Zoti Thaçi, kaluan 5 vjet nga ndalimi dhe transferimi i juaj në Hagë. Si po shkon procesi?
Në izolim po kaloj vitin e gjashtë, pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundi eksperti politik amerikan Daniel Serwer: “Ky proces ka devijuar nga misioni… duhet të ofrohet drejtësi, e jo hakmarrje e bazuar në mashtrim”. Nga ana ime nuk kam çka t’i shtoj këtij konstatimi.
Cilat janë vërejtjet që keni lidhur me zhvillimet e procesit?
Të ishte transparent, llogaridhënës, me mekanizëm kujdestarie, të respektohej barazia e palëve dhe të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha legjislacioni i Kosovës mbi bazën e së cilit është themeluar kjo gjykatë. Ndjekja penale të respektonte parimet themelore të kodit të etikës, që të ndiqej e vërteta kudo që të çon ajo, duke përfshirë edhe dëshmitë shfajësuese.
A besoni në pafajësinë tuaj, sidomos pas paraqitjes së dëshmitarëve të akuzës?
Plotësisht. Historia e lirisë së Kosovës prej fillimeve 1980-të e deri sot është thelbi i këtij procesi. Unë jam vetëm instrument në këtë eksperiment juridik. Nxjerrja e aktgjykimit është në duart e gjykatësve, por unë kam besim që, pas dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë, e në veçanti atyre të mbrojtjes, të profilit dhe kredibilitetit më të lartë ndërkombëtar, ata do ta nxjerrin vendim të drejtë dhe meritor. Shumëçka lidhur me legjimitetitin e së drejtës penale ndërkombëtare varet nga rezultati i këtij procesi.
Si është dita juaj në izolim prej 6 vitesh?
Aktualisht më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar atë që më do zemra e thotë plotësisht mendja. Në këtë vështrim, Blendi, do të mundohem të bëj më të mirën për rrethanat ku gjindem.
Serbia u mor e merret kohë të gjatë me mua. Më dënoi në mungesë me shumë vite burg. Në mënyrë të vazhdueshme, 1993-1997, bastisi shtëpinë, keqtrajtoi dhe arrestoi babanë, nënën, motrën dhe vëllezërit. Në shenjë hakmarrjeje ekzekutoi edhe vëllanë e Lumës, Hakiun, në masakrën e fshatit Studime të Vushtrrisë, maj 1999.
Në qershor 1999, lufta përfundoi.
I takoj botës së shqiptarëve të mbijetuar.
Sot “faji” im i vetëm është – pse jam gjallë.
Nuk i takoj kategorisë së njerëzve që thonë se burgu është për burra. Kjo shprehje më duket bezdisëse. Nuk jam altruist as asket. E kam bërë jetën, nuk jam fshehur prej saj. E kam ndjekur ritmin e maratonës. Rruga ime nuk ishte as fat e as rastësi. Është qëllim që buron nga thellësia e botës sime, është e prekshme dhe transparente.
Qysh herët e kisha vendosur gjithë qenien time në funksion të idesë së lirisë. Vetmia natyrshëm më jep zbrazëti dhe me ofron kotësi. Mundohem t’i jap shpirt ambientit në qeli. 24 orët e ditës dhe 365 ditët e vitit janë të njëjta. Humb kuptimi kalendarik i jetës.
Ditë-netët sikur kalojnë pa data. Kam reflektuar për Kosovën, për Shqipërinë dhe shiptarët, për sjelljen e botës në fillim dhe në fund të shekullit 20 në raport me ne.
Jo rrallë harrojmë sa të plandosur dhe të nëpërkëmbur kemi qenë (jo rrallë të trajtuar dhe si mbetje otomane), ndërsa sot sa lart jemi në ngritje dhe proces konsolidimi si komb me mendim dhe status perëndimor.
Liria dhe burgu nuk ngjiten kurrë. Nuk i ndan vetëm muri fizik, por emocioni, të menduarit dhe mënyra se si e sheh, ndjen dhe jeton botën.
Izolimi është zgafellë me mungesë horizontesh dhe ashensori.
Të kalamend fizikisht e besa edhe mund të të verbojë. Jo për nga niveli i dioptrisë, por i ngatërrimit apo mënyrës se si i sheh gjërat. Koha dhe distanca e bëjnë të veten, tek çdo njeri sado rezistues të jetë.
Por, falë Zotit dhe vetëkujdesit ende jam mirë. Për gati 6 vite nuk kam pasur grip, ethe, temperaturë, e as ftohjen më të vogël (përjashto COVID-19).
Ndihem i bekuar që kam ecur luginave e shpatijeve, kam shkelur lartësitë dhe teposhtëzat e bjeshkëve tona. Në etapat më të mira të jetës, i kam përjetuar fizikisht dhe emocionalisht shkëlqimin e rrezeve të diellit, acarin me erë dhe borë, rrebeshet e shiut nëpër shtigje dhe rrugica me lloh. Këta hapa i kam, një kohë, i kam bërë si sakrificë për liri e më vonë nga pasioni për natyrën.
I njoh thuajse pëllëmbë për pëllëmbë. Ende më mban ajri, fryma dhe energjia e atdheut. Kjo ka bërë që ta ndjej edhe më thellësisht dhe gjerësisht jetën. Vendlindjen ende e shoh kthjellët, e përjetoj në horizont të plotë. Për mua është shëndet, dashuri, besim dhe krenari.
Por, jetës së shëndetshme i duhet përmbajtja, kjo tani më mungon. Në izolim sulmohem nga mijëra e mijëra drithërima mendimesh, që sillen vërdallë, nuk dinë nga të vijnë, si t’i frenosh e në ç’drejtim t’i orientosh. Mundohem që idetë dhe botën reale t’i përputh me njëra-tjetrën.
E kam të kultivuar përvojën individuale të lirisë psikologjike edhe në rrethana të shtrëngimit fizik. Çdo ndjenje të keqe i përgjigjem me emocion, me mendje alternative. Perpiqem t’u jap substancë, formë dhe drejtim të mbarë. Ruaj busullën duke menaxhuar sa më qetësisht kohën dhe situatat. Zhytem në mendime që më kthjellojnë, por në momente edhe mund të më turbullojnë apo ndryshojnë pikëvështrimin. Me vetëdisiplinë e evitoj nxjerrjen e vrerit, shkundjen e karakterit madje edhe zvetënimin.
Vetminë nuk e trajtoj si skëterrë, ankth mallkues apo fundin tim.
Përballem me vështirësi jo të lehta, por koncentrohem më tepër tek mundësitë minimale që ekzistojnë në këtë realitet ngulfatës.
Vizualizoj kujtesën e përjetuar të gjërave të mira. Paralel e zhvilloj imagjinatën për të ardhmen më të mirë.
Shumëllojshmëria e përvojës jetësore më ka rrexhur, duke dëgjuar e besuar me respekt, por edhe duke u gënjyer dhe duruar në heshtje.
Shpresa në izolim është Zoti, gruaja dhe fëmija, nëna dhe babai, motra dhe vëllai, fqinji dhe miku. Është vetë jeta.
Nuk arratisem nga vetvetja, e as nuk zhvendosem apo tjetërsohem në botën që të tjerët u përpoqën të më hedhin.
Megjithsë, edhe takimet dhe bisedat me familjarë nuk e kanë përjetimin apo ngrohtësinë emocionale normale. Këtu buzëqeshja nuk buron nga thellësia e shpirtit, zemrës dhe haresë. Ushqimi që ha, kafeja apo çaji që pi, nuk e kanë shijen origjinale. Çdo gjë duket e përkohshme… artificiale… sipërfaqësore, por në realitet ka vite të tëra thellësisht të shkëputura nga jeta e lirë.
Bëj gjumë të rehatshëm, por nuk më sjell mjaftueshëm sensin e rigjenerimit mendor e as fizik.
Me ndjenjën e vërtetë njerëzore i kam përjetuar dhimbjet, lotët dhe ofshamat derisa i vetëm përcillja në TV varrimin e babait. Çdo grusht dheu që hidhej në varrin e tij peshonte me ton mbi kokën time në qeli.
Sjellja serioze apo heshtja në këtë mjedis nga të tjerët interpretohet si mërzi. Nga ana tjetër, moskokëçarja si arrogancë apo edhe budallallëk. Në realitet, pothuajse shumëçka është e rrejshme dhe mashtruese. Edhe ndryshimet atmosferike kalojnë pa lënë gjurmë. Shëtitja dhe ajrimi në poligonin sportiv ku çdo ditë sillemi dhe risillemi çdo ditë, sikur ma heq saçin nga koka… kur çdo pore e trupit thith ajër, përjetoj frymëmarrje të thellë.
Me të hapur sytë në mëngjes, dëgjoj muzikë pa tekst; ëndrrat eventuale të natës i zëvendësoj me leximin e ndonjë rrëfimi libri apo gazete nga bota e filmit, artit, turizmit historik dhe kulturor, sportit etj. Çdo agim mëngjesor e trajtoj si mundësi të re. Pema e vendosur në hapësirat e paraburgimit për festat e fundvitit më jep ngrohtësi të brendshme.
E përcjell edhe ecurinë e botimeve të librave të rinj. Disa prej të cilëve edhe i porosis përmes familjarëve. Vazhdoj me pirjen e kafesë, e cila më tepër më ka mbetur si gjest nga takimet gjatë punës në Prishtinë sesa nevojë kafeine. Gatimi i mëngjesit më jep kënaqësi dhe relakson, mundohem të përgatis gjëra sa më të shëndetshme. Tashmë më është bërë ritual.
Një nga qëllimet i atyre që më sollën këtu është ta bëjnë shkëputjen time nga jeta normale familjare, çrrënjosjen nga kujtesa e mjedisit qytetar dhe pamundësinë e jetës aktive institucionale. Thënë troç: kujtesën e mëhershme ta zëvendësojnë me një kujtesë të re.
Njerëzit nuk thonë kot “larg syve, larg zemrës”. Një privim ky i ngadaltë dhe i butë.
Sidoqoftë, Kosova është subjekti i këtij procesi, dhe unë jam vetëm objekti. Bërthama e subjektit është duke u goditur ditë për ditë, rëndë e më rëndë. Por diçka harrohet.
Rezistenca kosovare është pika më e lartë e identitetit kombëtar dhe shtetëror. Rezistenca ndali rrjedhën e mëtejshme të robërisë. Legjitimiteti i saj buron nga vullneti dhe qëllimi i drejtë i qytetarëve për liri. Është rrjedhojë e historisë, me shkaqe e rrethana socio-ekonomike, kulturore, politiko-ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka substancë, ka imazhin dhe kujtimin e gjallë lokal, kosovar dhe ndërkombëtar. Në pamundësi për teknikë moderne, për përballje të barabartë me Serbinë, ne e diplomatizuam lëvizjen e rezistencës dhe fituam.
