Më 10 nëntor të vitit 2018 Behgjet Pacolli ishte i ftuar në emision te Besim Dina në Oxygen.
Duke u krekosur për vetit e tij prej një filantropi që do ia kishte lakmi edhe Nëna Terezë, Pacolli deklaron se posa ta fitojë arbitrazhin kundër Qeverisë për Hotelin Grand, të gjitha paratë do t’i jap për bamirësi.
Një premtim publik ky.
Biseda e Behgjet Pacollit me Besim Dinën:
Domethënë 6 milionë kur t’i kthejnë ata ty, ti do me i kthy në bamirësi?
Në moment që kthehen unë i kthej në bamirësi ato.
6 milionë po do me i jap për bamirësi?
Po, ose ajo pronë do të kthehet mirëpo unë e shoh se nuk ka mundësi para përfundimit…
Nashta je i sigurt që ke me fitu e për qeto po thu jap bamirësi…
Ai fitohet ai gjyq për arsye se është e pamundur që dikush të grabitë edhe mos me u përgjigj për ato.
OK se qekjo është një gëzim për fukarallëkun në Kosovë kur t’i kthejnë 6 milionë Gjykata e Arbitrazhit do me i dhënë për bamirësi 6 milionë?
Po në momentin që kthehen ato kanë me shku kështu … unë paguaj shumë për bamirësi.
Pacolli e fitoi arbitrazhin.
Qeveria, me vendimin e datës 7 mars të vitit 2025, i ndau mbi 6 milionë e 700 mijë euro për kompaninë “Mabco Construction” të Pacollit për rastin e Hotel “Grandit”, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare.
5 milionë euro u ndan për dëmshpërblim dhe kamatë, rreth 400 mijë euro për koston e përfaqësimit dhe mbi 1 milion e 100 mijë dollarë në emër të kostos së arbitrazhit.
Se Qeveria e ka kryer obligimin lidhur me këtë çështje e pranon edhe vetë Pacolli.
“Mua më informuan në Mabco se Qeveria e Kosovës i ka kryer obligimet e veta”, tha Pacolli në një përgjigje për VOX Kosova.
Por, a shkuan këto para për bamirësi, siç premtoi publikisht Pacolli.
Eee, me gjasë jo.
Pacolli, që paraprakisht ktheu përgjigje, kur u pyet se a i dha paratë për bamirësi, ashtu siç premtonte, ai u zhduk.
Nuk u lajmërua më.
Paratë nuk u bën gëzim për fukarallëkun, siç shpresonte Besim Dina, por për vetë Pacollin.
Le t’i gëzojë i nderuari mjetet.








