Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se VV do të kërkojë një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese lidhur me mungesën e pjesëmarrjes së deputetëve opozitarë në procesin e votimit për themelimin e komisionit për votim të fshehtë.
Sipas saj, interpretimi aktual i Kushtetueses, ka krijuar më shumë paqartësi sesa sqarime në rrethanat politike të krijuara në Kuvend.
“Është më se e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale tashmë në mos pjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila theksoi se votimi në seancë është obligim i deputetëve dhe mospjesëmarrja në këtë proces përbën shkelje që duhet të trajtohen.
Ndryshe, në aktvendimin e saj në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese – lëndë e dërguar nga AAK-ja – ka dhënë afat 30 ditor për të përfunduar ky proces.
Vendimi i Kushtetueses, ndonëse i njëjtë për të gjithë, u interpretua ndryshe nga partia në pushtet, e ndryshe nga opozita. Të gjitha palët pretenduan se Kushtetuesja u dha të drejtë qëndrimeve të tyre.
Kundërshtime pati sa i përket procesit të votimit të fshehtë, i iniciuar nga VV. Pushteti thekson se Kushtetuesja nuk e shpalli anti-kushtetues këtë proces, derisa opozita vlerëson se e shpalli anti-kushtetues.









