Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së fundit për masakrat e luftës 1998–1999 me autor Shkelzen Gashin, ish-këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si “të papranueshme dhe skandaloze” dhe duke kërkuar llogaridhënie institucionale për mënyrën e financimit dhe promovimit të saj.
PDK ka ngritur dyshime të forta për përfshirjen e shtetit, duke theksuar se, përveç nga jashtë, siç thonë ata kryesisht në Hagë, po tentohet rishkrimi i historisë, në Kosovë ai “po financohet me para të shtetit dhe po promovohet nga përfaqësuesit shtetërorë”.
Në komunikatë, PDK vlerëson se ekspozita “shtrembëron të vërtetën historike dhe cenon rëndë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre”, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë në kujtesën kolektive.
Sipas partisë më të madhe opozitare në vend, “çdo përpjekje për t’i relativizuar krimet e kryera në Kosovë… është jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për kujtesën kolektive dhe drejtësinë historike”, ndërsa akuzon se rishkrimi i historisë po ndodh edhe nga brenda institucioneve.
Partia kërkon sqarim publik për organizimin e ekspozitës, identifikimin e zyrtarëve përgjegjës, kërkimfalje ndaj familjeve të viktimave si dhe hetim për “elemente të mundshme të veprës penale”.
Në fund, PDK thekson se “Kosova nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj mbi deformimin e së vërtetës”, duke u zotuar se do të mbrojë dinjitetin e viktimave dhe vlerat e luftës çlirimtare.









