Kur kishte vendosur që NATO të ndërhynte në Kosovë, për ta ndalur gjenocidin që po e bënte Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ka thënë se shumë njerëz e kishin parë si të çmendur.
“Shumë njerëz mendonin se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë. Unë u thash atyre prisni e shihni: Do të jetë e vetmja herë në botën moderne ku një luftë do të fitohet vetëm përmes fuqisë ajrore, sepse kosovarët nuk përulen kurrë dhe përfundimisht do të bëhet tepër e shtrenjtë për serbët që të vazhdojnë luftën. Dhe ne do të shpëtojmë shumë jetë kështu”, ka thënë Clinton gjatë panelit të “Clinton Global Initiative”, i cili u zhvillua nën patronazhin e tij.
Pjesë e këtij paneli ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Fushata e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO, për bombardimin e Serbisë zgjati 78 ditë, nga 24 marsi deri më 12 qershor 1999.