Robert Redford, aktori i Hollywoodit, që u bë regjisor fitues i Çmimit Oscar, aktivist liberal dhe “kumbar” i kinemasë së pavarur, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Roli i tij në westernin e vitit 1969 Butch Cassidy and the Sundance Kid, përkrah Paul Newman, e lansoi atë si një nga yjet e filmit më të njohur dhe më të dashur në botë.
Ndërsa vitet 1960 po shndërroheshin në vitet 1970, nuk ishte aspak “cool” që aktorët e famshëm të ishin të pashëm. Stili ishte më shumë një vrazhdësi, rrudha, mjegullim, djersë, bark i dalë dhe një lloj “realiteti i shëmtuar”. Moda ishte për yje si Gene Hackman, Jack Nicholson, Woody Allen. Edhe një burrë shumë i bukur si Paul Newman kishte një cilësi të ashpër, të thjeshtë. Por, Robert Redford ishte shumë ndryshe. Ishte një yll filmi jashtëzakonisht i bukur, i cili vazhdoi të drejtojë, të prodhojë dhe pastaj të bëhej kujdestari dhe portieri i kinemasë indie-komerciale amerikane në Institutin Sundance. Dhe ai ishte gjithmonë i veçantë.
Kur publiku i filmave u mahnit nga westerni i George Roy Hill, Butch Cassidy and the Sundance Kid në vitin 1969, ata e dinin se në yllin që sapo shpërthente, Redford, kishin një mashkull pothuajse në mënyrë të pahijshme tërheqës, pavarësisht sa shumë ai mund ta maskonte me lëkurë kafshësh dhe mustaqe, duke luajtur rolin e ligësisë pa kujdes vetjak, Sundance Kid vetë. Karizma e tij sarkastike dhe sensualiteti shndrisnin. Dhe kur ai u shfaq i pastruar për role të tjera, duke u bashkuar sërish me Newman për filmin e mashtruesve të epokës së jazz-it, The Sting në vitin 1973, efekti ishte elektrik. I rregulluar dhe i rruar, Robert Redford ishte thjesht i pashëm në mënyrë të çmendur, jashtëzakonisht i pashëm – ai ishte mishërim i bukurisë. Fotografia e tij ishte në fjalor, ngjitur me fjalën “i pashëm”.
Në Butch Cassidy and the Sundance Kid, Paul Newman mund të lejohej ta argëtonte Katharine Ross me marifetet e tij qesharake mbi një biçikletë, nën shoqërimin e këngës Raindrops Keep Fallin’ On My Head. Por, ishte Redford-i biond që në të vërtetë do të kishte marrëdhënie me të. Redford ishte një kthim tek epoka e Douglas Fairbanks dhe Tyrone Power, epoka e Hollywoodit me idhujt që të linin pa frymë dhe burra të pashëm, bukuria e të cilëve dukej sikur ishte rritur në një enë laboratorike të Hollywood.
Industria amerikane e filmit, sipas zërave, përpiqej të imitonte stilin e lirshëm dhe të guximshëm të regjisorëve të valës së re franceze – dhe Redford për një kohë u bë Bardot-i i valës së re amerikane. Ai ishte një interpretues komik me një shkëlqim të mrekullueshëm, por asnjëherë nuk u shërbye mirë nga filmat seriozë si The Great Gatsby (1974), ku ai luante plutokratin enigmatik të Fitzgerald-it, apo The Way We Were (1973), ku ishte protestanti i cekët në dashuri me intelektualen hebreje të Barbra Streisand. Në ata filma, Redford ndonjëherë dukej se tërhiqej në vetvete, në një aureolë me sy të mjegullt, si një grua shumë e vetmuar dhe e bukur.
Filmi i tij më i mirë i asaj kohe është pa dyshim satira politike e shkëlqyer e Michael Ritchie, The Candidate, një film i publikuar në qershor 1972, 12 ditë pas Watergate. Redford luan Bill McKay, një kandidat i ri idealist demokrat për Senatin e SHBA-së, dhe filmi e tregon atë në fushatën elektorale duke prerë gradualisht standardet e tij dhe duke holluar parimet sa më shumë që i afrohet fitores.
