Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është paraqitur sonte në tubimin hapës të fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj. I njëjti së bashku me subjektin politik që ai udhëheq, po e përkrahin subjektin politik të udhëhequr nga Bedri Hamza për zgjedhjet e 7 qershorit.

Si e vetme, Nisma Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, e as nuk do të jetë e shkrirë në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.

Të dy liderët, Hamza e Limaj, ishin pajtuar që nga Nisma Socialdemokrate e Kosovës të ketë mbështetje për PDK-në, për të parë më pas modalitetet e mundshme të bashkëpunimit në zgjedhjet tjera.

“Është qëndrim i përgjithshëm që fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje për PDK-në, një vullnet i mirë nga ana e Nismës dhe pastaj në zgjedhjet e ardhshme do t’i trajtojmë në mënyrën më të duhur. Por kësaj radhe, zoti Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”, kishte thënë Hamza pas takimit të 11 majit me Limajt.