Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen këtë të premte(24 prill) në dy seanca. E para do t’i dedikohet kongresistit amerikan, Eliot Engel, i cili ndërroi jetë më 10 prill në moshën 79 vjeçare.

Tutje, Kuvendi do të shqyrtojë disa projektligje e më pas do të bëhet edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Gjithashtu, pritet edhe votimi i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shoqëria civile kanë konstatuar se procesi i zgjedhjes së anëtarëve në KPM dhe RTK është jotransparent dhe si i tillë duhet të anulohet.

“Karakteristikat janë tipike kur një parti në pushtet synon të kap një institucion të pavarur. Niveli i kualitetit të kandidatëve është shumë i ulët, është shumë vështirë me gjet profesionistë, dhe kjo ka ndodhur pasi profesionistët nuk i besojnë VV-së që do të zhvillojë proces fer, transparent dhe sipas meritokracisë. Mbrëmë në orët e vona kandidatët janë ftuar për të ardhur sot në intervistë. Ta ftosh një person që do të shërbejë në RTK rreth orës 22:00 të natës, me u paraqit në mëngjes në intervistë, është tallje me procese demokratike”, tha në një konferencë, juristja e mediave, Flutura Kusari.

Rendi i ditës:

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;

Deklarimet jashtë rendit të ditës;

Pyetjet parlamentare;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-034 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020;

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-035 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2019, pjesa e dytë, objektivi 1;

Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës;

Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës;

Zgjedhja e anëtarëve në Komisionin e Pavarur të Mediave;

Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për avancimin e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në përputhje me standardet evropiane;

Propozimi i Grupit parlamentar “Multietnik” për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare.