Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur parregullsi në Korporatën Energjetike të Kosovës sa i përket çështjes së tregtimit të rrymës. ZKA, në raportin e saj ka bërë me dije se ka identifikuar se KEK-u, pas pranimit të raportit të KOSTT-it mbi tepricat e energjisë, nuk ka arritur ta dokumentojë vendimmarrjen rreth ndarjes së sasive të rrymës që do të tregtoheshin përmes bursave. Në këtë proces, ZKA thotë se KEK-u, do të duhej të bënte vlerësimin për tregtim bazuar në kriteret: sasia për tregtim, likuiditeti i bursës, përfitimi ekonomik për ndërmarrjen, të dhënat historike të tregtimit, kapacitetet ndërkufitare dhe indikatorë të tjerë që mund të ndikojnë në kërkesat afatshkurtra dhe afatgjata për tregtim.
“Mos dokumentimi i vlerësimit kishte ndodhur për shkak të moszbatimit të plotë të kërkesave të procedurës për tregtim të energjisë dhe mungesës së një procesi të strukturuar për dokumentimin e analizave dhe vendimmarrjes brenda afateve të përcaktuara”, thotë ZKA.
Sipas Auditorit, “mos dokumentimi rrit rrezikun për vendimmarrje jo të bazuar në analiza të plota dhe të verifikueshme, duke rrezikuar arritjen e përfitimit optimal ekonomik për ndërmarrjen, si dhe krijon mungesë transparence dhe gjurmueshmërie në proces”.
DOKUMENT:

Nga testimet e bëra nga ZKA, është gjetur gjithashtu se procesi i ankandit për tregtimin e energjisë realizohet përmes një adrese elektronike (e-mail) të menaxhuar në platformën “Microsoft Exchange Server 2010”, e cila ka arritur fundin e ciklit të mbështetjes nga prodhuesi dhe nuk përfiton më përditësime të sigurisë dhe kibernetike.
Gjithashtu është evidentuar mungesa e gjurmëve të auditimit, pasi kutia postare e përdorur për pranimin e ofertave nuk ka të aktivizuara regjistrimet e aktiviteteve të përdoruesve (audit logs). Si rrjedhojë, sistemi nuk regjistron kohën e hapjes së email-it dhe as identitetin e përdoruesit, duke pamundësuar verifikimin e saktë të kohës zyrtare të hapjes së ankandit
Gjatë viteve 2022-2023 ndërmarrja ka zhvilluar një sistem të ri, i cili është vendosur menjëherë në testim nga përdoruesit fundorë pa kaluar në testime teknike nga departamenti i TI-së, dhe çuditërisht nuk është vënë asnjëherë në përdorim.
DOKUMENT:

Viteve të fundit, Kosova është shndërruar në terren parajsë për kompanitë e tregtimit të rrymës. NOA Energy e ETMT, për të cilat VOX Kosova ka raportuar në vazhdimësi, kanë gjeneruar fitime milionëshe vetëm brenda pak muajsh.
Të njëjtat, në Kosovë funksionojnë me vetëm një ose dy punëtorë e me zyre jofunksionale.
VOX Kosova ka arritur t’i dokumentojë lidhjet e të njëjtave me pushtetin. Pas raportimeve të mediumit, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet për veprimtarinë e tyre.









