Intervista e Albin Kurtit…
Intervista…
Si total ishte një demonstrim i plogësht i një personi që edhe kur nuk sfidohet fare si në këtë rast, prapë del veç një rren e madhe.
Po t’i futem analizimit të krejt intervistës në total, videoja më del më e gjatë se vetë emisioni.
Por, po e marrë një shembull të vetëm nga intervista, për të demonstruar dy gjëra.
Një, çfarë rrenci është Albin Kurti. Dhe, dy, sa i papërgatitur ishte gazetari para Kurtit. Dëgjojeni.
Kjo është absolutisht e pavërtetë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje e ka thënë të kundërtën. Ka njoftuar se PO. Në Kosovë mund të ketë çmime tavan.
Aktgjykimi i datës së 24 nëntorit 2023 për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, apo siç njihet gjerësisht si Ligji për Çmimet Tavan, në pikën 204 thotë: “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në paragrafin 5 të nenit 119 të saj, saktësisht përcakton që Republika e Kosovës do të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik”.
Dhe tutje: “Bazuar në paragrafin 5 të nenit 119 të Kushtetutës kërkojnë themelimin e organeve të pavarura për rregullimin e tregut”.
Por, problemi është se Albin Kurti e Hekuran Murati dëshironin që rregullimin e çmimit ta bënin ata vetë e jo një organ i pavarur.
Siç propozonin ata, ligji i tyre kërkonte që “vendimmarrjen e plotë për vendosjen e masave të përkohshme mbrojtëse ndaj operatorëve ekonomikë lidhur me produktet themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg e përcakton në kompetencën e Ministrit dhe Kryeministrit”.
E kjo nuk lejohet.
Pra, përcaktim të çmimeve tavan: po.
Por përmes një institucioni të pavarur që nuk kontrollohet politikisht. Kjo për të pamundësuar që nesër secili politikan që vjen ministër a kryeministër ta dëmtojë secilin biznes që i teket, që për interesa të veta t’i vendos çmime.
Rrena e Kurtit vazhdon e bëhet edhe më e rëndë.
Jo veç që Gjykata Kushtetuese nuk e ka ndaluar të ketë një ligj të tillë për rregullim të tregut, por edhe më tepër.
Gjykata Kushtetuese i tregon Qeverisë se tashmë ke ligje ekzistuese përmes të cilave mund ta bësh këtë gjë.
Në pikën 206 thuhet se “Gjykata rikujton edhe dy ligje relevante të Republikës së Kosovës të cilat ndërlidhen me fushëveprimin, përfshirë mënyrën e vendimmarrjes lidhur me përcaktimin e masave të përkohshme mbrojtëse”. “Këto dy ligje janë Ligji për Rezervat Shtetërore të Mallrave; dhe Ligji për Tregtinë e Brendshme”.
Prandaj, të thotë Gjykata, në pikën 220 se “ekzistenca e dy ligjeve paralele” nuk të lejohet sepse “nuk i shërben parimit të sigurisë juridike, dhe u pamundëson personave juridikë/fizikë, përkatësisht operatorëve ekonomikë, që të rregullojnë sjelljen e tyre konform ligjit të aplikueshëm në kuadër të një ekonomie të tregut me konkurrencë të lirë që është bazë e rregullimit ekonomik dhe vlerë e Republikës së Kosovës”.
Pra, nuk mund të lejohet që të ekzistojnë dy e më shumë ligje që trajtojnë saktësisht çështjen e njëjtë, sepse krijojnë përplasje.
Prandaj thotë Gjykata, në pikën 224 që dispozita esenciale të ligjit të kontestuar, përfshirë ato që cenojnë parimin thelbësor të sigurisë juridike, nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën.
Pra, jo veç që nuk e ka pamundësuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese vendosjen e çmimeve tavan, por e ka lejuar, dhe për më tepër të ka njoftuar se edhe përmes ligjeve ekzistuese mund ta bësh.
A e ka bërë Qeveria këtë?
JO.
Ja pra si gënjen Kurti.
E fatkeqësisht, gazetari që ia bën intervistën veç e shikon i qetë derisa ai i gënjen atij në fytyrë e gjithë popullit në ekran.
A po e kuptoni pse Albin Kurti kurrë nuk pranon të dalë me mua në intervistë?