Historia e shtet-bërjes se Kosovës nuk është dogmë apo diçka mekanike, as sllogan, parullë, gazetë muri apo shkarravinë në dërrasë, e cila mund të gërvishtet apo shlyhet lehtë. Nuk është gërma të shkruara në rërë të cilat mbulohen nga tallazet e radhës së detit apo i shkrumbonjë rrezet e diellit. Nuk ka mot që e ngrin apo e than.
Në pamundësi për ta shlyer historinë, kujtesën kolektive për rezistencën, lexoj gjëra dhe dëgjoj zëra në syninim e tyre për ta ndryshuar, për të bërë mishmas, apo së paku të zbehin. Në mënyrë që më lehtë të çorientojnë njerëzit, të baraspeshojnë vlerën dhe antivlerën, të mirën dhe të keqen, të dobishmen dhe të dëmshmen. Të pretendosh të bësh paralele mes rezistencës për liri dhe frymës së nënshtrimit, është sikur të barazosh dritën me errësirën. Dëshmitë e përjetuara qytetare janë testamenti i heroizimit, dhimbjes dhe shpirtit të lirisë.
Procesi që po kalojmë nuk e glorifikon e as nuk e minimizon rolin personal të aktorëve udhëheqës të shtetbërjes; vetëm dëshmon se nuk ishte udhëtimi i disa njerëzve të paudhë, apo të dëshpëruar, përkundrazi, kauzës së tyre i jep një dimension edhe më të lartë, edhe më të gjerë historik, politik dhe diplomatik, profil të suksesshëm, të papërjetuar dhe të papërsëritshëm në historinë e kombit tonë.
Luftarët e lirisë nuk kanë nevojë ta mjegullojnë apo të fshihen nga e vërteta e rezistencës. E as të kenë dilema për të ardhmen. Ata e kanë çimentuar rrëfimin e suksesit, i ndjek pas.
Nuk vuajnë nga sindromi kompleksit të mungesës apo inferioritetit. Nuk kanë brejtje apo krisje të ndërgjegjës me veten e tyre, përballë fëmijëve dhe familjes… thjesht, trashëgimisë biologjike dhe kombëtare. Vlera e rezistencës është e mishëruar dhe integruar brenda gjithë shoqërisë tonë. Janë vlera të vazhdimësisë kombëtare dhe demokratike. Kujtesa e rezistencës për liri dhe shtet është pergamenë në vetëdijen shqiptare, pastaj në arkivat e Washingtonit, NATO-s dhe të disa vendeve të tjera perëndimore.
Për të keq, të ndyra dhe të rrejshme, janë mbushur me dosje edhe arkivat në Beograd, Moskë e gjetiu, nëpër hapësirat tona.
Rezistenca i përket historisë, sot e jetojmë realitetin e krijuar prej saj.
E ka fillimin dhe mbarimin e qartë si kristali, e ka kohën, rrethanat dhe personazhet e veta. Për të kuptuar pa asnjë evazilitet rrugën e lirisë dhe shtetit të Kosovës, shih rrëfimin e Gjeneral Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë. Aty kushdo e gjen prezantimin e drejtë të kauzës sonë, vlerat që përfaqëson sot, mesazhin dhe porosinë e rezistencës sonë për të ardhmen më të gjerë të botës së lirë.
Në qeli nuk jam “dhimbje apo gjynah i gjallë kombëtar – jam dëshmi e gjallë”. Anipse po e paguaj me shpirtin dhe në lëkurën time, nuk jam për t’u ngushëlluar. Lirinë kurrë nuk e kam marrë si të mirëqenë. Udhëtimit tim i kam dhënë drejtim vetë. Realitetet e krijuara më kanë konfirmuar zgjedhjen e duhur që kam bërë. Gjatë jetës kam sfiduar në sprova, i kam të kultivuara; disa të shpejta si vetëtima, e disa të gjata rraskapitëse.
Kohë të gjatë isha bërë urë, kam toleruar që të kalojnë shumë… përmes trupit tim, pa u lagur dhe pa therrë në këmbë. Me të kaluar lumin… pastaj dihet… Kam mbyllur veshët të mos dëgjoj, sytë të mos shoh, gojën për të mos folur. Thirrja e atdheut për liri dhe shtet i justifikonte të gjitha.
Sot, edhepse me dhimbje mezi qëndroj, eci drejt, shikoj secilin në sy. Kam mësuar shumë, teper shumë përgjatë rrugëtimit për liri dhe shtet të Kosovës.
Kur kauza dukej e pashpresë, kam besuar në liri të plotë. Kam ëndërruar për pavarësinë. E di, nuk ka qenë e lehtë për të punuar me mua… gjithmonë kam kërkuar që të bëhet më shumë, më shpejt, më mirë… dhe ndryshe nga të tjerët. Paralelisht kam dëgjuar dhe jam këshilluar. Përkushtimin tim jetësor nuk e kam kuptuar si normë… nuk kam hulumtuar të gjej orar pune shtesë, të dytë apo të tretë… Nuk jam ndalur. Besimi për qëllimin ma ndriçonte rrugëtimin. Gjithmonë kam besuar dhe besoj në rezultate, jo në lutje apo fat.. Por edhe Zoti e bekon dhe fati e përcjell atë që punon.
Po, kam qenë lojal ndaj partnerëve të vërtetë perëndimorë. Dhe sot, këtë relacion a vlerësoj si virtyt dhe jo dobësi të shqiptarëve dhe timin. Në fund të fundit, ka fituar Kosova dhe populli i saj. Për kauzën tonë, që të na mirëkuptojnë partnerët, dhe madje edhe jam lutur, por edhe do të përulesha pa asnjë ngurrim.
Është e dëshmuar se kam ruajtur pozicionin tim, përballë cdo rrethane, për liri të plotë të Kosovës.
Pastaj, jo pak edhe jam shpifur e ofenduar, jam sulmuar me arsenal të lehtë dhe të rëndë – majtas e djathtas, përballë e më shumë pas shpine.
Jam përballur me shumë goditje, i kam kaluar jo pa dhimbje, por qetësisht.
Më kanë diferencuar-izoluar politikisht (verë 2014). E kam tejkaluar me sportivitet. Ndoshta edhe unë e kisha tepruar me fitore elektorale – ky ishte vullneti qytetar. Duhej ta respektoja. Dihet, mësymjet nuk i kam pritur vetëm me soditje.
Më kanë nxjerrë shumë shpirtra, ende më mban gjallë shpirti origjinal. Nuk kanë mundur të më hedhin me shpinë për toke. Jo pak beteja edhe i kam humbur, e në shumë raste edhe kam gabuar. Nuk i merrja domosdoshmerisht gabimet si faj apo mekat, i kam vuajtur, por nuk i kam vajtuar; në ndonjë rast edhe jam përshtatur situatave të rrethanave të mbingarkuara. Nuk kam lejuar të më cenohet dinjiteti moral, kombëtar dhe shtetëror. Nuk e kam ngritur flamurin e bardhë, por edhe kurrë nuk kam festuar para kohe.
Kauza e drejtë më rilindte. Merrja frymë thellë dhe bindja veten: OK, gjëra që ndodhin – të kaluara; jam fokusuar në hapat e ardhshëm, në pamjen e gjerë për qëllimin madhor. Kështu fituam luftën dhe paqen (lirinë qershor 1999 – pavarësinë shkurt 2008). Prandaj, ia ka vlejtur.
Këta rreshta nuk janë rrëfime të orëve të liga, janë ngjarje të përjetuara dhe reale. Nuk janë shënim nga zyrat e shtetit, kabinete katedrash, sallone komode shtëpiake, as produkt i zhurmes apo ndikimit nga rrjetet sociale, por ulur qetësisht mbi dërrasa me laps në fletore, në qeli i vetëm përballë hekurave të dritares .Përderisa jashtë mureve vijon e shiut, ambient i mjegullt i përcjellë me erë të forte, e tash në minutat e fundit u zëvëndësua edhe me reshje të dëbores. Është mesantë mes 6 dhe 7 janar. Bora diçka e rrallë në Hagë.
Fakti që jam këtu nuk më bën të mallkoj askënd e as nuk i lutem askujt. Borxh nuk i kam askujt në këtë botë. Vetmia nuk më ka ngrysur apo mbyllur brenda lëkurës sime. Jam arratisur, e thyej vetminë në lexim dhe shkrim.
Nuk jam i zëmëruar me askënd. Përkundrazi.
Në ndërdije në çdo çast në qeli e kam qëndresë dhe shpresë. Padrejtësisë po i përgjigjem me me ndërgjegje të revoltuar, por edhe me optimizëm.
Besimi në drejtësi më ndihmon më së shumti. Por, edhe pse po kaloj vitin e gjashtë në izolim, kam vendosur ndoshta të mbetem “naivi” i fundit në vendin tim – të besoj në vlera, humanizëm dhe drejtësi. Jam i pakompromis – ndjek ndërgjegjen.
Besimin në Kushtetutë dhe ligje të Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Qenia ime gjithmonë ka anuar kah paqja. U bëra pjesë e rezistencës sepse doja që populli i Kosovës të jetojë i lirë e në paqe. Në Kosovë u ndesh ndërgjegja njerëzore përballë mizorisë çnjerzore. Fitoi humanizmi dhe civilizimi në ballafaqim me politikën e spastrimit etnik dhe gjenocidit.
Gjatë jetës nuk kam respektuar vetëm ligjet e Slobodan Millosheviqit. Ligje në letër kanë pasur edhe Hitleri, Musolini, Stalini, Franko; kushtetutë dhe ligje sot ka edhe Putini. Drejtësia është jeta ime.
Mund ta imagjinoj se dikush edhe mund të qeshë, ose edhe mund të bëhem objekt humori nëpër kuluare, studio televizive apo edhe rrjete sociale; fare lehtë mund të thonë: “Hashimi u kalb në burg e nuk po e kupton se bota ka ndryshuar, vlerat e lirisë dhe drejtësisë ndërkombëtare janë cenuar e rrënuar rëndë”.
Ndoshta edhe mund të kenë të drejtë.
Ose lehtësisht mund të thonë se sot fuqia, arroganca dhe interesi e përcakton çka është vlerë, e ndërgjegjshme, humane apo çka është e drejtë e çka është e padrejtë.
