Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se nga janari deri në qershor të këtij viti, rreth 5 mijë qytetarë kanë aplikuar për fitim, rifitim dhe humbje të shtetësisë me lirim.
Sveçla ka njoftuar gjithashtu se nga e hëna, 17 gusht 2026, qytetarët do t’i pranojnë vendimet për këto procedura në lokacionin e ri të zyrës, në objektin e Agjencisë për Regjistrim Civil. Sipas tij, në këtë lokacion është shtuar edhe stafi mbështetës, me synim që të zvogëlohen radhët dhe koha e pritjes.
Pas publikimit të kësaj shifre, Vox Kosova e ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme se sa prej rreth 5 mijë aplikimeve janë nga qytetarë të nacionalitetit shqiptar, sa nga nacionaliteti serb dhe sa nga nacionalitete të tjera, si dhe sa prej tyre tashmë kanë përfunduar me marrjen e shtetësisë.
Kjo çështje merr rëndësi edhe për shkak të Ligjit të ri për Shtetësinë. Sipas dispozitave të reja, të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi aktual dhe shtetësia që kanë, e kanë qytetarët e ish-Republikës Federative të Jugosllavisë që kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës deri më 1 janar 1998, si dhe pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, Sveçla kishte deklaruar edhe më herët se kishte qindra aplikime nga shtetas të Serbisë që jetojnë apo punojnë në Kosovë për të marrë shtetësinë e Kosovës. Ai kishte thënë se këto aplikime po verifikoheshin individualisht.









