Luljeta Sharani ka rrëfyer historinë e saj, e cila është një nga më të dhimbshmet të luftës në Kosovë. Asaj ia vranë dy djemtë, burrin dhe anëtarët e tjerë të familjes.
Ajo thotë se dhimbjen e madhe ia riktheu dënimi i padrejtë i krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Atëherë kah ora 6 mëngjes filluam me përgatitë mëngjesin. Përgatitëm bukën. E gatuam bukën nuk dha kohë na me hangër bukë bashkë me krejt meshkujt që i kishim. Dyert e oborrit veç u thyen 09:15 mëngjes. Kur hynë Policia tash. Djemtë Valoni, Visari me kunatin Mentorin ishin në bodrum ata prej dritares po e shohin, po thonë axha Talë erdhën”, tregoi Sharani në një intervistë për VOX Kosova.
“Kur na larguan neve prej shtëpisë kur shkuam te xhamia aty unë po i them Arjetës se u dëgjuan gjuajtjet po ata t’u gjuajtë lart për me na frikësu neve se menjëherë nuk i kanë ekzekutu, i kanë maltretu, i kanë dhunu, e fundit ka qenë ekzekutimi edhe po i them Arjeta këqyre me mamën, ku e ke gjyshen, ku i ke gratë e axhëve vazhdoje rrugën me ato se unë du me u kthy te babi, Valoni, Visari. Nuk mundem mama me jetu pa ta”.
“Ajo aq shumë m’u lutë mamë të lutem mos më le vetëm. Mamë të lutem. Unë u alivanosa, i humba ndjenjat. Nuk dita ma as s’mujta me u kthy”.
Pas tri dite ajo thotë se vjehrra “heroinë vjehrra trimneshë, burrneshë, e mjera ajo. E merr guximin edhe niset për me ardhë në shtëpi me këqyr”.
“Çka ka ndodhë? Kur të hyn në atë oborr, çka me pa i mbulun krejt me gjak. Bukën që s’arritëm me e pjekë krejt me gjak e mbulume. Gjen gjësende. Gjen këpucët e burrit. Gjen patiken e Valonit, kapelën e trenerkave krejt gjak të mbushur. Gjen gjësende të tjera e shkreta. E merr ujin edhe do me e la oborrin se kur të kthehen nuset mos të stresohen. Po ku me u la ai gjak, ai oborr përplot i mbushur me gjak”.
“Thojke unë çka kam pa aty në atë oborr veç budalla që është budall e mban shpresë se aty kish përfundu gjithçka. Ajo menjëherë e ka kuptu që kurrkush gjallë aty s’është”.
“Na mbetëm, na s’dinim kurrgjë për tonët. Pas gjithë atyre protestave, arritëm me na i kthy kufomat në arkivole”.
“E zorshme shumë. Gjashtë meshkuj të familjes Sharani u ekzekutuan, u dhunuan, u maltretuan, i plaçkitën ma së mrami i ekzekutuan. Edhe ata i rivarrosën në varrezat e qytetit kanë shku atëherë me bagera i kanë mbajtë i kanë çu në Serbi. Trupat janë gjetë në Batajnicë edhe i kanë kthy atëherë në Prishtinë”.
Sharani thotë se ky vendim ia riktheu edhe njëherë terrorin e luftës. Ajo është mbushur mllef se si njerëzit që luftuan për të ndaluar masakrat tash dënohen.
“Vendimin e krerëve UÇK-së e prita më shumë dhimbje. Arsyeja pse me dhimbje ata kanë qenë mbrojtës të popullatës, UÇK-ja. Ata është dashtë t’i mbrojnë popullin UÇK-ja, se kriminelët, kasapët e Ballkanit erdhën të armatosur deri në dhëmbë”, rrëfeu ajo.
“Në oborrin Sharani i gjithë armatimi ka qenë vetëm tenka në atë oborr ka mungu. Nuk ka pas lloj të armatimit që nuk e kanë pasë me vete. E tash ai po vjen i armatosur deri në dhëmbë e na me nejt me duarkryq po flas për UÇK që është dashtë edhe ata me qenë mbrojtës të popullatës, qyteteve, Kosovën me mbrojtë e jo me ardhë neve me na ekzekutu me na shfarosë edhe na me nejt. E kjo është e dhimbshme shumë e kam marrë me dhimbje shumë të madhe. Nuk duhet ata të dënohen”.
“Kasapët e Ballkanit duhet të dënohen për krimet që i kanë ba, për dhunimet që i kanë ba, plaçkitjet, dëbimet vjedhjet, djegiet. Nuk kanë lanë kurrgjë pa ba. Përderisa fëmijën në barkun e nënës nuk e kursyen e ekzekutuan nanën bashkë me fëmijë në bark, çka kemi na me ta? Çka kemi me prit na prej tyre?”.
“Çfarë ekzekutime kanë ba, çfarë dhunime kanë ba ato janë të papërshkrueshme, marramendëse të pakapshme për njeriun nuk mundesh me marrë me mend ti”.
“Ata u dënuan me gjithë atë numër të madh të viteve. Eii 81 vite me marrë katër krerët e UÇK-së që kanë qenë në mbrojtje të popullatës, me i marrë gjithë ato vite dënim kjo është e pakapshme. E pakuptueshme”.