E përcjell çka po ndodh në Ukrainë, Lindje të Mesme apo ngjarje të tjera botërore. E kam përjetuar edhe sjelljen “për dikë nënë e për dikë njerkë”. Nuk ka forcë fizike apo furtunë politike e cila mund të më lëkundë besimin për qytetarët e Kosovës.
E di, sot ndonjë zyrtar apo ish zyrtar nëpër bote edhe mund të jetë penduar krejt padrejtësisht për pavarësinë e Kosovës. Por, me ose pa Thaçin në Kosovë ky proces i meritueshëm tash ka marrë fund.
OK, Thaçi vazhdon të tretet në burg, por për Republikën e Kosovës jam i bindur do të ketë progres.
Serbia luftoi shumë të pëngojë lirinë dhe pavarësinë. Ka dështuar ta arrijë këtë për mbi tri dekada.
Tani përpjekja është si ta kriminalizojnë filozofinë e shtetberjes. A do të arrijë përmes një gjykate? Nuk dua as ta mendoj. Shpresoj ende ka njerëz me vlerë morale dhe integritet profesional. Gjyqtarët gjatë procesit kanë parë të vërtetën. Të vërtetën e ka parë edhe bota. Vendimi është në dorën e tyre.
Po raportet me personat e tjerë që ndodhen te akuzuar së bashku me ju në Hagë?
Kultivojmë solidaritetin dhe mirëkuptimin. Bashkë e kalojmë shumicën e kohës.
Zoti Thaçi, cilat kanë qenë momentet më të vështira të këtyre 5 viteve e ca në izolim?
Janë momente dhe ngjarje të paimagjinueshme për realitetin e sotëm evropian.
Do të flisja me ëndje dhe më konkretisht….por rrethanat kufizuese nuk më lejojnë.
Me 4 nëntor 2020, me të mbërritur në Presidencë, protokolli i zyrës më informoi se autoritetet ndërkombëtare po kërkonin takim me mua atë pasdite. Arrestimet nda DHSK-ja kishin filluar. Koha e drekës kaloi shpejt. Aksioni ende vazhdonte.
Më informuan më datë 26 tetor, është konfirmuar aktakuzë kundër jush… fillouan të lexonin të drejtat e mia. I ndërpreva. I pyeta kur duhet të nisem; më thanë “nesër ora 11:00”… me kërkesën time u shty për pak kohë. Qëndruan pak minuta. Ikën. Kishin kryer misionin e tyre.
Tani ishte radha ime.
Prej atij moment jeta ime ndryshoi. Vendosa ta kursej familjen dhe opinionin të paktën edhe për atë mbrëmje. Kisha caktuar termin tek dentisti; protokolli mjekësor kërkonte që të qëndroja për trajtim mbi një orë. U lidha në telefon me prindërit, i informova se në mbrëmje do t’i vizitoja. Gjatë rrugës u zhyta në mendime. Dëgjoja muzikë të lehtë. Pak minuta para se të mbërrija në vendlindje më zuri një kllapi e shkurtër. Anestezioni kishte bërë të veten.
Prindërit u gëzuan kur më panë. Ishte koha e darkës. Ju tregova se kisha qenë tek doktori dhe nuk mund të haja asgjë, por do të pija çaj të ngrohtë. Biseduam për gjëra familjare.
Po përcillnin në televizor me shqetësim bastisjet dhe arrestimet që kishin ndodhur atë ditë. Dukeshin të mllefosur. Nuk kisha përgjigje… por kishin mbetur edhe pak orë kur do të dëgjonin lajmin e akuzës kundër meje.
Jeta ime për ta ishte dashuri, ankth dhe krenari.
Prindërit më herët mund të ishin frikësuar ndonjë arrestimi tim nga Serbia.
Mund të kishin imagjinuar gjatë luftës që fare lehtë të dëgjonin ndonjë lajm të kobshëm. Siç ju ndodhte prindërve të tjerë të cilët vajzat apo djemtë e tyre i kishin luftëtarë lirie.
Por se të ndodhte diçka e tillë gati 25 vite pas luftës, nuk besoj t’ju ketë shkuar ndonjëherë në mendje. E dija se si do të ndiheshin kur nga e nesërmja do t’ju mungonte biseda jonë telefonike e mëngjesit. Që për prindërit dhe mua ishte një lloj terapie ditore.
Me t’u kthyer në Prishtinë, shkova tek floktari (Dreni).
I thashë: kësaj radhe qethi flokët më shkurt se zakonisht… sepse do të qëndroj pak më gjatë jashtë vendit. U duk i befasuar nga kërkesa ime pasi unë kurrë nuk i përzihesha në zanatin e tij. U ktheva në shtëpi, u përpoqa të dukesha dhe sillesha sa më i rregullt dhe i zakonshëm. Ia arrita. Fjeta mirë. Nata kaloi shpejtë.
Me 5 nëntor 2020, në mëngjes i tregova Lumës dhe Endritit; i thirra edhe prindërit e iu thashë “po thonë që edhe unë duhet të shkoj në Hagë”. U mërzitën shumë, më porositën: “ruaje shëndetin… çka të vjen prej njeriut mos u mërzit… qysh e ka shkruar Zoti”.
Rreth orës 10:00 kisha ftuar në takim të përbashkët ambasadorët e SHBA-së, Anglisë, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe përfaqësuesin e BE-së. Edhepse piku i COVID-it, erdhën të gjithë. Ndieja përgjegjësi t’i informoja edhe zyrtarisht për dorëheqjen nga presidenca. Takimi zgjati rreth 20 minuta. Shprehën keqardhje çka kishte ndodhur, vlerësuan gatishmërinë time për shkuarje vullnetare në Hagë, për përgjegjësinë dhe shembullin që po tregonim për t’u përballur me drejtësinë.
Kur po largoheshin, njëri prej tyre, më kryesori, u nda nga grupi për pak sekonda e më tha: ”qëndro i fortë, mund të kthehesh edhe më i fortë”. Ia ktheva me humor: “Më duhet të qëndroj, por më shumë do të preferoja të qëndroj kështu si jam, më këtë shendet dhe fuqi, sesa të shkojë në Hagë për të marrë energji të reja”.
Ora 11:00, mbajta konferencë me gazetarë. Mesazhi im kryesor ishte: “JO LAMTUMIRË, POR MIRUPAFSHIM”. Rikthehem në zyrë. Bashkëpunëtorët dhe stafi i administratës dukeshin të mërzitur. Bëmë disa fotografi; më përcollën me duartrokitje dhe lot në sy. Endriti më ishte ngjitur pas trupit. Ishte i fundit me të cilin u ndava përqafueshëm.
Si president i votuar nga të zgjedhurit e popullit, me 2/3 e deputetëve, më duhej të braktisja presidencën, të shkoja në qeli. Tani e posedoja fletarrestimin pro jo aktakuzën.
Kishin mbetur edhe tre muaj për të përfunduar mandatin e plotë. Pothuajse isha i sigurt se do të rizgjidhesha edhe në mandatin e dytë. Për këtë po ndertohej konsensusi i mjaftueshëm politik. Tek sovrani ishta fitues. Ky fakt me bën të ndjehem mirë.
Ora 11:45, nisem me makinë pa eskortën presidenciale, drejtimi i Fushë-Kosovës. Trafiku ishte i rënduar. Shikoja qytetarët krejt zakonshëm – secili i fokusuar në punën dhe rutinën e vet ditore. Pavarësisht momenteve jo normale që po jetoja personalisht, ndihesha mirë që të paktën po e lija Kosovën shtet normal, me qytetari që tanimë i takonin botës së lirë me mundësi të mëdha.
Me Prishtinën kisha ndertuar lidhje organike, me perjetimet e çdo etape të jetës.
Në mendjen time po bëja një rekapitullim që nga ardhja ime e parë, në fillim të viteve tetëdhjetë, kur ende isha nxënës i shkollës së mesme në Skenderaj. Njëri nga vëllezërit duhej të operohej pas një lëndimi në këmbë; qëndrova tri-katër ditë pranë vëllait.
Kohën që nuk lejohej të qëndroja në spital e kalova tek disa vendas-studentë në qendrën e studentëve. Gjithmonë e kujtoj me respekt kujdesin njerëzor dhe profesional të Dr. Shaban Hasit për vëllanë.
Kjo është hera e parë që përjetova dhe shijova jetën studentore: ushqimin dhe kompotin në mensën, letrat që luanin dhe çajin që pinim, muzikën që dëgjonin, librat që lexonin, gjallërinë dhe optimizmin e jetës së tyre.
Me gazetën studentore “Bota e re” veç isha i familjarizuar. Me bëri përshtypje fokusimi i studentëve për leximin e kujdesshëm të artikujve të gazetës kulturore “Fjala”, e cila po iu përgjigjej guximshëm sulmeve që i bëheshin kulturës, intelektualëve dhe historisë shqiptare (gjithçka që ishte shqiptare), prej Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe mediumeve nga Beogradi dhe adresave të tjera antishqiptare në ish Jugosllavi.
Interesante, dëgjova shumë pak të flitej për politikë, edhepse kishin kaluar vetëm 5 vite nga demonstratat popullore (jo revoluzioni) për REPUBLIKË i vitit 1981.
Ndoshta edhe unë nuk ua mbushja syrin të flisnin në praninë time.
Sikur të kishte ndodhur incident e jo demonstrata masive. Veç heshtje. Tani askush, asnjë ankesë për pritjet e gjata në mensë, për dritat që iknin herët e vinin vonë, për banjot e përbashkëta, të papastërta, me xhama të thyer, dhomat e ftohta, një herë në javë ujë i ngrohtë për dush, papastertinë e korridoreve të gjata dhe të errëta.
Në pamje gjithçka dukej se ishte normalizuar. Kishte ndodhur çka kishte ndodhur. E kaluar e harruar. Askush, asnjë fjalë për Kosovën Republikë. Ende nuk isha pjesë e ndonjë organzimi politik, mëgjithsë kisha vendas të dënuar deri në 15 vite burg, pikërisht për organizim dhe nisjen e atyre demonstratave, Gani Koci me shokët e tij studentë – me disa prej tyre kisha njohje familjare.
Tri vite më vonë, si student, Prishtina fillimisht, si shumë të tjerë, edhe mua më përpiu në rrëmujën dhe zhurmën e saj.
