Lumir Abdixhiku, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka ngritur dyshime se rezultati i votëbesimit për kryetarllëkun e tij ka mundur të jetë i kurdisur, pasi në deklaratën pas mbledhjes së Kuvendit, ai ka deklaruar se do ta bënte diferencën sa të donte.
“S’ka rëndësi rezultati se po të donim do ta bënim edhe 90%, po ka qenë i lirë, demokratik, pa angazhim të Kryetarit të partisë për të mbledhur ose jo mbështetje”, ka deklaruar tani i rikonfirmuari i vetëm pak më shumë se gjysmës së delegatëve të LDK-së.
Në votim, 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 të tjerë votuan për largimin e tij.
Në nisje të Kuvendit, Abdixhiku mbajti në fjalim, ku ndër të tjera mori përgjegjësinë për humbjen në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit dhe sulmoi ata që i kanë kërkuar dorëheqjen, dhe më pas punimet u mbyllën për publikun.








