Pas muajsh të tërë të një krize rraskapitëse energjetike që ka shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, rezervat e naftës së Kubës janë shteruar, tha qeveria, gjë që ka të ngjarë ta zhysë vendin në ndërprerje edhe më të shpeshta, më të mëdha dhe më të gjata të energjisë në gjithë vendin.
Qeveria kubane është përballur me një krizë të rëndë energjetike për më shumë se dy vjet për shkak të infrastrukturës së rrënuar dhe furnizimeve në rënie nga aleati i saj i kahershëm, Venezuela.
Megjithëse Kuba prodhon një sasi nafte për përdorim të brendshëm, termocentralet janë jashtë funksionit dhe furnizimet janë shteruar, tha të mërkurën në mbrëmje Vicente de la O Levy, ministri kubanez i Energjisë dhe Minierave.
“Nuk kemi absolutisht fare mazut, absolutisht fare naftë dizel”, tha z. de la O Levy.
“Në Havana, ndërprerjet e energjisë sot zgjasin më shumë se 20 apo 22 orë”.
Kur energjia rikthehet, ajo mund të zgjasë vetëm një orë e gjysmë, tha ai.
Karburanti venezuelian ndaloi së shkuari në Kubë krejtësisht në janar, pasi Shtetet e Bashkuara rrëzuan liderin e Venezuelës dhe morën kontrollin e industrisë së naftës së vendit. Më pas, administrata Trump vendosi një bllokadë efektive që ndalon të gjithë naftën e huaj të arrijë në Kubë, e cila kishte marrë gjithashtu dërgesa nga Meksika.
Qeveritë në Havana dhe Uashington kanë zhvilluar negociata sekrete prej javësh.
Për Kubën, qëllimi është t’i japë fund bllokadës energjetike.
Për Shtetet e Bashkuara, bisedimet janë përqendruar në përfundimin e kontrollit të qeverisë mbi ekonominë dhe ndalimin e represionit politik.
Qeveria kubane njoftoi se të enjten drejtori i C.I.A.-së, John Ratcliffe, kishte vizituar Kubën.
Në muajt e fundit, shumë qytete kubane jashtë Havanës janë goditur nga ndërprerje të gjata të përditshme të energjisë.
Mungesa e naftës i ka detyruar njerëzit të mbështeten te qymyri apo edhe druri për të gatuar, ndërsa disa kanë dalë në rrugë duke rrahur tenxhere e tiganë për të shprehur frustrimin e tyre.
Një dërgesë prej 100 mijë tonësh naftë nga Rusia muajin e kaluar, e lejuar nga administrata Trump, solli një lehtësim të përkohshëm.
“Por ato furnizime tashmë janë shteruar”, tha z. de la O Levy.
Ai paralajmëroi se mungesat e energjisë pritet të përkeqësohen në javët e ardhshme sepse temperaturat po rriten dhe kërkesa në rrjetin energjetik shtohet gjatë muajve të verës.
Presidenti Miguel Díaz-Canel pranoi se situata energjetike ishte “veçanërisht e tensionuar”.
“Ky përkeqësim dramatik ka një shkak të vetëm: bllokadën gjenocidale energjetike së cilës Shtetet e Bashkuara ia nënshtrojnë vendin tonë”, shkroi ai në X.
Para se të mbërrinte dërgesa ruse e karburantit, Kuba tha se kishte marrë vetëm një dërgesë karburanti që nga dhjetori.
Kubës i duhen të paktën tetë dërgesa me cisterna në muaj për të mbajtur vendin në funksion, tha z. Díaz-Canel.
Ministri i Energjisë tha se edhe energjia diellore nuk ishte një alternativë e besueshme sepse rrjeti energjetik është shumë i dobët për të përballuar rrymën elektrike të prodhuar nga parqet me panele diellore.
Administrata Trump ka fajësuar atë që e quajti dështim të qeverisë për të menaxhuar ekonominë për krizën energjetike të Kubës.
“Arsyeja pse nuk kanë naftë është sepse nuk kanë para për të paguar naftën”, tha sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në një intervistë të marsit për The New York Times, ku ai minimizoi rolin e bllokadës së naftës nga administrata amerikane.
“Problemi me të cilin përballen është se zakonisht, kur njerëzit të japin naftë, ata presin të paguhen për të”, tha ai.
“Dhe këta njerëz nuk kanë para”.
Kuba prodhon 40 mijë fuçi naftë në ditë, por konsumon rreth 100 mijë fuçi çdo ditë. Ajo mbështetej te donacionet nga Meksika dhe Venezuela për të mbuluar diferencën.
“Pak energji që po prodhojmë po përdoret për të mbrojtur spitalet, objektet ekonomike me prioritet të lartë dhe një numër qarqesh të tjera që duhet të mbrohen për shkak të luhatjeve të sistemit”, tha z. de la O Levy.
Jorge Piñón, ekspert i energjisë kubane në Universitetin e Teksasit, tha se kishte parashikuar që Kuba me shumë gjasë do t’i shteronte rezervat e naftës në mars, por vendi arriti të mbijetojë edhe pak më gjatë.
Tani, tha ai, edhe kamionët që transportojnë naftë dizel nuk kanë më dizel për të vënë në punë motorët e tyre.
“Zinxhiri i furnizimit është bosh”, tha ai.
“Kjo është gjendja ku ndodhen tani. Më parë kishin pak naftë këtu e pak atje”.
Ndërprerjet e energjisë kanë bërë që disa kubanezë të flenë në çati për t’i shpëtuar vapës.
Të tjerë zgjohen në orë të çuditshme kur energjia ndizet për pak kohë, për të bërë kafe, për të karikuar telefonat dhe për të gatuar ushqimin e ditës së nesërme. Nëse energjia ndërpritet gjatë gatimit, ata detyrohen të përdorin qymyr.
Hermes Marian, 53 vjeç, i cili çdo ditë transporton punonjës të rafinerisë në Santiago de Cuba, një qytet në lindje të Kubës, tha se bllokada amerikane e naftës ishte e padrejtë.
“Nuk mund të jetë e drejtë – nuk është e drejtë”, tha z. Marian.
“Këtu po vuan populli”.
Eliannis Urgellés López, 40 vjeçe, nga Guantanamo, gjithashtu në lindje të Kubës, përdor një sobë elektrike për të gatuar, por mban gjithmonë rezervë qymyr për rastet kur ndërpritet energjia.
Që kur përfunduan dërgesat e naftës nga Venezuela, tha ajo, një pjesë e madhe e pagës së saj shtetërore shkon për blerjen e qymyrit.
“Venezuela ishte shpëtimi për gjithçka,” tha ajo. “Ne vareshim nga Venezuela për shumë gjëra: transportin, energjinë elektrike.”









