Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po insiston dhe ka tentuar të arsyetojë refuzimin e projektit të gazit amerikan edhe një herë.

Kësaj radhe në një intervistë në ATV.

Referuar kërkesës së SHBA-ve që përfshirja në këtë projekt të shihet si veprim strategjik, pra si rreshtim me Amerikën, ajo thotë se përveç kësaj, duhet të shihen edhe detaje të tjera.

Madje, pavarësisht që çështja e gazit amerikan është përmendur që nga viti 2021, ajo deklaroi se “duhet të jemi komplet të informuar se çka jemi duke bërë dhe sa do të na kushtojë neve si qytetarë”.

“Sigurisht që shihet si vendim strategjik, pse është vendim strategjik nuk do të thotë që të mos matet me gramë. Edhe vendimet strategjike duhet të merren në mënyrë të tillë që të jemi komplet të informuar se çka jemi duke bërë dhe sa do të na kushtojë neve si qytetarë”, tha Rizvanolli në emisionin Context.

Ndër të tjera, ajo insiston se Kosova ka zgjedhur opsionin më të mirë, duke iu referuar opsionit me thëngjill.

Me gjasë, Rizvanolli ka harruar se e gjithë partia e saj në vitin 2019, këtë opsion që ajo po e cilëson si më të mirin, e kundërshtonte ashpër.

“Ne kemi zgjedhur opsionin i cili është më i miri dhe më i liri. Ne duhet t’i shohim opsionet në kontekstin e Kosovës. Ne gaz rus nuk kemi, infrastrukturë të gazit nuk kemi fare. A dëshirojmë ta inkuadrojmë LNG-në amerikane? Po, sigurisht. Në mënyrën më të mirë, më racionale për Kosovën, duke marrë parasysh përballueshmërinë e çmimeve”, deklaroi ajo.