Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, do të jetë kandidate për deputete krah ish-Presidentes Vjosa Osmani, në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Osmani dhe kandidatët që ajo do të propozojë, do të garojnë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga Osmani, përmes një postimi në Facebook, të enjten.

“E nisëm bashkë rrugëtimin në Kuvend. Dhe bashkë po vazhdojmë drejt Kuvendit. Jeta Statovci ishte vetëm 26 vjeçe kur mori mandatin e saj të parë, për t’u rikonfirmuar tri herë radhazi me besimin e qytetarëve, duke qenë vazhdimisht ndër deputetet më të votuara”, shkroi Osmani.

Ajo theksoi se me Statovcin i ka bashkuar “ndër vite virtyti, vizioni, vullneti dhe e vërteta. Mbi të gjitha, na bashkojnë vlerat mbi të cilat e nisëm këtë rrugëtim”.

“E kur ato devijojnë, ne ringrihemi në këmbë, për dashurinë ndaj vendit dhe për rrugëtimin e sigurt të Kosovës”, potencoi ajo ndër të tjera.

Në listën e LDK-së, sipas anëtarit të Kryesisë së kësaj partie, Armend Zemaj, Osmani pritet që t’i ketë rreth 20 kandidatë për deputetë.

Statovci ishte zgjedhur për herë të parë deputete në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Ajo kishte garuar në listën e Vetëvendosjes si e propozuar nga Osmani.