Albin Kurti dëshiron ta zhdukë pluralizmin në Kosovë.
E ka synim e qëllim të sundojë.
Shteti, në krejt format e organizimit të tij, për Kurtin ekziston vetëm kur atij nuk i bëhet pengesë.
Kur i bindet.
Ky nuk është një konstruksion i studiove televizive.
As i armiqve të padukshëm e imagjinarë, brenda e jashtë Kosovës, që i shpik vazhdimisht Vetëvendosje.
Është qëllim i thënë nga vetë Kurti – me zë e figurë, e zeza në të bardhë.
Prandaj edhe po kërkon vota më shumë se herën e fundit.
Jo si diskurs elektoral.
Kur u kthye nga Gjilani, të enjten, ai kërkoi më shumë se 500 mijë vota, për t’ia dhënë fuqinë të krijojë e kontrollojë vet institucionet dhe t’ua mbyllë të gjitha shtigjet opozitës – sepse qenka pengesë për shtetin.
Ky është një qëndrim i rrezikshëm për demokracinë. Sepse opozita, siç ka qenë dikur Vetëvendosje, nuk është armik i shtetit.
Ideja se ajo “po e mban shtetin peng” vetëm pse nuk i bindet pushtetit, është logjikë tipike e liderëve që fillojnë ta barazojnë veten me shtetin.
Është mendësi autoritare.
Dëshirën e njëjtë – që opozita të mos ekzistojë fare në Parlament – e shprehu edhe në seancën e fundit të Kuvendit, kur bëri makinacione për zgjedhje të presidentit.
“Shpresoj e besoj që votuesit e tyre Këtë mungesë të tyre do ta shndërrojnë në një mungesë të përhershme”, Kurti.
Me gjasë, kjo është “republika e tretë” e Albin Kurtit.
Republika e diktatit.
Një republikë ku pushteti përcakton kush meriton të ekzistojë në jetën publike e politike.
Në këtë republikë nuk është askush i sigurt.
E sigurt është vetëm radha.
Sepse fillon nga kundërshtarët politikë dhe vjen më pas për kritikët, mediat, shoqërinë civile, deri te vetë qytetari që guxon të mos pajtohet.
Sepse pushtetet me mendësi autoritare nuk e kanë kurrë veç një armik. Kur e largojnë njërin, e kërkojnë të radhës.








