Dy javë para zgjedhjeve të reja parlamentare, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sërish ka folur për padinë për gjenocid ndaj Serbisë – i cili kishte qenë një nga premtimet kryesore të tij – përkundër se sërish nuk ka dhënë as një datë se kur do të bëhet dhe çfarë është punuar deri më tani në këtë drejtim.

“Ne jemi duke punuar në padinë për gjenocid kundër Serbisë dhe i kemi ekspertët që punojnë në këtë aspekt dhe këtu më së shumti ndihmën po e jep Instituti për Krime të Kryera gjatë Luftës, në krye me Drejtorin Atdhe Hetemi. Dhe në momentin që ta kemi stabilitetin institucional dhe t’i kemi të kryera këto përgatitje, do ta kemi edhe atë”, tha Kurti për gazetarë pasi mori pjesë në përvjetorin e Masakrës së Dubravës.

Ai theksoi se padia për gjenocid ndaj Serbisë nuk do të jetë e lehtë për shkak të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, por, duke iu referuar ekspertëve, tha se mund të bëhet.

“Nuk do të jetë lehtë për Kosovën për shkak të pozitës sonë ndërkombëtare, me faktin që nuk jemi anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por në bazë të ekspertëve, megjithatë ekziston mundësia që ne një ditë ta bëjmë këtë padi”, potencoi ai.

Padinë për gjenocid ndaj Serbisë, Kurti e kishte pasur pjesë të programit qeverisës gjatë Kurti 2, por ajo ka mbetur vetëm në letër.

Ai kishte pasur edhe deklarime publike për këtë çështje pasi që ishte bërë Kryeministër. Madje, kishte thënë edhe se kanë nisur punën për këtë çështje.

“Kemi filluar punën për përgatitjen e padisë për gjenocid të Serbisë në Kosovë për periudhën e luftës së fundit”, kishte thënë Kurti më 7 maj.

Të njëjtin premtim, e kishte përsëritur edhe disa ditë më pas.

“Më në fund do të themelojmë Institutin për Krimet e Kryera gjatë luftës në Kosovë dhe do të ngrisim padi për gjenocidin e Serbisë në Kosovë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, deklaronte Kurti më 17 maj 2021.