Para pak më shumë se një viti, më 15 janar 2025, Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës në Qeverinë e Albin Kurtit, deklaronte se “kapitulli i institucioneve paralele, ilegale, kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës” është mbyllur.

Me siguri, Sveçla thoshte se institucionet e ashtuquajtura paralele “përfundojnë” në të gjitha pjesët e Republikës së Kosovës, pas një aksioni të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, Ministrinë e Industrisë dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Këtë të shtunë të 14 marsit, pak më shumë se një vit pas, kryeministri i Sveçlës, Albin Kurti, ka legjitimuar këto institucione, që s’paskan përfunduar akoma, duke ua njohur disa dokumente si pjesë e një koncesioni që ekzekutivi bëri me Bashkimin Evropian në implementimin e Ligjit për të huaj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re tre-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet përdorimi ID kartës, ekskluzivisht si mjet identifikimi, të lëshuar nga strukturat jolegale”, deklaroi Kurti të shtunën në mëngjes.

Lëvizja Vetëvendosje, si parti opozitare, për vite me radhë ishte decisivisht kundër marrëveshjeve, kompromiseve e madje edhe negociatave me Serbinë, duke u njohur, sidomos, për banderolën e famshme “Jo Negociata, Vetëvendosje”.