Por sa më shumë që e njihja dhe e kuptoja Prishtinën e doja dhe punoja edhe më shumë për Kosovën. Sa më shumë përfshishesha në studime dhe integrohesha në jetën sociale, aq më shumë synoja të kapërcej kufijtë mental dhe hapësirën fizike të këtij qyteti. Se si trajtohej Kosova nga bota kuptova edhe më shumë pas takimeve me zyrtarë diplomatikë të ardhur nga Beogradi, prej ambasadve të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës, në pranverë të vitit 1992, në rektoratin e Universitetit ( tek “Kuarti Kinez” në Prishtinë).
Diplomatët folën me rektorin për “mundësinë eventuale të rikthimit të studentëve në objekte dhe për të drejtat e njëriut”.
Kur në emër të studentëve pyeta për pozicionin e tyre për pavarësinë, diplomatët u përgjigjen drejtpërdrejt: “Ju mund të flisni, por kjo çështje nuk është në agjendën e shteteve tona”. Rektori Ejup Statovci u dëshpërua shumë nga kjo përgjigje.
Fillova të rezonoja më ndryshe nga mjedisi; bëra diferencimin e mjaftueshëm në mënyrë që pikërisht nga Prishtina të fillonte ndryshimi i dinamikës dhe drejtimi politik për çlirimin e Kosovës. Prishtina deri në fillim të viteve 1990 paraqiste adresën politike, ekonomike, kulturore, intelektuale të të gjithë shqiptarëve brenda ish-Jugosllavisë. Ishte qendra e bashkimit të provincializmave, të vajzave dhe djemve që shkolloheshin, punësoheshin, krijonin familje dhe pastaj vendosnin të jetonin në Prishtinë.
Një vend që zbuste kontrastet e mentaliteteve perfierike në mënyrë harmonike në një identitet unik kombëtar, por ende jo me qartësi politike.
Universiteti i Prishtinës gradualisht i de-jugosllavizoi shqiptarët në rrafshin mental, social, kulturor dhe politik. Formësoi politikisht Lëvizjen Kombëtare për shtet të Kosovës. Ndikim kritik në vitet e 80-ta kishin pasur ardhjet e pedagogëve nga Tirana në Prishtinë dhe vizitat e ndërsjellta.
Popullsia po rritej.
Prishtina vit pas viti po zgjerohej, por nga mesi i viteve të 80-ta kaloi në një moratorium infrastrukturor të padeklaruar, deri në ditët e para të lirisë gjithçka ishte e ngrirë.
Atë ditë, duke shikuar pamjet panoramike të Prishtinës, mu fiksua se qendra definitivisht po i mbetej të kaluarës fenomen i kryeqendrave, ndërsa periferia shpejt po i takonte të ardhmes.
Përballë Fakultetit Filologjik, në udhëkryq, prita dy-tre minuta; çuditërisht edhe semaforët më dukej sikur punonin më ngadalë se zakonisht. Thirrjet dhe mesazhet solidarizuese vazhdonin.
Nga brenda makinës vështroja platonë e fakultetit; nuk mund të mos kujtoja një takim në qershor te vitit 1991 me Adem Jasharin, pikërisht në atë hapësirë.
Kishte ardhur i shoqërua me një shok bashkëvendas. Asnjëri nga ne ende nuk ishim të përndjekur nga Serbia.
Qëndruam aty një kohë, ulur në shkallë; ishte kohë e bukur me diell. Bëmë edhe një fotografi; sapo kisha mbushur 23 vite. Kjo mbresë paraqet një nga evenimentet më të çmuara të jetës sime.
Pastaj kemi shëtitur nga “Tre sheshirat” e atëhershëm përgjatë hapësirës para Hotel Grandit, shëtitores “Nënë Tereza”, nën hijen e blirëve deri tek Teatri Kombëtar; u kthyem në të njëjtën rrugë.
Jugosllavia kishte filluar të shkatërrohej. Qeshëm jo pak duke lexuar parullën “Pas Titos – Tito”, e cila ende mbahej e vendosur në ballë të njerës prej objekteve në qendër të kryeqytetit.
Ademi, me pamje magjepsëse, entuziaste dhe tunduese – njeri unik.
Drekuam në restaurantin “Grill” në Kodrën e Diellit. Ademi interesohej për jetën studentore, pyeste: çka nëse Serbia do t’i mbyllë universitetet?
Si do të reagojnë profesorët dhe studentët?
Vazhdimisht insistonte se këto punë nuk ndreqen veç me llafe… gjatë gjithë kohës, rreth tri orë, ishte i qetë, gazmor.
Biseda u përcoll me ngrohtësi të thëllë humori. Folem jo pak edhe për politikë. Shprehte respekt dhe besim për Adem Demaçin.
Pasi që rehatuam gjërat për çka edhe ishim takuar, ata u nisën për Drenicë, unë mbeta në Prishtinë, ishte afati i provimeve…Do të rrëfej më tepër kur do të kem më shumë hapësirë.
Gjatë javëve të para të verës nganjëherë më pëlqente të bëja not në pishinën e Gërmisë.
Në fundjavë frekuentoja edhe kafe-baret e kohës. Studentët banonim në konvikte, kryesisht mësonim në Bibliotekën Kombëtare dhe në Pallatin e Rinisë, derisa autoritetet serbe na përzunë edhe nga aty. Tutje vazhdoja tre muaj pushime sezon vere në vendlindje. Këtë kohë e prisja me padurim.
E pëlqeja shumë garën me kuaj, kalërimin, në fshat me moshatarët e mi, gjatë mbrëmjeve.
Jo rrallë edhe jam rrokullisur. Gara me kuaj përsëritej çdo verë, ishte bërë një lloj tradite dhe kulture lokale ndër ne.
Kujdesesha edhe për kafshët shtëpiake. Kam ndihmuar prindërit kur më jipej mundësia: në vjeljen e pemëve dhe perimeve, në mbjelljen, mihjen dhe korrjen e misrit apo në orët e mëngjesit nxjerrjen e fasules (punë e mërzitshme për mua).
Si i ri kam kryer çdo punë fshati.
Por kujtoj me endje jo të mirë, një sezon kur babai kishte vendosur të mbjell në një parcelë toke afër shtëpisë mijëra fije duhani. Diçka të tillë kishin bërë edhe disa fąinj. Ndoshta kjo edhe ishte arsyeja pse babai kishte bërë sipas meje një “mëkat”të tillë.
Ishte hera e parë që praktikonim duhan në arat tona. U angazhuam e gjithë familja, i madh e i vogël. Duhej të respektonim saktësisht kohën që i përshtatej kultivimit të kësaj bime, ta mihje disa herë, punë veç në mot fresku në agimin e hershëm (i përgjumur) apo në prag të muzgut në mbrëmje, kur edhe e humbisja lojën e futbollit.
Parcela nuk kishte vaditje, as ujësjellës atë kohë nuk kishim në fshat, vaditja e fijeve nga puset tona ishte pothuajse mision i pamundur. Gjithë lagjes filloi t’i vinte era duhan…vjelëm rezultatet që mundem…në vjeshtë kishte dakordsi unike brenda familjes…. “kurrë ma rrënjë duhani në arat tona”. Nga ajo kohë fillon edhe refuzimit im ndaj cigares.
Edhe pas luftës nganjëherë gjatë fundjavave kam qëndruar afër babait duke u kujdesur për kosheret e bletëve. Sot kur kujtoj të gjitha këto më bëjnë të ndihem shumë mirë. Por nuk e pëlqeja të ngasja traktorin, nuk kam qenë entuziast apo i magjepsur as për të bërë xhiro me makinat që i sillnin vëllezërit nga perëndimi. Leje për vozitje nuk mora kurrë në Kosovë. Nuk kisha interesim. Në Tiranë e mora një leje – sa për të thënë ne vitin 1993- nuk e përdora asnjëherë.
Kohën që jetova në Zvicër më pelqente të udhëtoja me tren.
As gjatë luftës në Kosovë nuk përdorja makinë; e pëlqeja lëvizjen nga një hapësirë në tjetrën duke ecur në këmbë. Ishte më e shëndetshme dhe më e sigurt. Mjafton të kisha një radio transistor në dorë. Natyrisht, në raste të veçanta, kam lëvizur edhe me makinat e bashkëluftëtarëve.
Pas luftës u futa në jetën rutinë protokollare. Edhe sot më dëshirë e përcjell në televizion “Horse Racing” sesa F1. Megjithëse më intrigojnë me inteligjencë dhe shkathtësi Verstappen dhe Hamilton dhe garues të tjerë të spikatur.
Në Prishtinë kam jetuar dhe shijuar përjetimet sociale, etike, profesionale, vlerat dhe antivlerat, harmoninë dhe kontradiktat e shoqërisë kosovare.
E kam jetuar kohën nën okupim, historinë e lirisë e pavarësisë dhe ndërtimin e realitetit demokratik.
Si student kam banuar gati në të gjitha lagjet e saj: në bodrume të errëta e të ftohta, lagështi me myk e plot minj; në qendrën e studentëve edhepse e zhurmshme jeta ishte e rehatshme; kam banuar edhe në katet e larta të rrokaqiejve pa ashensor, më shumë pa ujë se me ujë.
Pamja infrastrukturore nuk më ka pëlqyer. Në raste të jep edhe ndjenjën e qytetit bajat, monoton me tipare të mbetura infrastrukturore komuniste.
Prishtina metropolitane, me histori të vlerësuar, por sot me shumë risi dhe plot befasi.
Edhe pse më i ndoturi në Evropë, është vështirë të gjesh qytet më të gjallë në rajon.
Ekziston një harmoni mbresëlënëse mes vendasëve dhe të ardhurve të pas luftës së dytë botërore dhe atyre të dekadave të fundit.
Jam ballafaquar me situata dhe rrethana psikologjike interesante dhe dramatike.
Jo rrallë i përshtatet përshkrimi i Nolit për shqiptarët e kohës së vet.
Për ndjenjën, sjelljen dhe paraqitjen fizike: Një “fshatar” është më shumë bej sesa një bej, dhe një “bej” është më shumë fshatar sesa një fshatar.
Prishtinës jo rrallë i përgjigjet realiteti: Një “qytetar” është më shumë fshatar sesa një “fshatar” dhe një “fshatar” është, e ndjen veten dhe paraqitet më shumë qytetar sesa një qytetar.
Vetëm pak muaj pas përfundimit të studimeve, nga Prishtina në korrik të vitit 1993 isha arratisur pa rënë në sy, kujdesshëm dhe shumë heshtur.
Falë kujdesit të disa shokëve, evitimi nga përballja me sigurimin serb ishte një mënyrë edhe dhuratë e fatit.
Pas 6 vitesh, qershor 1999, u ktheva zhurmshëm në qytetin e lirë.
