Luka Misetiç, avokati kroat i ish-Presidentit Thaçi në Gjykatën Speciale, ka ndarë një detaj shqetësues sa i përket procesit në Hagë. Ai, nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në X, ka thënë se Ombudspersoni, apo Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, “nuk ka kontaktuar asnjëherë avokatët e Hashim Thaçit”, përgjatë gjashtë viteve sa ka zgjatur procesi.

“Ndërsa Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara të Kosovës thotë se mandati i tij është të “monitorojë, mbrojë dhe mbikëqyrë në mënyrë të pavarur” të drejtat themelore të të akuzuarve, ai nuk ka kontaktuar asnjëherë avokatët e Hashim Thaçit për gjashtë vjet”, ka shkruar Misetiç.

“Në të kundërt, Ombudspersoni i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, ka ndërmarrë kontakte aktive në kuadër të përpjekjeve të tij monitoruese”, shton.

Kush është Pietro Spera, Avokat i Popullit në Dhomat e Specializuara të Kosovë?

Raportim nga VOX Kosova:

Detyra e tij e vetme është të mbrojë e garantojë të drejtat e atyre që gjykohen në Gjykatën Speciale.

Kur vizitoi disa herë qendrën e paraburgimit në Hagë, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të akuzuarit e tjerë refuzuan ta takojnë.

“Zakonisht më takonin shpesh në fillim, ndërsa tani do të thosha se në rastet e fundit kur isha atje nuk më takuan, por gjithsesi kjo është në rregull”, thoshte.

VOX Kosova ka mësuar se katërshja e UÇK-së dhe të tjerët ishin të revoltuar me qasjen e anshme të tij dhe këtë ia kishin bërë të ditur edhe vetë avokatit Spera.

Në vend se ta merrte me shqetësim refuzimin e takimeve dhe arsyet serioze prapa, atij i duket krejt në rregull dhe qeshte.

Avokatë prestigjiozë e të pavarur britanikë, ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, ish-diplomatë evropianë, Avokati i Popullit të Kosovës, Kuvendi i Kosovës, institucionet në Shqipëri, shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, Evropë e Amerikë – në mënyrë masive kanë ngritur alarmin për shkelje serioze dhe të vazhdueshme të të drejtave të krerëve të UÇK-së.

Në vend se të hulumtojë e adresojë këto shqetësime, Pietro Spera, nga raportet publike të punës së tij, del se më shumë ka shërbyer si një noter e avokat i prokurorisë dhe i kujtdo që në Speciale qëndron në anën e kundërt të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të gjithë të tjerëve që janë gjykuar e po gjykohen në Hagë.

Në vitin 2022, krerët e UÇK-së i drejtuan zotit Spera një varg shqetësimesh: për redaktime masive në dokumente nga ana e prokurorisë, vonesa të pajustifikuara në procedura, mungesë monitorimi të procesit, kohëzgjatje ekstreme të gjykimit dhe paraburgimit, fshehje të provave shfajësuese dhe devijim nga baza ligjore dhe kushtetuese e Kosovës.

Të gjitha këto ai i rrëzoi përmes një raporti, duke i interpretuar si procedura normale juridike.

Ai nuk i pa këto ankesa as si alarm për një gjykim që po i vë flakën parimeve e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë dhe lirive themelore të të akuzuarve.

VOX Kosova i ka dërguar avokatit Spera një sërë pyetjesh rreth qëndrimit të tij për të gjitha shqetësimet e ngritura gjatë këtyre gjashtë viteve gjykimi – e veçanërisht për ato të konstatuara nga një raport 90-faqesh i organizatës së mirënjohur britanike “Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit”.

Dhe natyrisht, ai bëri atë që me gjasë e ka kthyer në praktikë: zgjodhi heshtjen kur bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të krerëve të UÇK-së.

Kur i thirruri për mbrojtjen e lirive themelore të njeriut bëhet avokat i akuzës, duke i justifikuar e normalizuar shkeljet, është një tregues i qartë se padrejtësia nuk po ndodh rastësisht apo nga dallime në interpretime.

Por po ndodh nga një sistem i organizuar e i strukturuar me vetëdije.