Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë një deklarim të pazakontë gjatë një tubimi me mërgimtarë në Zvicër, teksa ka folur për ndotjen e ajrit në Kosovë dhe investimet në termocentralin “Kosova B”.
Duke folur për vendosjen e filterëve në termocentral, Kurti tha se ndotja e ajrit është një nga gjërat që i pengon më së shumti bashkatdhetarët kur vijnë në Kosovë.
“Do të përqendohemi në sigurinë dhe rritjen energjetike të Kosovës, konkretisht në termocentralet e KEK-ut po vazhdojnë investimet që e sigurojnë për 20 vitet e ardhshme. Do ta rrisim kapacitetin e prodhimit dhe do ta ulim ndotjen në përputhje me standard të BE-së”, deklaroi ai.
Më tej, Kurti shtoi se filterët që do të vendosen në “Kosova B” do ta reduktojnë ndjeshëm ndotjen.
“Filterët që do të vendosën në Kosova B do ta ulin emetimin e pluhurit për 97 për qind dhe emetimin e oksideve të azotit për 76 për qind, se e di që ju bashkëatdhetarë kur vini në vendlindje ndotja që ekziston te ne, iu pengon shumë”, u shpreh Kurti.









