Publicisti Blerim Shala dhe gazetari Lirim Mehmetaj në emisionin VOX DATA kanë diskutuar se si u bë që rinia e Kosovës pati përgjigje shumë më të kualifikuar për vendimin e padrejtë në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sesa vetë politika në Kosovë.
Shala dhe Mehmetaj diskutuan se si u lidh rinia kosovare aq shpejt e aq shumë me UÇK-në dhe liderët e UÇK-së.
Shala tha se gjenerata e re është quajtur edhe si gjeneratë e TikTok-ut, por që doli se nuk është ashtu.
“Po, zakonisht edhe është quajtur si gjeneratë e TikTok-ut, e rrjeteve shoqërore, e interesave, interesimeve për gjëra të tjera, po realisht vlera e UÇK-së ka qenë e pakontestueshme në vazhdimësi, sikurse dhe vlera e Lëvizjes Politike për Pavarësi”, tha Shala.
“Ka mund disi e them me të drejtë që të merr kahje të gabuar me protagonizma që kanë ndodhë, duhet të themi, mbas luftës. Po fillimisht UÇK-ja ka qenë një lloj legjende në popullatën urbane të Prishtinës, të vendeve të tjera. Se s’dishim gjë ne edhe ashtu ishte një rrëfim pak i paqartë kush, si, pse po lufton, pastaj filluam të marrim vesh se çka po ndodh”.
Tash prapë, konsideron Shala se “është kthy një lloj legjende”.
Prandaj, edhe rinia, sipas tij, “e sheh atë si një vlerë kulminante e cila nuk guxon të kontestohet prej kurrkujt”. “Veçmas jo në këtë mënyrë, duke i harruar të gjitha të këqija, se këtu ne kemi përmendur shpeshherë edhe ditëve të fundit, edhe ti edhe të gjithë, që është harruar konteksti”.
“Pra, është jashtë kontekstit politik dhe historik. E kontekstin politik dhe historik nuk mund ta marrin kurrsesi prej nesh. Secila prej familjeve tona e ka dikënd që ka luftu, që është burgos, që është vra, që është plagos, i cili është shpërngulur a në Turqi, a në Perëndim për shkak të zullumit të Millosheviç-it”, ka thënë Shala.
“Pra, e kemi brenda familjeve tona embrionin e pakënaqësisë permanente. Tash vetëm kemi pritur pretekstin që ajo pakënaqësi të merr kahje. Dhe ky pretekst ka qenë aktgjykimi i katër liderëve të UÇK-së në Hagë”.
Në këtë drejtim, Shala thekson se tash rininë, “nuk ka kush ta ndalë”, derisa rikujton se rinia është ngritur gjithmonë e para kundër padrejtësive që i janë bërë shqiptarëve.
“Gjithmonë në historinë e Kosovës rinia ka qenë në frontin e parë, si ’81, si ’89-ën, si gjatë luftës tekembramja, luftën e kanë bë ‘99% njerëz të rinj, djem të rinj, vajza të reja, të cilët kanë guxu ta marrin pushkën e të luftojnë”.
Kështu që dhe këtu ai thotë se ka qenë e pamundur t’i ndalësh atë ditë kur u shpall aktgjykimi, sepse “u pa, u vizatua që diçka është e padrejtë këtu”.
“Nuk ishte asnjë element në atë aktgjykim i cili të bënte të dyshosh që ndoshta dhe kanë ndodhë gjëra të pahijshme. Gjëra të këqija”.