Bukuria e pastër e Redford vetë arrin një cilësi sublimisht satirike në film; politika supozohet të jetë shoubiznes për njerëz të shëmtuar, por bukuria fizike e Redford është simbol i mënyrës se si klasa sunduese e sheh veten – dhe simbol i besueshmërisë së zbrazët dhe mashtruese të ideve kryesore politike. Në All the President’s Men (1976) ai ishte Bob Woodward përballë Carl Bernstein-it të Dustin Hoffman-it – një tjetër dyshe “shokësh” e llojit që ai dhe Newman e bënë të modës në kinemanë e viteve 1970. Ishte një film liberal, me zemër, ku e dije kush ishin djemtë e mirë, por pa atë teh dhe paqëndrueshmëri të ftohtë që kishte “The Candidate” i Ritchie-t.
Me kalimin e viteve, kishte diçka disi shumë të kontrolluar dhe të konservuar në stilin e aktrimit të Redford, megjithëse ai mbeti gjithmonë një yll i listës A. Ai luajti përballë “vjedhëses së skenës” Meryl Streep në Out of Africa (1985) dhe u errësua nga ajo; në vitet ’90, ai ishte ende protagonisti romantik në Up Close & Personal përballë Michelle Pfeiffer-it, ndërsa në Indecent Proposal ishte biznesmeni i pasur që bënte një “propozim” disi të pabesueshëm, i cili dukej se i ofronte publikut një dilemë të sajuar, ku feminizmi nuk kishte vend.
Por, kjo ishte epoka në të cilën Redford po zgjerohej në regji. Filmi i tij Ordinary People (1980) ishte drama-tragjedi e një familjeje të klasës së lartë, e tensionuar dhe e tronditur, me Donald Sutherland dhe Mary Tyler Moore. U prit me respekt në atë kohë, megjithëse kritikët e filmit nuk ia falën kurrë Redford-it që mposhti “Raging Bull” të Scorsese-s për Oscar-in e filmit më të mirë. Temat mjedisore të The Milagro Beanfield War (1988) dhe A River Runs Through It (1992) u trajtuan sërish me respekt, por nuk sollën ndonjë emocion të madh.
Megjithatë, Redford pati një sukses të madh si regjisor me satirën e fuqishme të medias Quiz Show (1994), historia e skandaleve të lojërave televizive të manipuluara në vitet 1950, me Ralph Fiennes si një akademik i talentuar, por i korruptuar nga fama televizive, dhe Paul Scofield si babai i tij i pikëlluar. Ky film nuk pati sukses komercial, por është vërtet i mirë, dhe regjia e Redford-it mbi Fiennes është shumë e sigurt. Ai nxori nga ai aktor një nga interpretimet e tij më të mira.
Por, sigurisht, Instituti Sundance dhe festivali i tij vjetor i filmit të pavarur është trashëgimia e vërtetë dhe e qëndrueshme e Robert Redford, i ndërtuar në tokën në zonën e skijimit pranë Park City, Utah, të cilën Redford e bleu dhe mbi të ngriti një institucion që administron fonde dhe bursa që ndihmojnë kineastët e rinj.
Vetë Sundance është kritikuar këto ditë; është një festival që disa e kanë denoncuar se inkurajon një lloj filmi të stereotipizuar “Sundance”, me emocione të zbehta, pa humor, të humburish të klasës së ulët, të fotografuar me ngjyra të zbehura – ekuivalenti i realizmit të zymtë britanik – ndërkohë që festivali tani është mbushur me karrieristë të lidhur me studio, të etur për një “pushim indie”.
Epo, s’ka problem. Kush mund të dyshojë tek ambicia dhe imagjinata e jashtëzakonshme e Robert Redfordt, i cili krijoi diçka që i mbijetoi karrierës së tij shumë të fuqishme? Ai ka qenë gjithmonë më shumë se një fytyrë e bukur. (The Guardian)