Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Kuvendi i Kosovës “ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive”.

Këto komente, LDK-ja i ka bërë përmes një komunikate për media, pasi që të enjten nuk morën pjesë në votimin për rezolutën në mbrojtje të krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe ndaj të cilëve është kërkuar nga Prokuroria Speciale nga 45 vjet burgim.

LDK kërkoi që rezolutës t’i shtohej edhe një pikë, ku bënte thirrje për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazabardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike, por që nuk u pranua, për shkak se deputeti i PDK-së tha se rezoluta nuk ishte hartuar nga partia e tij, por nga një grup prej më shumë se 30 profesorëve.

Në reagim, LDK thotë se “drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar”. “Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës”.

“Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh. Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë”, shtuan ata.

Ky qëndrim, sipas LDK-së, “është aktiv dhe parimor”. “LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë”.