Atë pasdite 5 nëntori 2020 po më largonin me spektakël medial. Ishte skenar dhe mesazh ogurzi.
Rreth orës 16:00 fluturuam drejt Holandës.
Pas përfundimit të procedurave fillestare në qendrën e paraburgimit, pak para orës 21:00 përfundova në qeli. Me tu mbyllur dera, përgatita një çaj vetës, u shtriva dhe shikoja televizor. Rreth mesante më zuri gjumi.
Pas kaq vitesh – besoj rikthimi në Prishtinë do të jetë më normal dhe i qetë.
Moment tjetër të cilin nuk do ta harroj kurrë ka qenë viti 2025 kur vizitova babanë në spital, në ruajtjen e DHSK-së.
Autoritetet gjyqësore më kishin refuzuar disa herë vizitën.
Në fund, për arsye humanitare më lejuan të udhëtoj disi.
Babai tani po lëngonte në shtrat, po kalonte orët e fundit të jetēs; derisa po çmalleshim,…. përjetova çastet më të shpejta e më të rënda tē jetës. Ato momente kisha veç një dëshirë, ta ndalja tik-takun e akrepave të orës…E dija se ishte hera e fundit që po e shihja gjallë. Nuk mund të imagjinoja atë që përjetova, mbetet dramë në jetën time. Derisa po largohesha zemra po më rrihte fort, sikur po ma çante gjoksin.
Truri më gjemonte, shikimi mu mjegullua, trupi më ishte këputur. Duke u larguar, më të dalë në koridor, takova dy motrat, ishim në distancë tre -katër metra. U përshendetëm sikur me lëvizje koke robotike, e kishim të ndaluar të ndërronim fjalë, të shtrëngonim duart e lërë më të përqafoheshim.
Por nuk ka ndalesë ligjore, urdher apo fuqi tjetër që mund t’i ndalojë përjetimet…. shikimi i fliste shikimit.
Në sytë e motrave pashë rrëketë e lotëve, të dy zemrave te pastra dhimbshmërie, shpirti për babanë që po i linte si dhe për vëllanë me të cilin nuk mund ta ndanin dhimbjen dhe ngushëllimin. Atë ditë mu mohua e drejta të takoja Endritin- qëndronte para hyrjes së spitalit. U përshendetëm në distancë.
Babai kishte punuar dhe luftuar gjithë jetën për lirinë time; paradoksalisht mu privua liria dhe e drejta të qëndroja afër tij në çastet e fundit të jetës sẽ tij.
Gjatë ceremonisë së varrimit, në mungesë time, Endriti hodhi edhe një grusht dheu edhe për mua mbi varr.
Unë nuk jam rritur në kopsht fëmijësh; mënyrën si jam edukuar gjatë fëmijërisë e kam nga prindërit dhe mjedisi lokal social.
Megjithatë, edukatën familjare nuk ka çerdhe apo akademi që e zëvendëson apo plotëson.
Çfarë ju ka mësuar kjo betejë juridike që nuk e dinit më parë nga betejat luftarake me UCK-në, apo nga betejat politike, si kryetar i PDK-së, kryeministër dhe President?
Kam mësuar se si ka rënë në lajthitje Këshilli i Evropës nga Rusia në rastin e raportit të Dick Martyt rreth akuzave për trafik organesh.
Se si u publikuan pjesë nga raporti në disa mediume evropianë me pronarë apo bashkëpronarë oligarkë rusë vetëm dy ditë pas fitores sime në zgjedhjet e përgjithshme 2010.
Se si kaloi përmes një procesi më se paku korruptimi politik të inciuar nga europdeputët, rezoluta në Këshillin e Evropës pak ditë para se të zgjidhesha kryeministër në mandatin e dytë, janar 2011.
Se si paraprakisht janë përcaktuar emrat e njerëzve për t’u akuzuar, e pastaj ka filluar hetimi dhe janë ngritur aktakuzat.
Se si është propozuar aktakuza pikërisht për ditëlindjen time, 24 prill.
Kam mësuar edhe shumë gjëra të cilat nuk do t’i besoja kurrë pa u ballafaquar… për të cilat sot nuk më lejohet të flas. Është teatër i luajtur pas perdeve.
Për një gjë jam i sigurt: sikur të ndodhte një proces i tillë nga autoritetet e drejtësisë kosovare, jo që nuk do të heshtnin, por do të reagonin fuqishëm Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, organizatat për të drejtat e njeriut, OJQ-të, mediat evropiane etj.
Jam i bindur Kosova do të ndëshkohej dhe do të paguante çmim të lartë nga Brukseli për shkelje të të drejtave të njeriut dhe standardeve bazë në drejtësi. Janë akuzat e njëjta nga adresat e njëjta, por me emra të ndryshëm. Gjëra që janë trajtuar për dy dekada nga SERBIA, UNMIK, ICTY, EULEX, gjykatat vendore dhe tani, sërish, nga DHSK-ja.
Të mos mbetet legjendë e lartësuar apo e mohuar, por fakt. Kjo që po përjetojmë është përmbjellje e padrejtë dhe intriguese për Kosovën.
Po ndodhin paradokse: Ato që e bëri Millosheviqi kundër qytetarëve të Kosovës, sot po e bën Putini kundër ukrainasve.
Millosheviqi akuzonte shqiptarët si terroristë dhe kriminelë etj. Putini akuzon ukrainasit si nazistë dhe terroristë. Dallimi është: akuzat e fabrikuara të Millosheviqit sot janë shndërruar në “fakte dhe dëshmi” e po përdoren kundër nesh shqiptarëve në sallën e gjyqit.
Me këtë praktikë, askush nuk duhet çuditur sikur akuzat e sotme të Putinit të merren nesër si të mirëqena nga gjykatat ndërkombëtare dhe të rëndojnë mbi supet e presidentit Zelenskyt dhe rezistencës ukrainase.
Në tendencën për krijimin e balancës artificiale mes persekutuesit dhe viktimës.
Sot Beogradi fërkon duart me entuziazëm, pret mundësinë e rishkrimit të historisë së konfliktit serbo-shqiptar në sallat e gjyqeve. Diçka të tillë nesër potencialisht do të bëjë Moska dhe partnerët e saj nesër. Për dallim, Prishtina në asnjë rast nuk sulmoi në Beograd dhe në asnjë centimetër të territorit të Serbisë. Të drejtën e popullit kosovar e përkrahën në unitet të plotë aleatët perëndimorë.
Në rastin e Ukrainës ende ka të çara. Nuk pritet që ky unitet të forcohet, përkundrazi. Armëpushimi Rusi-Ukrainë nuk do të jetë çlirim për Ukrainën… e kaluara e luftës do ta ndjekë kohë të gjatë. Jo për të mirë dhe jo me fajin e Ukrainës.
Nga perspektiva ime, kjo që po ndodh në Ukrainë ka filluar vite e vite më parë, kur Putini penetronte lirshëm nëpër Evropë në rrafshin politik, ekonomik, të inteligjencës, medias, sportit, show-bizit; thënë shkurt, në botën institucionale dhe sociale evropiane.
Ukraina po paguan çmim. Kievi po ndihmohet për të luftuar, por jo për të fituar. E them me keqardhje, siç po duket Ukraina do të humbë territore, nuk do të jetë pjesë e NATO-s, dhe as nuk do ta ketë NATO-n brenda territorit të saj.
Këtu qëndron edhe rëndësia e vendimit strategjik të SHBA-ve për zgjerimin e NATO-s edhe me shtetet e Evropës jugore pas luftës së ftohtë… përndryshe për kontinentin tonë sot gjërat do të ishin paimagjinueshëm më keq – vija e konfliktit me rusët nuk do të ishte afër Kievit por diku përreth Varshavës apo Bukureshtit, me pasoja tragjike për vendet e Baltikut dhe me një Ballkan, nëse jo në konflikte, atëherë shumë të destabilizuar.
A i ndiqni zhvillimet politik në Kosovë?
Së pari mundohem ta ruaj koherencën time njerëzore, pastaj atë të zhvillimeve politike. Nuk pretentoj të jem pjesë e garës politike. Jam besimplotë për Kosovën.
Lëvizja politike e padëgjueshmërisë qytetare dhe e rezistencës për liri kishin vizion (1990-1999). Edhe pas luftës, uniteti i brendshëm institucional dhe bashkëpunimi me perëndimin ishte alfa dhe omega e suksesit (1999-2021). Vendi sot frymon dhe vepron ndryshe. Dialogu i brendshëm politik i lënduar rëndë, rrënimi i urave të komunikimit të të zemrave të ngrohta të njerëzve nuk mund të zëvendësohet me ura të ftohta betoni dhe hekuri. Qytetarët e Kosovës ende ruajnë optimizmin social, duke pasur parasysh përjetimet e rënda në të kaluarën – kënaqen me pak. Marrëdhëniet me bashkësi të caktuara etnike joshqiptare duken të lëkundura… ështe gabim.
Kosova në rrafshin rajonal: Raportet me Shqipërinë zyrtare janë akull. Historikisht e papranueshme…. Serbia mallkohet 24/7, ndërsa pranohet pushtimi i plotë ekonomik i Kosovës. Guxim i tepërt… Është mrekulli që Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s. Shqiptarët në tërësi do duhej të qëndronin larg njerëzve të projektit të “Botës Serbe”. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 është çelësi i stabilitetit dhe rrugës perëndimore. Me Malin e Zi është me rëndësi të ruhet raporti strategjik i fqinjësisë së mirë. Kam investuar dhe e kam ruajtur këtë raport nga pala kosovare për mbi 20 vite. Mbështetja e shqiptarëve për pavarësinë e Malit te Zi u tregua jetike, sikurse më vonë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi ishte prej më të rëndësishmeve në rajon e ndoshta edhe më gjerë. (Kupto drejt përbërjen etnike, pastaj presionin e brendshëm politik dhe fetar, kërcënimet e Beogradit dhe Moskës ndaj Podgoricës) . Ishte relacion win-win.
E kam përjetuar personalisht se si Mali i Zi u tregua më i vendosur për ta njohur pavarësinë e Kosovës sesa Maqedonia. Edhe pse më kishin premtuar dhe ishin dakorduar mes vete që vendimi të ndodhte në të njëjtën ditë dhe kohë… e lëmë këtë rrëfim për një shënim tjetër… është fantastik për të kuptuar se si (s)funksionon diplomacia dhe si nuk mbahet fjala e dhënë në Ballkan.
