A po ju kujtohet ky deklarim i Prokurores Speciale, Fikrije Zejnullahu, i dhënë në gjykimin për korrupsion kundër ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi?

“…e të gjitha këto shkresa, ose kërkesa, përmes shkresave të drejtuara Dejona Mihalit, ishin pjesë të dokumentacioneve ligjore para fazës së tenderimit”, thoshte ajo.

Bëhet fjalë për tenderët brenda KEK-ut. Siç po sqaron prokurorja, për kontratat që jepte kjo ndërmarrje publike, vendoste kundërligjshëm Dejona Mihali e Vetëvendosjes.

Njëra nga kompanitë që përfitonte nga zemërgjerësia kriminale e Mihalit, ishte ajo me seli në Greqi, TUV HELLAS, e cila ishte shpërblyer kundërligjshëm në tenderin rreth 630 mijë euro të vitit 2023, i cili edhe zyrtarisht është pjesë e aktakuzës kundër ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Fitorja e shumicës absolute të votave, prej 51 për qind, këtë kompani greke të favorizuar nga Dejona Mihali, e ka rikthyer sërish në skenë. Por tash, me fitime shumë më të mëdha.

Hiç më larg se para 10 ditësh, TUV Hellas ka fituar tender në vlerë 1 milion e 373 mijë euro në KEK, për “Shërbimet e konsulencës të implementimit të projektit të rehabilitimit dhe modernizimit të njësisë A3 në TC KOSOVA A”.

Dhe sërish, kontrata është njëburimore. Nënkupton se kjo kompani është ftuar të negociojë me KEK-un deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Bashkë me të në garë ka qenë edhe një kompani nga Kroacia, pra, nuk është ftuar për ofertim e negocim asnjë kompani vendore.

Të njëjtën kompani, në vitin 2023, ish-kryeshefi Nagip Krasniqi e kishte thirrur për të ofertuar ende pa u hapur tenderi. Madje, kërcënonte nënpunësit e tij në KEK, se nëse të njëjtën s’e thërrasin për të marrë pjesë në garë, do t’i largojë nga puna.

Që nga ky moment, që kishte nxitur aktivizimin e prokurorisë e që më pas do të përfundonte me aktakuzë, kjo kompani s’kishte fituar më kontrata, derisa u rikthye në skenë në shkurt të këtij viti.

Se ku ishte urgjenca që ky tender e kjo kontratë të jepet për grekët, me shpejtësi e në mënyrë të fshehur duke eliminuar konkurrencën, përgjigje s’pati kryeshefi i KEK-ut, Gramos Hashani, pavarësisht insistimit të VOX Kosovës përmes thirrjeve dhe mesazheve.

Edhe Hashani, pasuesi i Nagip Krasniqit në pozitën e kryeshefit, njihet për afërsinë e tij me partinë në pushtet dhe me eksponentët e saj, e veçanërisht me tash kryetarin e Fushë Kosovës, Valon Prebrezën.

Por, kështu ka ndodhur në KEK, prejse ka ardhur në pushtet Vetëvendosja. Kompanitë që më parë fitonin tenderë në KEK, nga Italia, Gjermania e Franca, janë zëvendësuar me kompani greke.

Ndërsa, fitorja e fundit e Vetëvendosjes, i ka bërë ata të besojnë se kontrata të tilla njëburimore, metodë me të cilën kanë operuar tash e pesë vjet dhe lidhja me kompani greke si në këtë rast, jo që veç është e lejueshme, por nuk ndëshkohet me votë.

E sipas këtij pushteti, kur fiton zgjedhjet, fiton edhe të drejtën morale për t’i mbyllur garat. Ndonëse aty më s’është Nagipi, në anën tjetër, prapa perdes gjithherë është Dejona.