Shumë historianë e kanë parë kohët e fundit Revolucionin Amerikan si një ngjarje të moderuar, madje zhgënjyese. Por në epokën e Donald Trump, pyetja e vjetër se sa radikal ishte ai po merr një rëndësi të re.

Deklarata e Pavarësisë mbushi 250 vjet këtë 4 korrik, me festime patriotike që i shkonin për shtat përvjetorit të demokracisë më jetëgjatë në botë. Megjithatë, rrëfimi themelues mbi të cilin ajo mbështetet po bëhet gjithnjë e më i debatueshëm.

Konservatorët kanë akuzuar progresistët se po braktisin urtësinë e Deklaratës së Pavarësisë dhe po shtrembërojnë trashëgiminë e Revolucionit Amerikan. Nga ana tjetër, në të majtë, disa mendojnë se narrativa e lirisë, e cila dikur frymëzonte popujt në mbarë botën, po e humb ndikimin e saj, pasi janë ekspozuar hipokrizitë dhe kontradiktat e saj.

Mes studiuesve, 50 vitet që kanë kaluar nga 200-vjetori i vitit 1976 kanë zgjeruar ndjeshëm mënyrën se si shihet Revolucioni. Janë përfshirë personazhe të rinj, është zgjeruar hapësira gjeografike dhe kronologjia e ngjarjeve, duke e shndërruar atë që dikur konsiderohej një histori e unifikuar kombëtare në një rrëfim shumë më të ndërlikuar, të fragmentuar dhe të lidhur me një konflikt global më të gjerë.

Por, si në studimet akademike ashtu edhe në debatin e polarizuar publik rreth vitit 1776, vazhdon të qëndrojë një pyetje e vjetër: Sa revolucionar ishte në të vërtetë Revolucioni Amerikan?

Për shumë amerikanë kjo pyetje mund të duket e çuditshme. Vetë emri “Revolucioni Amerikan” nënkupton karakterin e tij revolucionar, ndërsa kremtimi i 250-vjetorit duket si dëshmi e kësaj.

Megjithatë, kjo është një çështje që po debatohet edhe në praktikë. Versioni patriotik i vitit 1776 i promovuar nga presidenti Donald Trump është përballur me simbolikën e vetëdijshme të epokës revolucionare që u përdor gjatë protestave “No Kings” (“Pa Mbretër”).

Historiani T.H. Breen nga Universiteti Northwestern e quajti këtë një pyetje të rëndësishme, edhe pse “disi të sikletshme”.

“Nëse nuk do ta kishim pasur Revolucionin, ndoshta do të dukeshim si Kanadaja”, tha ai. “Edhe Kanadaja është një demokraci. Por ne e patëm Revolucionin. Prandaj duam të kuptojmë: në ç’mënyrë ishte vërtet një revolucion?”

Një revolucion konservator?

Amerikanët kanë debatuar për historinë dhe kuptimin e Revolucionit pothuajse që nga momenti kur ai përfundoi. Në shekullin XIX, trashëgimia e tij u përvetësua si nga abolicionistët dhe lëvizja për të drejtën e votës së grave, të cilët përqafuan premtimin e Deklaratës për barazi, ashtu edhe nga jugorët, të cilët e shihnin veten si rebelë kundër një pushteti shtypës.

Narrativa patriotike që njihet sot mori formë në fillim të shekullit XX, kur udhëheqësit amerikanë kërkonin të forconin qeverinë federale, ndërsa njëkohësisht t’u kundërviheshin valëve të reja revolucionare që po vinin nga Evropa.

Në vitin 1926, gjatë fjalimit për 150-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, presidenti Calvin Coolidge e përshkroi Revolucionin si “një lëvizje të popullit”, por “në asnjë kuptim një lëvizje radikale”. Sipas tij, vizioni i paraqitur në Deklaratë ishte i përkryer dhe nuk kishte nevojë për ndryshime.

“Nëse të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, kjo është përfundimtare”, tha ai. “Nëse ata janë të pajisur me të drejta të patjetërsueshme, kjo është përfundimtare. Nëse qeveritë e marrin pushtetin e tyre legjitim nga pëlqimi i të qeverisurve, kjo është përfundimtare.”