Në Luginën e Preshevës shqiptarët po largohen gradualisht nga vendlindja. Ndiej keqardhje të thellë për përçarjen e tyre politike. Si i ri kam kaluar kohë në atë hapësirë dhe në tërë malësinë e Karadakut; ruaj kujtime të shkëlqyera, janë atdhetarë të dëshmuar dhe qytetarë të emancipuar me diasporë të jashtëzakonshme. Më pëlqen shumë gjeografia e asaj treve, por historikisht fatkeqe.
Perëndimi sot po e trajton Kosovën si shtet fëmijnor, jo për nga mosha, por nga papjekuria vepruese. Ndërsa nga kundërshtarët e pavarësisë po proklamohet si krijesë e dështuar. Besimi perendimor mund të rikthehet vetëm me veprime të përgjegjshme. Duhet të punojmë dhe prodhojmë paqe. Perëndimi bëri gjithëçka që mund të bëhej për Kosovën. Bëri më shumë se për çdo popull në botë në dekadat e fundit. Uroj që vendimmarrësit të mos marrin thua për tepih. Jemi teper të vegjël për të bërë gabime kaq të mëdha. Jo rrallë individ apo grupe njerëzish kudo nëpër botë, kur duket se po i veniten shpresat për jetë më të mirë apo ndryshime, shprehin me cinizëm pakënaqësinë e tyre për Qeverinë apo të zgjedhurit e tjerë duke thënë: “Qysh jemi, mirë i kemi punët” apo i kemi institucionet që i meritojmë”. Ky nuk duhet të jetë justifikimi.
Sepse është thënë dhe dëshmuar edhe në vende dhe tek popujt e tjerë, për çka jam i bindur plotësisht se edhe qytetarët kosovarë kanë qenë dhe janë më të mirë dhe vlejnë më shumë se çdo qeveri apo i zgjedhur i tyre. (Të mos keqkuptohem, kjo vlen edhe për kohën kur edhe unë kam qenë kryeministër- para 12 vitesh). Edhe sot jam krenar për Kosovën, por jo me fytyrën e saj në botë. Nuk është në harmoni me shpirtin e pastër dhe të bukur të qytetarëve të saj. Ngjan si një lule që ka çelur në agim të bukur me diell pranveror, por ka kohë që hija dhe thatësia nuk po i ndahet, sikur e ka zbehur dhe vyshkur”.
Cili është mesazhi juaj për sjelljen e lidershipit në Kosovë?
Do duhej të jenë më të bashkuar, bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë, rikthimi i raporteve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunim më serioz me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Sikur po gënjejmë veten në prizmin e egos “kombëtare” apo edhe “fisnikërisë” tradicionale. Në politikë, por para se gjithash në vetëdijen qytetare duhet të ndodhë ringjallje e ndjenjës dhe vlerave perëndimore. Ky rizgjim është çështje morale, psikologjike dhe strategjike. Jo të thërrasim perendimin vetëm kur jemi ngushtë. Kërkohet guxim për ta ruajtur dhe mbrojtur demokracinë. Ende e kemi të freskët dhe të vlerësuar memorien demokratike.
Vetënënshtrimi dhe vetëdorëzimi është armiku kryesor i qytetarisë, veçmas në demokraci. Aktivizimi social përballë të keqes në shoqërinë tonë gjithmonë ka qenë i gjallë dhe aktiv. Heshtja apo të qëndruarit spektator është vetë e keqja. Nuk duhet të mësohemi me mungesën e botës, e as bota me mungesën apo refuzimin e Kosovës. Kosova është mes inercionit dhe inovacionit. Në Kosovë ka njerëz të mençur, me përvojë dhe të rinj të talentuar; do duhej të aktivizohen. Ata e dinë çka duhet bërë, e duan vendin pa intriga politike.
Bota i njeh, ju beson e i respekton. Të përmbyllet njohja edhe nga 5 vendet e Bashkimit Evropian.
Greqia: me gjithë sjelljen korrekte, ende është larg njohjes. Njëri nga ish-kryeministrat grekë gjatë një bisede pak kohë para ardhjes në Hagë më pati thënë: ”E kemi humbur hapin krahas shteteve të tjera evropiane, opinioni publik është kundër njohjes; sa më shumë kalojnë vitet do të jetë edhe më e vështirë”.
Greqia dhe Qipro vazhdojnë të ngatërrojnë Kosovën me rastin e Qipros veriore-turke. Duhet të jemi mirënjohës shtetit grek për pjesëmarrjen në bombardimet kundër Serbisë. Kujtoj me respekt, ishte fillimi i qershorit, 1999 kur pas një takimi me gjithë ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, në Bruksel, Papandreu, ministër grek në kuadër të turit tim diplomatik nëpër kryeqendra evropiane më ftoi ta vizitoja edhe Athinën… ai rrezikoi shumë politikisht… në Athinë çdo ditë mbaheshin protesta kundër bombardimeve të NATO-s. Pas një konsulte me ministrin britanik, Kuck dhe disa miqë të tjerë, nuk shkova. Nuk ishte në interes të provokoja opinionin publik grek.
Janë të pamjaftushme diskutimet e lira verore të Forumit për Demokraci të Athinës për të sjellë njohjën.
Spanja: pas njohjes që kohë më parë i bëri Palestinës, e ka më të lehtë ta njohë Kosovën – edhe pse janë raste të pakrahasueshme. Paralelja me Katalonjën apo lëvizjen baske është e gabuar në prizmin historik dhe politik. Çdo herë liderët e Madridit si në kor më kanë konstatuar: ”po e presim momentin e duhur”. Ndoshta raporti i mirë i kryeministrit Rama me atë të Spanjës, Pedro Sanchez, do të mund të ndihmonte.
Rumania: është shumë e ngurtë; çka është më e keqja, çështja e njohjes është votuar në parlament në Bukuresht – më shumë se dy të tretat votuan kundër; ata arsyetohen me frikën e ngjashmërive të përpjekjeve për autonomi të hungarezëve në Transnistri. Pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, jam i sigurt nuk duan në asnjë rrethanë të provokojnë apo nxisin me asnjë veprim forcat proruse në Moldavi. Qëndron apo nuk qëndron ky argument, kjo është e diskutueshme.
Sllovakia: as që përpiqet ta arsyetojë mosnjohjen. Premton, por nuk vepron. Opinioni publik sllovak është i ndarë në properëndimor dhe prorus. Bratislava shfaqet e shqetësuar që njohja e Kosovës do të provokonte rritjen e nacionalizmit te komuniteti hungarez brenda këtij shteti.
Sa i përket mundësisë së anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, sot Kosova është shumë më larg seç ishte para pak disa vitesh.
Dialogu Kosovë-Serbi ashtu siç duken gjërat në dy kryeqendra, bllokada mund të vazhdojë. Mund të ndodhin takime liderësh në Bruksel apo gjetiu, por në këtë atmosferë të nderë dhe logjikë pune vetëm sa do të rrisin tensionet, të zhvlerësojnë të arriturat e deritanishme – me mundësi të pakta për marrëveshje të reja. Të dy shtetet kanë marr obligime të cilat duhet t’i zbatojnë. Mbi çdo agjendë, përparësi duhet t’i jepet paqes dhe bashkëpunimit.
Është befasi si me aneksin e Ohrit, Serbia arriti të sigurojë “autonominë politike dhe territoriale”. Kjo defunksionalizon shtetin e Kosovës. Integrimi dhe jo autonomia, është çelësi i ecjës përpara dhe për serbët e Kosovës.
Çfarë raportesh keni me lidershipin e PDK-së që e krijuar dhe e drejtuat pothuajse 20 vjet vet?
Të izolohet kryetari dhe ish-kryetari për një parti është shumë e rëndë.
PDK-ja ka përjetuar situatë sfiduese ekzistenciale, sepse edhe goditja kishte qëllim eleminues. Lidershipi i ri fillimisht ka zhvilluar betejë mbijetese; shpejt e morën veten. Sot po dëshmohet se strukturë të qëndrueshme e të transformuar. Për rrethanat që u përballën, bënë më të mirën e mundshme. Janë njerëz me përvojë dhe besim për të ardhmën. Besimi i elektoratit u tregua se është i pathyeshëm. Po shihen kuadro të reja që po ngjiten të motivuar apo veç janë në udhëheqje. Po përfaqësojnë suksesshëm edhe diversitetin e mendimit brenda tyre. Po tregohet se kanë ndërtuar partneritete politike, pastaj me grupe të tjera interesi, të biznesit, me diasporën, me shoqërinë civile, mediat, shoqata e sindikata, personalitete me ndikim etj.
Me punën e tyre po shfaqen të përgjegjshëm për AND-në në e tyre kombëtare, politike dhe shtetbërëse. Familje politike që së bashku me të tjerët mbolli farat e lirisë, shtetit dhe demokracisë, paqes sociale, bazat e zhvillimit ekonomik, mirëqenies qytetare, ruajti dhe afirmoi fuqishëm orientimin perëndimor të vendit. Falënderoj edhe liderë e zyrtarë të partive tjera politike, të OJQ-ve, bashkësive fetare, mediave, akademikë, diasporën që më kanë vizituar dhe solidarizuar me të drejtën tonë, që realisht e ndiejnë dhe është kauzë edhe e tyre.
Ju keni qenë promotor i marrëveshjeve Kosovë – Serbi për të mundësuar ecjen përpara, marrëvesheje shumë e vështirë por që duhej tejkaluar. Kjo marrëveshje ka ngecur. Kush është sipas juve përgjegjës për këtë situatë?
Të gjithë ata që nuk i implementojnë marrëveshjet. Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet. Nuk duhet të humbin edhe vite të tjera.
A besoni se ka ftohje reale në raportet e Qeverisë së Kosovës me administratën e Presidentit Trump?
SHBA-të kanë partneritet të besueshëm me popullin e Kosovës e jo me këtë apo atë qeveri. Kosova në rrafshin ndërkombëtar është storje suksesi, pikësëpari amerikan. Presidenti Trump nuk hesht kur cenohet trashëgimia, investimi dhe interesi amerikan. Ai ka në ekipin e tij njerëz të shkëlqyer; e di nga përvoja ime personale, ata e njohin shumë mirë Kosovën dhe Ballkanin: Grenell, Rubio, Ratcliffe etj.
