Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar që në LDK të mbahen zgjedhje të brendshme.

Kjo kërkesë e Gashit vjen pas rezultatit të dobët që LDK-ja mori më 7 qershor, rreth 17 për qind, apo 18 deputetë.

Ai theksoi se ky rezultat duhet t’u shërbejë si thirrje për reflektim. “Nuk duhet ta pranojmë si normalitet një LDK në vendin e tretë”.

Një LDK me 16 për qind “nuk është LDK-ja që njohim, nuk është LDK-ja që ndërtoi shtetin dhe nuk është LDK-ja që i duhet Kosovës”.

“Prandaj, krahas domosdoshmërisë që vendi të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, ne kemi edhe një detyrë tjetër të madhe: të merremi me veten. Të merremi me LDK-në. Me LDK-në tuaj”.

“Është koha që LDK-ja të hapë një proces të ri zgjedhor të brendshëm, demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës. Një proces që bashkon, jo që përjashton. Që prodhon besim, jo ndarje. Që nxjerr në pah vlerat dhe energjinë më të mirë të partisë sonë”, shkroi Gashi në Facebook.