Ai u paraqit si një luftë për të drejtat individuale dhe ekonominë e tregut të lirë. Konservatorët argumentonin se ai ishte pa dyshim një revolucion, por jo një revolucion i tipit rus apo francez.

Në një ese të vitit 1973 me titull “Revolucioni Amerikan si një Revolucion i Suksesshëm”, teoricieni politik neokonservator, Irving Kristol, kritikoi studiuesit e majtë që e minimizonin rëndësinë e tij, duke e përshkruar si “një Revolucion Francez që nuk ndodhi kurrë plotësisht”.

Ndryshe nga Rusia apo Franca, shkroi ai, pasionet e revolucionarëve amerikanë u kufizuan nga arsyeja dhe virtyti.

“Revolucioni Amerikan ishte i suksesshëm sepse ata që e udhëhoqën mundën, vite më vonë, ta shikonin me qetësi atë që kishin ndërtuar dhe të thoshin se ishte diçka e mirë”, shkroi Kristol.

Ndryshe nga udhëheqësit e revolucioneve të tjera, të cilat përfunduan duke përpirë vetveten, ata “vdiqën të gjithë në shtrat”.

Ndër historianët po fitonte terren një interes gjithnjë e më i madh për ideologjinë e revolucionarëve, i zhvilluar në libra si studimi klasik i Bernard Bailyn, “Origjina Ideologjike e Revolucionit Amerikan”, botuar në vitin 1967.

Por, në të njëjtën kohë, mes trazirave shoqërore të viteve 1960 dhe 1970, në botën akademike nisi të dominonte historia sociale, e cila përqendrohej te njerëzit e zakonshëm. Studiuesit filluan të hulumtonin këndvështrimet e grave, afro-amerikanëve të lirë dhe të skllavëruar, amerikanëve autoktonë dhe klasës punëtore.

Gjatë kremtimit të 200-vjetorit të Revolucionit, një gazetar i The New York Times intervistoi historianët më të njohur dhe vuri re një ndarje të thellë mes brezit të vjetër, që theksonte idetë politike të themeluesve, dhe historianëve të rinj, të cilët mbronin atë që quhej “historia nga poshtë”.

Për këta të fundit, Revolucioni ishte fillimisht një shpërthim i impulseve demokratike popullore, të cilat më vonë u shtypën nga elitat.

Që atëherë, studiuesit kanë vazhduar ta zgjerojnë perspektivën gjeografike të Revolucionit, duke e vendosur atë brenda një lufte shumë më të madhe botërore që përfshinte disa perandori.

Historia nuk kufizohet më vetëm te debatet në Philadelphia apo Boston. Ajo përfshin edhe amerikanët autoktonë në Luginën e Ohio-s, betejat detare përgjatë Gjirit të Meksikës, kryengritjet e skllevërve në Xhamajkë, madje edhe tregtinë në Indi.

Po ashtu, studiuesit sot përqendrohen më shumë te pasojat sesa te shkaqet e Revolucionit. Këto pasoja nuk ishin aspak të barabarta për të gjithë.

Siç është shprehur historiani Michael D. Hattem, rezultati është një Revolucion Amerikan “që duket gjithnjë e më pak amerikan dhe gjithnjë e më pak revolucionar.”

“Gjatë Luftës së Ftohtë pyetja ishte: ‘A ishte një revolucion?’ Sot pyetja është: ‘Revolucioni i kujt ishte ai?'”, tha Hattem, autor i librit “The Memory of ’76”, që trajton mënyrën se si është kujtuar Revolucioni Amerikan.

Megjithatë, disa nga figurat më të njohura të kësaj fushe vazhduan ta interpretonin Revolucionin në mënyrë shumë më pozitive.

Në librin fitues të Çmimit Pulitzer, “Radikalizmi i Revolucionit Amerikan” (1991), historiani Gordon S. Wood argumenton se Revolucioni nuk solli vetëm një formë të re qeverisjeje. Ai krijoi edhe një kulturë shumë më egalitare dhe individualiste sesa kishin imagjinuar vetë Etërit Themelues.

