar se të dhënat e tyre nuk disponojnë ndarje nëse viktimat e Luftës së Kosovës kanë qenë të armatosura ose jo, një gjë që Shkelzen Gashi e ka theksuar shpesh.

“Në listën tonë nuk ceket askund se ata kanë qenë të armatosur në momentin e vrasjes. Ne e kemi një listë me viktimat dhe të dhënat e tyre, por nuk e kemi paraqitur nëse kanë qenë të aramstosur apo jo”, ka deklaruar Blakaj.

Veç kësaj, Blakaj ka thënë se edhe numri i viktimave në Masakrën e Burgut të Dubravës paraqitur në ekspozitën e ish-këshilltarit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk është ai që kjo organizatë ka në regjistrat e saj.

“Në të kaluarën kemi pasur një takim ku i kemi ftuar të gjithë të mbijetuarit e kësaj masakre dhe në listë kemi rreth 110 të vrarë, por as numri i viktimave nuk është paraqitur saktë nga Gashi”, ka thënë Blakaj.

Ekspozita “Masakrat në Kosovës 1998-1999” e ekspozuar në Sheshin “Nënë Tereza” u shqua për mungesë faktesh, keqinterpretime dhe shtyrje të narratives serbe për Luftën e Kosovës.

Komuna e Prishtinës revokoi lejen për ekspozitë, teksa sot, më 28 mars, Kompania Publike “Pastrimi” largoi materialet nga sheshi e Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, që si sponsor i kësaj ekspozite, të japë përgjegjësi politike dhe institucionale.