Nga e diela e 12 tetorit, Bashkimi Evropian do ta ndryshojë mënyrën se si qytetarët e vendeve jashtë saj do të hynë brenda bllokut evropian. Deri më 10 prill të vitit tjetër, pritet që sistemi i ri elektronik për kontrollet e kufijve të jashtëm të Evropës të implemenohet tërësisht.

Duke qenë se Kosova nuk është pjesë e BE-së, qytetarët e saj që do të udhëtojnë në vendet evropiane do të ndikohen nga ky sistem i ri kontrolli.

Si do të funksionojë ky sistem?

Sistemi i hyrje-daljeve (EES), siç ka njoftuar Unioni, është një sistem elektronik për shtetasit që nuk janë pjesë e BE-së. Ai do të përdoret sa herë që këta udhëtarë kalojnë kufijtë e jashtëm të 29 vendeve evropiane që e aplikojnë këtë mekanizëm.

Sistemi i ri do t’i trajtojë vizitorët nga vendet jo-evropiane në dy kategori: vizitorë për herë të parë që nga fillimi i sistemit të ri dhe vizitorë që e kanë vizituar Bashkimin Evropian pas fillimit të sistemit.

“Nëse arrin tek pika e kontrollit kufitar për herë të parë, do të të duhet të japësh të dhënat personale, një zyrtar i kontrollit të pasaportave do të ta bëjë një foto të fytyrës dhe do t’i skanojë shenjat e gishtave. Informacioni do të ruhet në një skedar digjital”, shpjegojnë nga BE.

Ndërkaq, nëse vizita e parë me sistem të ri ka përfunduar, fotoja e fytyrës dhe shenjat e gishtave veç se do të jenë të ruajtura në sistem – zyrtarët e kontrollit vetëm do të verifikojnë shenjat e gishtërinjve dhe foton, gjë që do të marrë më pak kohë.

Në raste të rralla, mund të jetë e nevojshme që të dhënat personale të mblidhen dhe regjistrohen përsëri.

Në fund, BE-ja ka theksuar se të gjitha kushtet e tjera vazhdojnë të jenë valide dhe se zyrtarët e kontrollit të pasaportave në çdo kohë mund të marrin masa sipas nevojës.

Ndryshimet pritet të ndikojnë në mënyrën se si qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera që s’janë pjesë e Unionit udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, por autoritetet evropiane sigurojnë se procesi do të jetë i shpejtë dhe i automatizuar.