Luka Misetiç, avokat i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kritikuar organizatat ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut si Human Rights Watch dhe Amnesty International, për shkak të mos reagimit të tyre pas raportit të Organizatës “The Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC), për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku u konstatuan shkeljet e Gjykatës Speciale ndaj të akuzuarve.
“Fatkeqësisht, gjatë gati 30 viteve të praktikës sime para gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare, kam vërejtur se organizata të mëdha joqeveritare si Human Rights Watch dhe Amnesty International, të cilat mbrojnë me vendosmëri të drejtat e të akuzuarve në nivel kombëtar, shpesh në nivel ndërkombëtar kalojnë në mbrojtje të vetë institucioneve”, ka shkruar Misetiç në X, derisa ka shpërndarë një postim ku tregohet se si Specialja nuk mori pjesë në konferencën që u mbajt të enjten në Hagë, ku u diskutua pikërisht për raportin e BHRC-së.
Ky ndryshim sistematik, vlerëson avokati kroat, “i lë të pandehurit në proceset ndërkombëtare të izoluar, pa monitorimin objektiv dhe të pavarur që nevojitet për mbrojtjen e të drejtave të tyre”.
Sa i përket raportit të avokatëve britanikë, Misetiç thekson se po luajnë një rol thelbësor në sigurimin kuptimplotë të të drejtave të njeriut.
“Me shqyrtimin e tyre gjithëpërfshirës të garancive për një gjykim të drejtë në procesin ndërkombëtar ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, dhe ‘The Bar Human Rights Committee of England and Wales’ (BHRC) po luajnë një rol thelbësor në sigurimin e garancive kuptimplota për të drejtat e njeriut”, potencoi ai.
E drejta për një gjykim publik, avokati i Thaçit thekson se është “një gur themeli i jurisprudencës së të drejtave të njeriut”. “Mbikëqyrja publike siguron llogaridhënie institucionale, duke i mundësuar publikut të monitorojë prokurorët dhe gjykatat, në mënyrë që shkeljet procedurale dhe materiale të identifikohen dhe të korrigjohen”.
Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, dhe Organizata BHRC, në gjykimin e Misetiç “meritojnë vlerësim për faktin se po i japin kuptim real të drejtës për një gjykim publik në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve”.









