Qumështorja “Vita” ka publikuar rezultatet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për produktin “Qumësht Vita” 1 litër dhe 2 litra – sipas së cilave, nuk është detektuar sasi e shtuar e yndyrës bimore(vajit të palmës). Vetëm tre ditë më herët, më 4 gusht, Ministri i Bujqësisë, Armend Muja dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, thoshin të kundërtën, “se në mostrat e marra të qumështit të “Abrazen” (emërtimi tregtar i VITA-s), është detektuar vaj palme i padeklaruar”.
“Kompania Abrazen, produkti Holla Cream. Është detektuar vaj palme, nuk është i deklaruar. Yndyrat bimore janë gjetur, dhe e ka të deklaruar yndyrën bimore. Kompania Abrazen, produkti qumësht. Vaji i palmës është detektuar, nuk është i deklaruar. Yndyrat bimore nuk janë detektuar”, thoshte më 4 gusht Kujtim Uka, shef i laboratorit në AUV.
Se “pa asnjë dyshim” ka vaj palme në qumështin e “VITA-s”, e pohonte edhe Ministri i Bujqësisë, Armend Muja.
Rezultatet e paraqitura nga Qumështorja, të datës 05 gusht, tregojnë një realitet tjetër. Sipas të njëjtave, produktet “Qumësht Vita”, 1 litër dhe 2 litra, nuk përmbajnë vaj palme dhe qumësht pluhur.
“Pas 36 ditësh, Qumështorja Vita i merr zyrtarisht rezultatet e analizave nga AUV’i. Sipas këtyre analizave del që qumështi Vita është i pastër me 100% qumësht. Nuk ka as pluhur, e as vaj palme (vajra bimore)”, thuhet në komunikatën e lëshuar të “VITA-s”.
DOKUMENT:


Menjëherë pas publikimit të rezultateve të ardhura nga AUV nga ana e “VITA-s”, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut doli me komunikatë duke treguar se ka larguar nga tregu disa produkte me bazë qumështi të cilat kanë rezultuar me përmbajtje të vajrave bimore. Por, në mesin e tyre nuk ishte Qumështi “Vita”. Për të, Inspektorati tha “se do të vazhdojë inspektimet”.
“Ndërkohë, për produktet e kompanisë “Abrazen – Vita”, procesi i inspektimit ende është në zhvillim”, tha Inspektorati.
Mostrat në fjalë ishin pranuar më 03 korrik në laboratoret e ushqimit dhe veterinarisë.









