Gjithandej Kosovës po raportohet se janë rikthyer reduktimet e rrymës dhe reagimet kanë ardhur nga përfaqësues të bizneseve. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në një deklaratë publike, ka alarmuar se një numër i madh i bizneseve po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë elektrike.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me reduktimet e ashpra të energjisë që po aplikohen thuajse në të gjithë vendin dhe pasojat serioze që kjo gjendje po shkakton për bizneset në vend. Gjatë ditëve të fundit, DhTIK është njoftuar nga një numër i madh i bizneseve anëtare se po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë elektrike, të cilat po shkaktojnë rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre”, thuhet në reagimin e tyre.

“Kjo situatë është vazhdimësi e rëndimit edhe më tej të gjendjes së bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16.1% për konsumatorët e rregulluar, si dhe nga dalja e mbi 1,300 bizneseve në tregun e hapur të energjisë, zhvillime këto që tashmë kanë prodhuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe po ndikojnë negativisht në konkurrueshmërinë e sektorit privat”.