Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka mbështetur sulmin e SHBA-ve ndaj Iranit, duke thënë se ora e lirisë ka ardhur për njerëzit në Iran falë lidershipit të SHBA-së dhe Presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit, falë lidershipit të Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Donald Trump”, ka shkruar Osmani në një postim në llogarinë e saj në X.

Osmani ka dënuar sulmet hakmarrëse të Iranit nëpër bazat ushtarake amerikane në Gjirin Persik, duke thënë se Kosova do të vazhdojë të mbështesë veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë që kanë për qëllim rrëzimin e regjimit në Iran.

“Ne gjithashtu dënojmë me fuqishëm sulmet e regjimit iranian ndaj aleatëve tanë në Lindjen e Mesme. Do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për të dhënë një mundësi lirisë dhe paqes”, ka potencuar Osmani.

Ministria e Kosovës për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka shprehur përkrahjen e Kosovës ndaj intervenimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër regjimit teokratik të Ajatollahëve në Iran.

“Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci”, shkruhet në një komunikatë të MPJD-së.

Ministria në fjalë po ashtu thotë se regjimi i Ajatollahëve “për dekada ka shtypur popullin e vet” dhe se një qeverisje e tillë, shtypëse ndaj qytetarëve dhe e prepotente për dhunë ndaj vendeve a popujve të tjerë, nuk mund të jetë demokratike.

“Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje…. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, një regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e dikasterit qeveritar për diplomaci.

Këtë të shtunë të 28 shkurtit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me Izraelin, kanë sulmuar disa qytete të Iranit, pas bisedimeve të dështuara rreth mospajtimeve për programin bërthamor të Iranit.

Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar me raketa disa qytete të Izraelit dhe disa baza amerikane në Gjirin Persik.