Sot, megjithatë, shumë historianë të brezit të ri e shohin Revolucionin si një ngjarje që pati pasoja thellësisht konservatore, sidomos në çështjet e skllavërisë dhe racës.

Pas Revolucionit, shtetet veriore filluan të shfuqizonin skllavërinë, ndërsa njerëzit e skllavëruar përdorën idetë e Deklaratës së Pavarësisë për të kërkuar lirinë e tyre.

Por në Jug, skllavëria jo vetëm që mbijetoi, por u forcua dhe u zgjerua drejt Perëndimit.

Për amerikanët autoktonë, ndërkohë, zgjerimi drejt Perëndimit i nxitur nga Revolucioni rezultoi katastrofik.

“Po, u nisën disa procese vërtet radikale”, tha historiania Leslie M. Harris, specialiste e historisë së hershme afro-amerikane në Universitetin Northwestern. “Por nuk mund t’i injorosh kufijtë thellësisht konservatorë të atij radikalizmi.”

Harris, duke përsëritur argumentin e shumë historianëve të tjerë, thotë se Revolucioni Amerikan duket shumë më revolucionar kur shihet si shkëndija që ndezi një “Epokë të Revolucioneve” në të gjithë botën atlantike. Ai ndikoi jo vetëm Francën, por edhe Haitin, Venezuelën, Irlandën, Poloninë dhe shumë vende të tjera.

“Revolucioni vërtet krijoi një mënyrë të re të menduari, jo vetëm për skllavërinë, por për vetë njerëzimin”, tha Harris. “Ai shtroi pyetjen: ‘Çfarë është liria?'”

Historiania e Universitetit Yale, Joanne B. Freeman, ka dhënë një kurs të njohur mbi Revolucionin Amerikan për afro 30 vjet.

Në një intervistë, ajo tha se sot Revolucioni mund të mos duket shumë radikal, të paktën në pasojat e tij të menjëhershme. Por, ndërsa zhvillohej, njerëzit e përjetuan atë si diçka ku duhej të merrnin pjesë.

“Ai i preku njerëzit në mënyra që ndoshta nuk i prisnin,” tha ajo. “Jo domosdoshmërisht si një çështje e madhe ideologjike. Por, papritur, ata ndienë se duhej të bënin diçka, të shkruanin diçka, të protestonin.”

Sot është bërë e zakonshme që shumë liberalë dhe progresistë ta minimizojnë rëndësinë e Revolucionit Amerikan dhe ta shohin ‘Themelimin e Dytë’ të vendit, pas Luftës Civile, si pikënisjen më të përshtatshme të demokracisë shumëetnike amerikane.

Por historiani David Waldstreicher, specialist i historisë së hershme amerikane në Graduate Center të Universitetit të Nju Jorkut, thotë se kjo qasje nënvlerëson ndikimin që Revolucioni pati në politizimin e njerëzve të zakonshëm, dhe jo vetëm të burrave të bardhë.

“Ky politizim është themeli i demokracisë amerikane,” tha ai.

Nga Revolucioni te Themeli i Shtetit

Që nga 200-vjetori i Revolucionit, e djathta amerikane ka dominuar gjithnjë e më shumë kujtesën publike të Revolucionit Amerikan, duke përqafuar një interpretim ligjor dhe historik të bazuar në tekstin origjinal të dokumenteve themeluese.

Megjithatë, vitet e fundit kanë filluar të shfaqen përçarje edhe brenda së djathtës.

Disa konservatorë nacionalistë kanë hedhur poshtë universalizmin e Deklaratës së Pavarësisë, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara janë atdheu i një populli dhe kulture të caktuar, dhe jo një komb i ndërtuar mbi një besim qytetar universal.

Konservatorë të tjerë, që mbështesin konceptin e “të mirës së përbashkët”, argumentojnë se theksi që Deklarata vendos mbi të drejtat individuale dobëson lidhjen mes Zotit dhe shoqërisë.

Megjithatë, versioni i vitit 1776 që promovon administrata Trump mbetet shumë pranë rrëfimit tradicional heroik, të përqendruar te figurat udhëheqëse.

