Duke treguar prapaskenat e kërkesës amerikane për themelimin e Gjykatës Speciale, publicisti Blerim Shala, tha se zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës  i kishin pyetur liderët e Kosovës – Hashim Thaçin dhe ish-Kryeministrin Isa Mustafa – se a e kujtojnë ndonjë rast kur SHBA-të nuk e kanë mbajtur fjalën dhe kështu thekson se ishin bindur se nuk do t’u dilte hidhërim nëse e dëgjonin këtë kërkesë.

“Më kujtohet një takim shumë interesant në Bruksel, në shkurt të vitit 2015, ka qenë Kryeministri Mustafa, Mustafa ka qenë atëbotë Kryeministër, Hashim Thaçi ka qenë zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, unë kam qenë pjesë e këtij ekipi dhe pjesë e bisedimeve në Bruksel dhe u patëm takuar me Hoyt Yee, ka qenë zëvendës-asistent sekretar në State Departament, edhe Hoyt Yee-in njëmend duke insistuar që të bëhet Gjykata Speciale, po flasim për shkurtin e vitit 2015, në moment tha ‘a iu kujtohet ndonjëherë që ne nuk e kemi mbajtur fjalën prej se merremi me ju’?”, tha Shala në një intervistë për VOX Kosova.

Si Thaçi, si Mustafa, Shala tregon se “thanë jo”. “Me sa e dimë ne, ju gjithmonë e keni mbajtë fjalën. Edhe mandej fjala në këtë kontekst kishte të bëjë që nuk do të iu del hidhërim nga kjo punë”.

Në këtë drejtim, ai theksoi se ishin pajtuar që ta themelonin Specialen që kështu ta largonin njëherë e përgjithmonë çështjen e Shtëpisë së Verdhë.

“Nuk besoj kurrë që e ka ba me prapavijë Hoyt Yee, që qëllimisht na ka thanë këtë, po atëherë në vitin 2015, si në Uashington, si në Prishtinë besohej që kjo duhet të ezaurohet si temë, duhet ta trajtojmë si temë dhe duhet ta mbyllim njëherë e përgjithmonë, se herë vijke, herë u kthejke Shtëpia e Verdhë”.

“Shtëpia e Verdhë dikund ishte aty prej vitit 2001-2002, herë u zhduke, herë u kthejke, herë u zhduke, herë u kthejke, herë u zhduke, herë u kthejke. Kështu që ne vendosëm ma mirë njëherë e përgjithmonë ta trajtojmë këtë temë sepse nuk ka gjë. Krejt Kosova e dijke që s’ka gjë prej kësaj teme”.