Njëri nga figurat e larta të dikurshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka kërkuar dorëheqje dhe zgjedhje të reja në LDK, pas rezultatit katastrofal në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Përmes një postimi në Facebook, Veliu ka thënë se rezultati i zgjedhjeve për LDK-në “është një sinjal i qartë që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet”.
Reagimi i tij vjen pasi që Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndonëse kishte paralajmëruar se do të jap dorëheqje, ditëve të fundit nuk ka dhënë shenja se do ta bëjë një gjë të tillë, madje ka sulmuar ata që po e kritikojnë.
Por, Veliu kërkon përgjegjësi, pasi që thekson se ky është një mesazh nga qytetarët dhe mesazhe të tilla konsideron se kërkojnë “reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike”.
Si kontribues i LDK-së, ai potencoi se ndjen obligim moral dhe politik të thotë se “humbjet e rënda nuk mund të relativizohen, as të kalohen me heshtje”.
“Në demokraci, përgjegjësia është parakusht për besim, ndërsa dorëheqja nuk është dobësi, por akt force dhe pjekurie politike”.
Prandaj, ai pohon se “dera është e hapur!”.
“LDK, sot nuk ka nevojë për justifikime (në studio televizive), por për analizë të menjëhershme të shkaqeve të humbjes, hapje të brendshme dhe demokraci funksionale, dhe për një proces të ri zgjedhor në të gjitha nivelet që i jep shpresë anëtarësisë dhe elektoratit”, shtoi.
Vetëm duke hapur rrugë për ndryshim, Veliu vlerëson se “mund ta rikthejmë besimin e humbur dhe të përgatitemi për sfidat e ardhshme”.
“Koha kërkon vendime të guximshme, jo mbrojtje asaj që nuk mbrohet, jo mbajtje të status quo-së. LDK-së i duhen fitues në ekipin e saj, e jo kandidat të përhershëm!”, theksoi Veliu.









