Me numërimin e 100 për qind të votave preliminare, përbërja e Kuvendit të Kosovës pritet të ndryshojë më shumë në numra sesa në raportet e forcës politike.

Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca më e madhe parlamentare, duke siguruar 42.91 për qind të votave, rezultat që aktualisht përkthehet në 48 ulëse. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind dhe 24 mandate.

Lidhja Demokratike e Kosovës shënon rritjen më të madhe në numrin e deputetëve, duke fituar pesë ulëse më shumë dhe duke arritur në 20 mandate, pavarësisht se ka marrë vetëm rreth 3 mijë vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës rrit përfaqësimin e saj në tetë deputetë, me 7.16 për qind të votave.

Kështu e ka paraqitur Kuvendin me këtë rezultat, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim.

Në kampin e partive serbe, Lista Serbe ruan nëntë mandatet e saj, ndërsa një ulëse i takon Nenad Rashiqit dhe Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Sipas ndarjes kushtetuese, 10 ulëset e mbetura u takojnë komuniteteve joshumicë.

Megjithatë, kjo panoramë mund të pësojë lëvizje të vogla pas numërimit të votave të diasporës dhe atyre me kusht, të cilat ende nuk janë përfshirë në rezultat.