Kosova duhet ta kuptojë drejt debatin në Dhomën e Përfaqësuesve në Washington lidhur me zhvillimet në Ballkan, me theks të veçantë për Kosovën. Së fundi edhe Raporti strategjik i sigurisë kombëtare të SHBA-ve, që mban vulën dhe nënshkrimin e Presidentit Trump, parasheh në të ardhmen e afërt më pak prezencë amerikane në Evropë, e nga viti 2027 ndoshta edhe udhëheqjen e NATO-s nga vetë evropianët. Ky raport flet edhe për deformime shqetësuese që mund t’i ndodhin evropianëve etj. Nuk e di se si do ta kuptojë Prishtina këtë strategji, por një gjë e di: me pak Amerikë në Evropë, kontinenti ynë do të jetë më pak i sigurt, më i dobët ekonomikisht dhe më i përçarë në kuptimin politik e kulturor: do të ketë më shumë ndikim rus në shtete të veçanta evropiane, disa prej të cilave janë të etura për rikthimin e flirtit me Rusinë.
Kosova duhet ta gjejë veten më mirë në këtë turbulencë ndërkombëtare.
Vetëm duke u ankuar dhe akuzuar Serbinë dhe Rusinë nuk funksionon; nuk pinë ujë më tutje këto gjëra në Ëashington dhe kryeqendra të tjera perëndimore.
Janë filma të dobët të tejkaluar.
Me korrektësi, racionalitet dhe përgjegjësi, zyrtarët e Kosovës do të mund të kërkonin nga Presidenti Trump që ai ta bindë Putinin për njohjen e Kosovës. Jam i bindur se Trumpi është i vetmi që guxon dhe ka fuqine ta shtyjë Putinin për njohjen e shtetit të Kosovës. Në veçanti tash kur raportet e Rusisë me Serbinë duket se janë lëkundur. E di, kërkohet punë e madhe që të vihet në lëvizje zyrtarët e Departamentit të Shtetit, Sekretari i Shtetit, Këshillin e Sigurisë Kombëtare apo të arrihet në Zyrën Ovale tek Presidenti Trump. Vëmendjen pozitive dhe kujdesin amerikan duhet merituar.
Populli i Kosovës e meriton që të ndodhë kjo.
Kosova do duhej ta ftonte për vizitë Presidentin Trump. Ai tani është i zënë me gjëra më të rëndësishme nëpër botë, por pse mos ta ketë ftesën kosovare në tavolinë. Kosova nga kjo nuk humb asgjë. Për vëmendje: Institucionet duhet të mendojnë çfarë dëmi i bëhet shtetit kur SHBA-të dhe të gjithë perëndimorët po shohin përpjekjet për eliminimin e komunitetit serb nga proceset demokratike dhe institucionet vendore. Qëndrimi politik i njëtrajtshëm kosovar përballë kësaj problematike artificiale është më shumë se i gabuar. Mendoj se në të ardhmen e afërt partitë politike shqiptare do bëjnë garë se kush do jetë pjesë e bashkëqeverisjes me përfaqësuesit e zgjedhur politikë të serbëve lokalë.
Kosova ka perspektivë vetëm me shoqëri te integruar multietnike dhe multikulturore. Po kuptoj se Ballkani është shumë poshtë në agjendën e administratës amerikane, e nga vendet e rajonit Kosova mbetet në nivelin më të ulët të interesimit. E njëjta po ndodh edhe nga Brukseli. Nga ky ridimensionim i marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosova duhet të kapë përparësitë që ende i ka, të qartësoj dhe të tejkalojë dilemat. Aktualisht, pas Ukrainës, me zemër të thyer e them: Kosova për përshkruhet më se keqi në Evropë.
A i ndiqni zhvillimet në Shqipëri, liderët politikë shqiptarë kanë qenë partner tuaj për pothuajse dy dekada?
Po si gjithëherë. Që kur isha student në vitet 1989-90, më kujtohet disa pleq të Drenicës flisnin si me humor: “Tash jemi të fortë, e kemi njeriun tonë President të Shqipërisë”. Fillimisht nuk i kuptoja. Me kohë mora vesh se bëhej fjalë për Ramiz Alinë; gjatë luftës së dytë botërore, ai me brigadat partizane shqiptare kishte qëndruar edhe nëpër fshatrat e Drenicës.
Kishte lënë përshtypjen e njeriut të edukuar.
Kur e takova në Tiranë pas viteve 1990-të, më pyeti me rrespekt për njerëz që i kishte takuar gjithandej Kosovës. Disa i njihja, për disa veç kisha dëgjuar. Më shprehu shqetësim se Prishtina po duket e papërgatitur politikisht dhe ushtarakisht. Por dukej i befasuar me mbështetjen ndërkombëtare. Tregohej skeptik për fitore të plotë. Në fund më tha: “frikësohem ndonjë dredhie ndërkombëtare, bota mund të vendosë për Kosovën në kurriz të Kosovës”. I thashë: “kësaj radhe do të fitojmë”. Pas luftës nuk u takuam.
Fatos Nano: E ndihmoi Kosovën për aq sa e lejuan ndërkombëtarët dhe për aq sa nuk e dëmtonte Shqipërinë në raport me perendimin. Ishte njeriu në kohën dhe në përgjegjësinë e duhur. Për aq sa ishte i informuar, e këshilloi edhe diplomacinë ndërkombëtare për rolin properëndimor të luftëtarëve të lirisë. Adem Demaçi mbante kontakte të vazhdueshme. Ishte mbresëlënëse miqësia e Nanos me presidentin Rugova. Ju shkonte muhabeti privat dhe zyrtar. E takova dy herë gjatë vitit 1998-99. Patriot i emancipuar. Kishte në formacion e tij politik njerëz shumë të çmuar. Pas luftës ruajtëm raport korrekt.
Rexhep Meidani: me gjithë autoritetin e tij kushtetues si president u vu në përkrahje të Kosovës. Kur delegacioni shqiptar u kthye nga Parisi në aeroportin e Rinasit tranzit për Shkup – java e tretë e marsit 1999 – Meidani na priti ngrohtësisht… madje u fut personalisht edhe në aeroplanin ushtarak francez për t’i ftuar të gjithë për kafe – nuk munguan edhe dolli rakie.
Momente këto kur të gjithë ishim në pritje dhe ankth. A do ta pranonte Millosheviqi marrëveshjen në çastet e fundit (Holbrooke ende gjendej duke negociuar në Beograd), në rast refuzimi, do të fillonin bombardimet e NATO-s, ashtu edhe siç ndodhi. Në vitin 2022 më vizitoi në Hagë, ashtu mendueshëm më tha: “Kam ardhur të shpreh solidaritetin tim, besimin në drejtësinë e asaj çka ke përfaqësuar dhe protestën për atë që po ndodh me ju”. Për t’u vlerësuar me respekt është punë e Sabri Godos, Paskal Milos dhe Skënder Gjinushit.
Godo e Milo më vizituan për pak kohë në momentet intensive të negocioatave në Rambuje (në njërën prej objekteve ndihmëse të Kështjellës).
Roli i Fatos Klosit gjatë gjithë kohës është i pakrahasueshëm.
“Të këshilloj por mund të marrësh edhe urdhër: nënshkruaje marrëveshjen… kam folur edhe me partner”, ky ishte mesazhi telefonik i Pandeli Majkos në njërën nga mbrëmjet e javës së tretë të muajit shkurt në kështjellën e Rambujesë.
Ju përgjigja: “Të kuptoj, por vendimin e marrin njerëzit në Kosovë e jo unë e as ju…”
Në fillim të javës së tretë të muajit maj 1999 u takuam për herë të parë në Tiranë. Ende i kisha këmbet e ënjtura, i përgjumur dhe i ftohur prej udhëtimit nga Kosova për në Shqipëri. I emocionuar, pa u ulur mirë, më ftoi: “Eja të shohim një video nga trajnimi i trimave të Kosovës pas bjeshkës së Dajtit… do bëhen komando… duken të zotë.” E luta: “Mos i lodhni njerëzit… derisa t’i kryeni ushtrimet lufta po kryhet…bashkëluftëtarët i kam lënë në istikame me nga 10-15 fishekë… disa edhe zero municion, janë të izoluar dhe shkapërderdhur”… kishin kaluar gati tri muaj që logjistika ishte bllokuar nga ushtria serbe në kufi.
I humbi kuptimi i shikimit të videos. Mu drejtua: ”Hashim, unë jam bir partizani, nëse vjen puna ngushtë do të vesh uniformën ushtarake dhe bashkë do të jemi në ballë të frontit, pa kaluar mbi trupat tanë serbi nuk mund të ecë përpara”. Ndërhyra: “Kosovës nuk i mungojnë trimat, por municioni; populli i Kosovës e ka litarin në fyt, nuk ka ku shkon më ngushtë”.
Për Kosovën ai kishte krah të fortë Ilir Metën, i cili i njihte edhe më herët njerëzit e Lëvizjës Politike të Kosovës.
Pandi, kur më vizitoi në Hagë, ende pa u përshëndetur mirë, i buzëqeshur si gjithmonë më tha: ”e sheh, kapërceva 9 dryna e të gjeta, nuk ke ku shkon prej meje”. U përgjigja: “nuk ke qenë rastësisht kryeministër i luftës”. Me humor më qortoi: ”Pusho se siç e kanë nisur këta, më ndalin edhe mua në birucë.”
Me Sali Berishën takimi i parë me iniciativën time përmes disa miqve të përbashkët ndodhi në pjesën e dytë të muajit maj 1999. Atë ditë, një orë më herët vizitova Nanon në selinë e PS-së.
Dikush më tha se takimi me Sali Berishën nuk do të ndodhë, mund të ishte irrituar nga zgjatja e bisedës me kreun e PS-së. Sidoqoftë, pas pak çastesh, shkova, më priti ngrohtësisht. U interesua për refugjatët, gjendjen humanitare, masakrat serbe, raportet me ndërkombëtarët etj. Në selinë e PD-së bëmë edhe një paraqitje të përbashkët para gazetarëve. Takimi shkoi shumë mirë. Disa gjëra për të cilat mund të mos pajtoheshim nuk i hapa as unë e as ai. Pas 1999 për disa vite takoheshim si opozitarë. Iu shkrova letër proteste zyrtarëve ndërkombëtarë në Prishtinë kur ata e ndaluan hyrjen e Berishës në Kosovë pak kohë pas çlirimit.
Pas kthimit tim nga SHBA-të dhe Brukseli në javën e dytë të shkurtit 2008, tani më të dy ishim zgjedhur kryeministra e thirra në telefon, i tregova se “me datë 17 shkurt pasdite shpallim pavarësinë”. U gëzua. Për çdo sukses të Kosovës më uronte. E informova edhe Presidentin Topi dhe liderin e opozitës Edi Rama. Siç bëra edhe me liderët shqiptarë në Maqedoni, Ali Ahmeti dhe Arben Xhaferi.
