“Pyetja që shtrohet sot është: Marrja e kontrollit prej kujt? Kush? E vërteta është se kontrolli dhe pushteti ishin plotësisht ama plotësisht në gjithë territorin e Kosovës në duart e hekurta të Slobodan Millosheviqit. Askujt tjetër”, Hashim Thaçi.

Trupi Gjykues në Hagë e ka shpallur rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë jo si qëllim çlirimtar, por si pjesë  të një projekti kriminal për marrjen e kontrollit mbi Kosovën.

Ky konstatim i rrezikshëm e skandaloz i gjyqtarëve duket sikur të jetë i shkruar nga Prokuroria Speciale.

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria e paraqiste UÇK-në si “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” dhe pretendonte se synimi për pavarësi ishte përdorur si mjet për të marrë kontrollin e Kosovës.

“Fakti që ekzistonte një objektiv i UÇK-së për arritjen e pavarësisë në Kosovë, Në asnjë mënyrë nuk e mohon objektivin nga ana e anëtarëve të NPK-së për të fituar dhe ushtruar kontroll në mënyrën e akuzuar. Në të vërtetë, në vend që të jetë një tregues kundërshtues, logjika dikton se pavarësia do të kishte qenë një parakusht që ata të arrinin plotësisht një kontroll të tillë” – Clair Lawson Prokurore.

Krejt njëjtë u deklarua paneli.

“Paneli konstatoi se të katër të akuzuarit, si dhe të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, përfshirë anëtarët e dyshuar të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, ndoqën dy objektiva të ndërlidhura: sigurimin e pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi atë që shpresonin të bëhej një Kosovë e pavarur”, Charles Smith, Kryetar i panelit të gjyqtarëve.

Si mund të trajtohet projekt kriminal një luftë për liri që përfundoi me çlirimin e Kosovës, dhe UÇK-ja në vazhdimësi kërkoi dhe pranoi që kontrollin e Kosovës ta marrë NATO-ja dhe OKB-ja?

Si mund të dënohesh për marrje kontrolli e për qëllime kriminale, kur UÇK-ja nënshkroi marrëveshjen e paqes në Rambuje, pranoi të dorëzonte armët dhe të transformohej në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, në bashkëpunim me ndërkombëtarët?

Është skandaloze të dënosh dikë që luftoi të çlirohej nga kontrolli e shtypja e kriminelit Slobodan Millosheviq, që orkestroi dhe urdhëroi masakrat e spastrimin etnik.

“Shqiptarët nuk ushtronin pushtet. Është paradoksale. Ata shtypeshin nga pushteti i Slobodan Millosheviqit”, Hashim Thaçi.

Ky aktgjykim nuk është dënim veç për UÇK-në dhe nuk e shpall vetëm atë si kriminale.

Me këtë narrativë edhe ndërhyrja e Perëndimit ishte kriminale.

Prandaj, kjo nuk është drejtësi.

Ky është shërbimi më i hatashëm, më i turpshëm dhe më i hapur që i është bërë ndonjëherë Serbisë.

Kjo është goditja më serioze për ta rrënuar nga themelet historinë e luftës çlirimtare të ardhmen e Kosovës duke i sulmuar bazat e shtetit të Kosovës.