Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës (OVL-UÇK), ka marrë vendim që të organizojë protesta në të gjitha qytetet e Kosovës ku ka degë dhe struktura të saj, pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestat, siç njoftojnë ata, do të mbahen në ora 17:00, të premten, në të gjitha qytetet, përveç degës së Prishtinës, e cila do t’i bashkëngjitet orarit të organizimit të protestës, në ora 21:00.

“Ftojmë institucionet komunale dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen këtyre protestave, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës sonë çlirimtare”, thuhet në njoftim të OVL-UÇK-së.

Ata kanë theksuar se do të mbështesin çdo protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës çlirimtare, përderisa ato zhvillohen në mënyrë paqësore dhe nuk cenojnë rendin kushtetues.

Në këtë situatë, OVL UÇK u ka bërë thirrje “të gjithë spektrit politik, shtetëror dhe kombëtar që të jenë unikë dhe sa më parë të fillojnë hartimin e një strategjie kombëtare, e cila do të garantonte mbështetje të plotë për ish-krerët e UÇK-së deri në vendimin e Apelit”.