Para nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë më 18\03\1999 në Paris isha këshilluar me Ismail Kadarenë; e vizitova në shtëpi. U tregua shumë e rëndësishme letra mbështetëse publike prej tij. Edhe për aktin dhe kohën e shpalljës së pavarësisë e informova dhe u konsultova.
Ndër të tjera më tha: ”Epo, kjo është mrekulli për kombin, e gëzofshim”.
Për të mos u ndier të befasuar, dy ditë përpara bisedova edhe me kryeministrat e vendeve fqinje, atë të Malit të Zi dhe Maqedonisë. U treguan korrektë. Këtë të fundit e vizitova edhe në zyrën e tij në Shkup – heshturazi, pa media. Për veprimet e mia ishin në dijeni të plotë partnerët perëndimorë. Edhe më vonë më duhej të ecja në teh të shpatës në raport me politikën në Tiranë.
I kam të paharruara dy momente.
Në qershor 2008 po e vizitoja zyrtarisht Tiranën. Në një deklarim publik u shpreha se “Edi Rama është lider i së ardhmes së Shqipërisë evropiane”.
Të nesërmen takova Berishën; kaluam shumë mirë. Pastaj inaugurimi i hapjes së tunelit të Kalimashit, viti 2009; ishte fillimi i fushatës zgjedhore në Shqipëri. U ftova nga Berisha… tubimi mori ngjyrim të fuqishëm elektoral… zonja Topalli tregohej shumë entuziaste. Pas pak ditësh takova Edin… në momente të tilla edhe mund të kenë qejfmbetje, por jo, as që i kishte bërë përshtypje.
Me Berishën kisha ndërtuar bashkëpunim efektiv institucional por edhe miqësor. Kishte në rrethin e tij njerëz kompetentë. I vlerësoja të rinjtë e KOP-it. Disa prej tyre i njihja edhe personalisht. Atë kohë ndodhi edhe mrekullia e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Bashkarisht bëmë disa gjëra të mira, kështu vazhduam për vite të tëra. Edhe Edhe unë e ftova në ceremoninë të autostradës Prishtinë-Morinë si zgjatim i Rrugës së Kombit.
Pak para se të më sillnin në Hagë, zhvilluam një debat jo edhe aq të shëndetshëm për të dy dhe në tërësi për shoqërinë shqiptare. Kur babai më vdiq, kishte thirrur familjen për ngushëllim. Nga qelia i them faleminderit.
Duhet të kaloj ende kohë për të folur në tërësi për faktorin Shqipëri të viteve 1998-1999, deri tani të gjitha rrëfimet janë copa-copa, xhepa-xhepa të izoluara e në raste edhe të pështira. Roli i Shqipërisë për lirinë e Kosovës do të kuptohet saktësisht dhe tërësisht vetëm kur të hapen arkivat në Washington dhe deri diku edhe disa kryeqendra të tjera botërore.
Alfred Moisiu: president i respektuar në moshën 94-vjeçare, më vizitoi në qendrën e paraburgimit; me kujtesën e tij impresive më rrëfeu disa përjetime gjatë LNÇ-së. Tutje vazhoi: “Shqiptarët kanë pasur tri suksese gjatë historisë: epokën e Skënderbeut, fitoren mbi fashizmin dhe luftën për çlirimin dhe bërjen e Kosovës shtet”. Më porositi ta ruaj shëndetin sepse edhe kjo e ligë do të kalojë.
Me Bamir Topin, edhe më herët, por në veçanti në kohën kur shërbeu si president, kemi bashkëpunuar shumë mirë. Më vizitoi në Hagë. Çdo fjalë që e thoshte e kishte revoltë dhe protestë. Pyeste: “deri kur kështu me shqiptarët? Çka të bënit ju, t’i nënshtroheshit Millosheviqit? Kjo nuk duhej të ndodhte. E gjithë bota e di kush ishte agresori e kush viktima, pse kjo padrejtësi? Duke u larguar më tha: ”Shqipëria beson në pafajësinë tuaj, jemi me ju”.
Në përgjegjësi të ndryshme institucionale por edhe si president kam punuar edhe me Bujar Nishanin. Njeri i matur, përkrahës i fuqishëm i Kosovës. Iku herët nga kjo botë. Ruaj respekt për vlerat që përfaqësonte.
Edi – përkrahësi i zgjuar për lirinë, pavarësinë dhe Kosovën evropiane. Bashkëpunimi me Edin është i gjatë, i thellë dhe i gjerë; tejkalon kornizat e këtij shënimi. Është burrështetasi me vizion, i cili guximshëm paraqiti të vërtetën për procesin e Hagës, kudo dhe kurdo në takime me liderë botërorë. Ai foli me argumente të pakundërshtueshme në Bruksel. Pastaj në në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ligjërimi i tij në Këshillin e Evropës është rrëfimi dhe e vërteta e plotë. U desh të fliste bindshëm dhe zëshëm edhe aty ku më së paku do duhej të ishte e nevojshme – në Parlamentin e Kosovës. Sot progresi i brendshëm i Shqipërisë është i pakrahasueshëm. Raportet e shkëlqyera me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n paraqesin garanci për suksese të mëtejshme.
Çdo herë më ka impresionuar puna fantastike e Erion Veliajt për Tiranën evropiane.
Në media u publikua një foto duke folur me Kryeministrin Rama pas fitores së tij. Çfarë komenti keni për atë që po ndodh në Shqipëri?
E pashë foton. Ishte art. Ishte mesazh. Telefonata me Edin ishte iniciativë e imja. Bisedë vëllazërore. E pyeta për shëndetin, Lindën dhe Zahon. E urova për zgjedhjet. Para pak javësh me viziotoi përsëri në Hagë. Biseduam për familjet, për Shqipërinë, Kosovën dhe gjëra të tjera. Dukej shumë i vendosur për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Folëm edhe për libra, disa edhe i komentuam. Ditë më vonë lexova parathënien e tij për librin “Lidership” nga Kisinger. Mendimet e spikatura për këtë libër të jashtëzakonshëm dhe ndërlidhja e tij me rrugëtimin evropian të Shqipërisë, siç e thekson ai, është “akt formësimi i së ardhmës… kërkon aftësi për të lexuar të padukshmen, për të parashikuar të paparashikueshmen, për të bërë historinë me dorën tonë”.
Kam përshtypjen se më lehtë i kam kaluar unë këto gjashtë vite izolim, sesa Edi në punën e tij për zbatimin e standardeve evropiane, në veçanti për kapërcimin e pengesave lokale, atyre sociale dhe politike. Nuk është e lehtë të kapen dekadat e humbura të një kombi.
Komenti im për atë që po ndodh në Shqipëri është i shkurtër: Shqipëria evropiane është shpresa, besimi dhe siguria e shqiptarëve.
Djali juaj ju ngjan shumë dhe ai ka të njëjtën prezencë në eventet publike. A do të përfshihet ai në politikë?
Endriti, shumicën e viteve kur shërbeva si kryeministër dhe president, ishte fëmijë ose i moshës adoleshente. Gjithmonë e kam inkurajuar të kalojë jetë sa më sociale me moshatarët e vet. Të mos jetë i veçuar. Tani ka kryer studimet, punon dhe vazhdon për Master. Është me këmbë në tokë. Thonë që më ngjan shumë; fizikisht po, por nga karakteri i ka ngjarë Lumës. Por nuk thonë kot ”më bëj babë të të ngjaj”. Janë duke e vuajtur padrejtësisht mungesën time. Me Endritin bisedojmë për inteligjencën artificiale, teknologjinë informative, muzikën, filmat, sportin dhe bjeshkët, e nganjëherë e ngacmoj edhe për simpatitë apo dashuritë e tij. Çdo herë që më viziton më sjell ndonjë libër të ri; nga përzgjedhja e librave po kuptoj se e ka kultivuar mendimin kritik për fenomentet. Po ecën me kohën. E njeh dhe e kupton botën. Ndihem mirë, e do Shqipërinë. Për mua politika është profesion shumë i mirë dhe fisnik, por tek Endriti nuk kam vërejtur fare interesim për përfshirje. Natyrshëm ai ka preferencat dhe shijet e veta jetësore. Nuk ka ndrojtje apo druajtje; i thotë gjërat ashtu siç i mendon, troç. Tërë qenien e tij e ka veç dashuri dhe respekt për njerëzit. Tani është rritur, mbetet që unë të respektoj zgjedhjet e tij.
Çili do të ishte mesazhi juaj për shikuesit e mi?
Më herët me revistën “Klan”, e pak më vonë edhe me emisionin ”Opinion”, si shumica e publikut shqiptar, edhe unë kam bashkudhëtuar tash e tri dekada. Revista “Klan” ka bërë portretin tim të parë; është ballina me foto dhe stemë të UÇK-së që familja edhe sot me krenari e mban në kornizë në ballë të dhomës së pritjes në Drenicë.
Ju ishit afër nesh në negociatat e Ramboujesë e Parisit, 1999. Ruaj në memorie shkrimet e gazetarëve nga vendi i ngjarjes. Nëse nuk gaboj ishin Shkullaku dhe Bushati. Me ty Blendi bashkërisht u futëm në Kosovë. Fluturim i paharrueshëm dhe mbresëlënës me helikopter të NATO-s. Ishit prezentë edhe në bjeshkët e Drenicës në bisedimet me ndërkombëtarët për transformimin nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Trupat Mbrojtëse. (Si dhe nënshkrimi, 21 qershor 1999 në Prishtinë). Jeni të vetmit nga bota e medias që me 17 shkurt 2008, nga mëngjesi deri në mbrëmje, regjistruat hap pas hapi ngjarjet dhe kapët pamjet më pikante gjatë ditës së shpalljes së pavarësisë. Kameramanët tuaj morën pamjet tek po rendisja fjalët e fundit të deklaratës së pavarësisë në kompjuterin tim para se të printoheshin dhe ndodhte shpallja në parlament. Paralelisht duke u bartur në pergamenë nga prof. Shyqeri Nimani. Ju ishit të vetmit që morët pamjen e flamurit, stemës dhe tingujt e himnit shtetëror para se të shfaqeshin apo dëgjoheshin nga publiku. Le të jetë, Blendi, kësaj radhe kjo retrospektivë mesazhi për shikuesit tuaj. Ju, Sandri dhe kolegët tuaj keni edhe shumë për të bërë, ndërsa shqiptarët edhe më shumë për të parë e dëgjuar.
Zoti e bekoftë Kosovën, zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët, zoti i bekoftë aleatët perendimor.









