Publicisti Blerim Shala ka treguar se pse ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte thënë për aksionet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që “mund të jetë lojë e Serbisë”.

Në emisionin VOX DATA me gazetarin Lirim Mehmetaj, Shala theksoi se “frika e tij ka qenë që Serbia do të inskenojë diçka”. “Nuk ka qenë frikë e kotë”, shtoi ai.

Ai theksoi se deklarata e Rugovës nuk ka qenë kundërshti për një krah tjetër.

“Ai ka dëshmuar edhe në Hagë. Të kujtohet, në gjykimin e Sllobodan Millosheviç-it. Dhe ajo është një prej dëshmive shumë të sakta sepse e ka kapë nervin e rezistencës popullore se përtej pragut të shtëpisë s’kemi ku shkojmë thonte Rugova shpesh”.

“Kështu që këtë shqetësim e ka pasë Rugova. Po shiko në atë ambient çfarë kemi qenë ne pa telefona celularë, pa internet, pa Viber-a, pa Whats-App-a… Komplet tjetër… Prapë kemi funksionu ashtu më mirë”.

“Tekefundit ushtarët e UÇK-së në masë të madhe kanë qenë pjesëtarë të LDK-së. Pjesëtarë të LDK-së. Fshatarë, qytetarë, pjesëtarë të LDK-së”.

Shala thekson se po të mos ishte periudha e rezistencës paqësore “nuk do të kishte justifikim për luftën e UÇK-së”.

“Sikur UÇK-ja ta zëmë teorikisht të ishte paraqitur në 91-shin, i kishin thënë Serbisë bëjë çka duash me ta”.

I pyetur nëse Rugova kishte tentuar që të formonte krah ushtarak para se të dilte UÇK-ja, Shala tregoi se po.

“Si jo. Ka pasë, ta zëmë, këto grupet e para që shkojnë në Shqipëri, ’91, ’92, që trajnohen atje. Adem Jashari, Zahir Pajaziti edhe shumë të tjerë, faktikisht janë organizuar përmes strukturave të LDK-së në Kosovë dhe në Perëndim”.

Këto janë bërë, tha Shala, me “vetëdije të Rugovës”.

“Është krijuar një Ministri e Mbrojtjes, një Ministri e Punëve të Brendshme, me insistimin e Rugovës. Dhe, me shpjegimin tonë se atëherë u krijua një farë qeverie në ekzil. Bujar Bukoshi u bë kryeministër, doli jashtë dhe aty janë njerëzit që janë afishuar edhe zyrtarisht. E dimë që janë ministra të Mbrojtjes dhe ministra të Punëve të Brendshme”.