“Ky vendim nuk është i momentit e as i zhvillimeve të fundit. Është reflektim mbi atë se çka i duhet PDK-së në fazën e ardhshme. Nuk është vendim prej lodhjes apo zhgënjimit – por prej dashurisë për partinë time. E bëj këtë me paqe në shpirt dhe me dashuri në zemër. Dashuri për PDK-në. Dashuri për Kosovën”.
Kështu tha në një konferencë për media, Memli Krasniqi teksa njoftoi dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë, duke e cilësuar këtë vendim si “një hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në”.
Ai ka falënderuar qytetarët e Kosovës, anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të Kosovës për përkrahjen dhe besimin e dhënë.
“Në rini, njeriu nuk e di gjithmonë se çfarë do të bëhet – por shumëherë e di në çfarë do të besojë. Dhe unë, që nga rinia, e kam ditur se dua të besoj në Kosovën e ëndrrave të mia,” – tha ai.
“Ajo që nisi si një angazhim rinor e idealist, u kthye në udhëtimin më të rëndësishëm të jetës sime. Mbi njëzet vjet angazhim me PDK-në më kanë dhënë nderin të punoj për shtetin tim dhe qytetarët e mi – nga Kryetar i Rinisë Demokratike deri te Kryetar i Partisë Demokratike. Mbi të gjitha, kam pasur nderin e pakrahasueshëm të nënshkruaj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.”
Krasniqi theksoi se PDK “është forcuar dhe rritur ndjeshëm në skenën politike, megjithatë theksoi se çdo organizatë e madhe politike ka nevojë për ripërtëritje”.
“Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës”.
Ai ka thënë se kandidat i PDK-së për kryeministër duhet të jetë Bedri Hamza.
Gjithashtu tha se nëse Hamza vendos për të kandiduar për kryetar, ai do ta ketë përkrahjen e Krasniqit.
“Jam i bindur se kandidatati i PDK-së për kryeministër duhet të jetë Bedri Hamza. Dhe normalisht nëse Hamza kandidon për të qenë kryetar i PDK-së e ka përkrahjen time të plotë”, ka deklaruar ai.
“PDK është më shumë se një parti – është një amanet nga ata që luftuan për liri, për shtet dhe për dinjitet. Amaneti mbahet gjallë vetëm kur ne udhëheqim me shembull, me guxim dhe me përulësi. Kjo është detyra e liderit – të dijë jo vetëm si të qëndrojë mirë, por edhe si të largohet mirë”.








