Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka propozuar ish-kryeprokurorin Aleksandër Lumezi për pozitën e zëvendëskryeprokurorit të Shtetit.

Lumezi, i cili kishte ushtruar funksionin e Kryeprokurorit të Shtetit deri më 22 prill 2022, pritet të rikthehet sërish në një pozitë udhëheqëse brenda sistemit prokurorial, kësaj radhe si zëvendëskryeprokuror.

Për këtë çështje do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila është planifikuar të mbahet të hënën, më 29 dhjetor.

Me punën e Lumezit si Kryeprokuror i Shtetit nuk ishte e kënaqur Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, para se të vinte në pushtet.

Kurti, sa ishte në krye të opozitës, deklaronte shpesh se, kur të vijë në pushtet, do ta shkarkojë Lumezin, teksa theksonte se “shkon Lumezi, vjen Elezi”, duke aluduar në prokurorin Elez Blakaj, i cili e la Kosovën dhe iku në Amerikë.

Elezi, para ikjes, kishte deklaruar se Lumezi kishte provuar ta frikësonte atë në lidhje me rastin “Pronto”. Por, edhe pas ardhjes në pushtet të Kurtit, Elez Blakaj nuk u kthye në Kosovë.

Që nga viti 2022, vendi ka mbetur me ushtrues të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë të cilën e mbajti deri këtë muaj Besim Kelmendi, i cili u dorëhoq, ndërsa në vend të tij është emëruar Agron Qalaj.

Ndërkaq, më 6 prill të vitit 2022, Blerim Isufaj ishte votuar unanimisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri.

Por Isufaj nuk është dekretuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ajo e pati konsideruar procesin e përzgjedhjes si të korruptuar.