“He threw you under the bus (të sakrifikojë për interesin e tij)”.

Kështu ka deklaruar ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, se i kanë thënë në një rast të caktuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Këto komente, Osmani i ka bërë në një intervistë për emisionin Politiko që transmetohet në Kanal 10, derisa po i përgjigjej Kurtit, i cili, para disa ditësh, duke aluduar për Osmanin, tha që nuk kanë nevojë kundërshtarët e tij politikë që ta përdorin Amerikën për ta goditur atë.

Ish-Presidentja theksoi se nuk ka shkuar në SHBA për ta sulmuar Kryeministrin, ashtu siç po pretendojnë nga Vetëvendosja, por, sipas saj, ka ndodhur e kundërta.

“Kurrë, në asnjë rast të vetëm, unë nuk kam shkuar në SHBA për ta sulmuar Kryeministrin. Në fakt, çdo herë ka ndodhur e kundërta. Ai është sulmuar nga aleati ynë sepse kanë pasur pakënaqësi të mëdha të cilat i kanë thënë edhe në publik, e mos t’iu tregoj se çfarë kanë thënë prapa dyerve të mbyllura… Ai është sulmuar nga aleatët dhe është mbrojtur nga unë”, deklaroi Osmani.

Kjo, konsideron ajo, “është arsyeja pse ne kemi arritur përgjatë 5 viteve të fundit edhe ta mbajmë sovranitetin edhe aleancat”. “Sepse unë e kam mbrojtur, për dallim prej tij që në një rast për një çështje të caktuar, nga SHBA-të më është thënë “‘He threw you under the bus’”.

Ajo insistoi se në të gjitha takimet që ka pasur në SHBA e ka mbrojtur Kryeministrin Kurti. “Ka ndodh pra e kundërta. Pra është shpifje e rëndë. Është për keqardhje që dalin sot e thonë po shkoni në Amerikë po na sulmoni, për besë nuk ka pasur nevojë fare me iu sulmu, vetëm me u pasë pajtu me ato çka kanë thënë sa herë kemi udhëtuar ne, sot Kosova do të ishte në një situatë shumë të keqe, por ka ndodh e kundërta, i kam mbrojt, i kam arsyetuar…”.