Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar rënie në kryeqytet. Nga partia që në vitin 2021 kishte dalë e para me 33.56 për qind apo 26 mijë vota e 988 në garën për Asamblenë Komunale të Prishtinës, në zgjedhjet lokale të 2025-së, më 12 tetor, është renditur e treta me 21.88 për qind apo 21 mijë e 853 vota, pas LDK-së dhe PDK-së.

Përpos kësaj, Vetëvendosje ka humbur dy herë radhazi në kryeqytet në garën për Kryetar, në vitin 2021 dhe 2025.

Në vitin 2021, VV-ja kishte dalë e para në garën për Asamblenë Komunale të Prishtinës, por kandidati i saj për Kryetar, Arben Vitia, në balotazh, e kishte humbur garën përballë Përparim Ramës të LDK-së.

Katër vjet më vonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2025, historia është përsëritur: edhe kandidati i saj i radhës, Hajrulla Çeku, nuk arriti ta rikthejë Prishtinën, duke shënuar humbjen e dytë radhazi në kryeqytet.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Prishtinë, që u mbajtën të dielën e 9 nëntorit, me 100 për qind të votave të numëruara, Rama i LDK-së mori 51.54 për qind të votave apo 46 mijë e 935 vota, ndërsa Hajrualla Çeku i VV-së 48.46 për qind apo 44 mijë e 126 vota.

Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2025, po konsiderohet si një tregues i rënies së mbështetjes së Vetëvendosjes në Prishtinë. Kjo parti nuk ka arritur të ruajë fuqinë që kishte më parë.