Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka urdhëruar diplomatët amerikanë që të lobojnë kundër përpjekjeve për të rregulluar mënyrën se si kompanitë amerikane të teknologjisë i trajtojnë të dhënat e shtetasve të huaj, duke thënë në një kabllogram të brendshëm diplomatik, të parë nga Reuters, se përpjekje të tilla mund të ndërhyjnë në shërbimet e lidhura me inteligjencën artificiale.

Ekspertët kanë thënë për Reuters se kjo lëvizje sinjalizon se administrata Trump po i rikthehet një qasjeje më përballëse, ndërsa disa vende të huaja kërkojnë kufizime mbi mënyrën se si kompanitë e Silicon Valley përpunojnë dhe ruajnë të dhënat personale të qytetarëve të tyre – nisma që shpesh përshkruhen si “sovranitet i të dhënave” ose “lokalizim i të dhënave”.

Në kabllogramin e Departamentit Amerikan të Shtetit, të datës 18 shkurt dhe të nënshkruar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, thuhet se ligje të tilla do të “çrregullonin rrjedhat globale të të dhënave, do të rrisnin kostot dhe rreziqet e sigurisë kibernetike, do të kufizonin shërbimet e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe të ‘cloud’-it, si dhe do të zgjeronin kontrollin qeveritar në mënyra që mund të minojnë liritë civile dhe të mundësojnë censurën”.

Në kabllogram theksohet se administrata Trump po shtyn për “një politikë ndërkombëtare më këmbëngulëse për të dhënat” dhe se diplomatët duhet të “kundërshtojnë rregulloret e panevojshme dhe tepër të rënda, siç janë mandatet për lokalizimin e të dhënave”.

Departamenti i Shtetit nuk iu është përgjigjur kërkesës së Reuters-it për koment.

Reuters shkuan se nismat për sovranitetin e të dhënave kanë marrë hov, veçanërisht në Evropë, mes tensioneve në rritje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për politikat proteksioniste tregtare të Uashingtonit dhe mbështetjen për parti politike të ekstremit të djathtë.

Në artikull theksohet se dominimi i kompanive amerikane të inteligjencës artificiale – shumë prej të cilave mbështeten në sasi masive të të dhënave personale për të fuqizuar modelet e tyre – ka theksuar shqetësimet evropiane rreth privatësisë dhe mbikëqyrjes. Zyrtarët në mbarë kontinentin e vjetër kanë rritur presionin edhe ndaj gjigantëve amerikanë të mediave sociale.

Bert Hubert, ekspert holandez i “cloud computing” dhe ish-anëtar i bordit që mbikëqyr shërbimet e inteligjencës në Holandë, ka thënë për Reuters se hezitimi në rritje i Evropës ndaj kompanive amerikane të teknologjisë mund ta ketë shtyrë Uashingtonin drejt një qasjeje më agresive.

“Ndërsa administrata e mëparshme përpiqej t’i joshte klientët evropianë, administrata aktuale po kërkon që evropianët të shpërfillin rregulloret e tyre për privatësinë e të dhënave, të cilat mund të pengojnë biznesin amerikan”, tha ai.

Ligjet për sovranitetin e të dhënave ndryshojnë për nga fushëveprimi. Disa vendosin rregulla për vendndodhjen e ruajtjes së informacionit, duke kërkuar që të dhënat e mbledhura nga një shtet i caktuar të ruhen vetëm brenda atij vendi. Të tjera kufizojnë mënyrën e shpërndarjes së të dhënave, duke e limituar transferimin e tyre te kompani të huaja.

Për shembull, Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave e Bashkimit Evropian e vitit 2018 – General Data Protection Regulation – vendosi kufizime për transferimin e të dhënave të evropianëve jashtë BE-së dhe ka çuar në një seri gjobash të larta ndaj firmave amerikane të teknologjisë.

Kabllogrami i Rubio-s e përmend GDPR-në si shembull të një rregulli që vendos “kufizime tepër të rënda dhe të panevojshme mbi përpunimin e të dhënave dhe kërkesa për rrjedhën ndërkufitare të tyre”.

Ai gjithashtu thekson se Kina po “kombinon projekte tërheqëse të infrastrukturës teknologjike me politika kufizuese për të dhënat, të cilat zgjerojnë ndikimin e saj global dhe qasjen në të dhëna ndërkombëtare për mbikëqyrje dhe avantazh strategjik”. Kabllogrami, sipas Reuters, nuk jep shumë detaje të tjera, por Kina vitet e fundit ka forcuar rregulloret mbi mënyrën se si kompanitë e saj ruajnë dhe transferojnë të dhënat e përdoruesve.

Ambasada kineze në Uashington tha se nuk ishte në dijeni të kabllogramit, por se Pekini “i ka kushtuar gjithmonë rëndësi të madhe sigurisë kibernetike dhe sigurisë së të dhënave”. Komisioni Evropian në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës se Reuters për koment.

Kabllogrami, titulli i të cilit e përshkruan si “kërkesë për veprim”, u kërkon diplomatëve amerikanë të ndjekin zhvillimet e propozimeve për kufizimin e rrjedhave ndërkufitare të të dhënave dhe u jep pika diskutimi në favor të Forumit Global për Rregullat e Privatësisë Ndërkufitare (Global Cross-Border Privacy Rules Forum), një grup i themeluar në vitin 2022 nga Shtetet e Bashkuara, Meksika, Kanadaja, Australia, Japonia dhe të tjerë, “për të mbështetur rrjedhën e lirë të të dhënave dhe mbrojtjen efektive të tyre dhe të privatësisë në nivel global”. Forumi nuk iu përgjigj kërkesave të Reuters për koment.

Ky kabllogram është më i fundit në një seri nismash që synojnë të pengojnë rregullimin evropian të sferës digjitale.

Vitin e kaluar, Rubio u kërkoi diplomatëve të nxisnin kundërshtim ndaj Aktit për Shërbimet Digjitale të BE-së, i cili synon ta bëjë internetin më të sigurt duke detyruar kompanitë e mëdha të mediave sociale të heqin përmbajtje të paligjshme, si materialet ekstremiste ose abuzimi seksual i fëmijëve.

Javën e kaluar, Reuters raportoi se Shtetet e Bashkuara planifikonin të hapnin një portal online për t’i ndihmuar evropianët dhe të tjerët të anashkalonin censurën e materialeve, përfshirë ato që pretendohet se përmbajnë gjuhë urrejtjeje apo propagandë terroriste.