Freedom Trucks, një flotë muzeumesh lëvizëse të historisë, të financuara nga qeveria federale për 250-vjetorin në bashkëpunim me Hillsdale College dhe platformën konservatore PragerU, i presin vizitorët me një video të George Washingtonit të krijuar me inteligjencë artificiale.

Revolucioni paraqitet si një varg ngjarjesh heroike – Lexington, Concord, Bunker Hill – që burojnë nga të vërtetat e shpallura në Deklaratën e Pavarësisë.

Ekspozitat e përmendin skllavërinë, por i përshkruajnë Etërit Themelues si një grup njerëzish që, në thelb, ishin kundër saj dhe që “parashikonin se skllavëria do të zbehej dhe do të zhdukej me kalimin e kohës.”

Këto ekspozita janë kritikuar nga historianët, të cilët mendojnë se ato paraqesin një version të sterilizuar të historisë.

Megjithatë, Matthew Spalding, studiues i Kushtetutës dhe drejtues i operacioneve të Hillsdale College në Uashington, i cili ndihmoi në krijimin e ekspozitës, tha se këto kritika burojnë nga një qasje “postmoderne” ndaj historisë, e cila imponon vlerat e së tashmes mbi të kaluarën.

Sipas Spaldingut, ajo që e bëri Revolucionin Amerikan revolucionar – madje radikal – ishte karakteri i tij i menduar mirë, racional dhe fakti se ai shpalli lindjen e një kombi të ri të mbështetur mbi të vërteta që konsideroheshin të vetëkuptueshme, duke nisur me parimin se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.”

“Një pjesë e problemit është se ne duam ta shohim menjëherë si revolucionar në kuptimin modern të fjalës”, tha ai. “Por Revolucioni Amerikan vendosi parimin, hodhi farën, dhe më pas ai u zhvillua përgjatë historisë amerikane.”

Edhe Yuval Levin, studiues i Kushtetutës në American Enterprise Institute, një institut konservator që nuk ishte pjesë e projektit, pajtohet se Revolucioni Amerikan ishte një “revolucion konservator.”

“Ai ishte pak a shumë kryengritja e parë koloniale e suksesshme në historinë e njohur të botës”, tha ai në një përgjigje me email, “por ai përparoi duke këmbëngulur te idealet e vendit amë më shumë sesa duke u shkëputur prej tyre.”

Sipas Levinit, skllavëria ishte një “njollë morale”, në të cilën edhe etërit themelues ishin bashkëfajtorë.

Megjithatë, ai argumenton se skllavëria u shfuqizua pikërisht përmes kërkesës që Shtetet e Bashkuara të jetonin sipas idealeve mbi të cilat ishin themeluar, dhe jo përmes përmbysjes së tyre.

“Nuk mendoj se etërit themelues, në tërësi, ishin kundërshtarë të hershëm të skllavërisë”, tha ai. “Por logjika e Revolucionit çonte në atë drejtim.”

Historia e Revolucionit Amerikan vazhdon të rishkruhet dhe nuk do të ketë kurrë një version përfundimtar.

Historiani T.H. Breen nga Universiteti Northwestern thotë se detyra e studiuesve është “të bëjnë më të mirën që munden me provat që kanë mbijetuar, me shpresën se ato do t’i ndihmojnë amerikanët të mendojnë me ndershmëri dhe në mënyrë kritike për origjinën e tyre.”

Sipas Breenit, Revolucioni u përkiste njerëzve. Dhe, siç theksojnë edhe historianë të tjerë, edhe trashëgimia e tij u përket njerëzve sot, në një kohë kur amerikanët – ashtu si në vitin 1776 – mund të mos kenë nevojë as për udhëheqës, as për historianë, që t’u shpjegojnë kuptimin e tij.

“Të gjithë e dinë se Revolucioni Amerikan ishte kundër monarkisë”, tha historiani David Waldstreicher. “Askush nuk kishte nevojë të hapte një libër për të dalë në protestat ‘No Kings’ (‘Pa Mbretër’).”