Policia britanike ka kontrolluar të premten ish-rezidencën e vëllait më të vogël të Mbretit Charles, Andrew Mountbatten-Windsor, pasi një fotografi e anëtarit të familjes mbretërore duke dalë nga një stacion policie u publikua në faqet e para të gazetave në mbarë botën.

Mountbatten-Windsor u arrestua të enjten, në ditëlindjen e tij të 66-të, nën dyshimin për shpërdorim detyre në zyrë publike, lidhur me pretendimet se kishte dërguar dokumente konfidenciale qeveritare te financieri i Jeffrey Epstein, kur shërbente si i dërguar tregtar.

Ish-princi u lirua nën hetim pasi u mbajt nga policia për më shumë se 10 orë. Ai nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale, por në një fotografi të Reuters pas lirimit dukej i tronditur, i mbështetur në sediljen e pasme të një Range Rover-i, me sy të skuqur dhe me një shprehje mosbesimi në fytyrë.

Fotografia e një njeriu që dikur ishte oficer karizmatik i marinës dhe që konsiderohej si djali i preferuar i Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth, u botua në faqet e para të gazetave në Britani dhe në botë, e shoqëruar me tituj si “Rënia”.

Mountbatten-Windsor ka mohuar gjithmonë çdo keqbërje në lidhje me Epstein-in, një i dënuar për krime seksuale që i dha fund jetës në vitin 2019, dhe ka thënë se pendohet për miqësinë me të. Por publikimi i miliona dokumenteve nga qeveria amerikane tregoi se ai kishte mbetur mik me Epstein-in edhe shumë kohë pasi financieri ishte dënuar në vitin 2008 për prostitucion me një të mitur.

Ato dosje sugjeronin se Mountbatten-Windsor i kishte përcjellë Epstein-it raporte të qeverisë britanike mbi mundësitë e investimit në Afganistan dhe vlerësime për Vietnamin, Singaporin dhe vende të tjera që kishte vizituar si Përfaqësues Special i qeverisë për Tregti dhe Investime.

MBRETI THOTË SE LIGJI DUHET TË NDJEKË RRJEDHËN E TIJ

Arrestimi i anëtarit të lartë të familjes mbretërore, i teti në radhë për fronin, është i paprecedentë në kohët moderne. Anëtari i fundit i familjes mbretërore që u arrestua në Britani ishte Charles I, i cili u ekzekutua me prerje koke në vitin 1649 pasi u shpall fajtor për tradhti.

Mbreti Charles, i cili vitin e kaluar ia hoqi vëllait titullin e princit dhe e largoi nga rezidenca e tij në Windsor, tha të enjten se e kishte marrë lajmin për arrestimin me “shqetësimin më të thellë”.

“Më lejoni ta them qartë: ligji duhet të ndjekë rrjedhën e tij,” tha mbreti. “Ajo që pason tani është një proces i plotë, i drejtë dhe i rregullt përmes të cilit kjo çështje do të hetohet në mënyrën e duhur dhe nga autoritetet përkatëse.”

Lajmi u bë publik herët të enjten në mëngjes se gjashtë vetura policie pa shenja dalluese dhe rreth tetë oficerë me rroba civile kishin mbërritur në Wood Farm, në pronën Sandringham të mbretit në Norfolk, në lindje të Anglisë, ku Mountbatten-Windsor banon aktualisht.

Oficerë të Policisë së Thames Valley kontrolluan gjithashtu rezidencën në pronën Windsor të mbretit, në perëndim të Londrës, ku Mountbatten-Windsor kishte jetuar para se të largohej mes zemërimit për zbulimet lidhur me Epstein-in.

Policia njoftoi vonë të enjten se anëtari i familjes mbretërore ishte liruar nën hetim. Ata thanë se kontrollet në Sandringham kishin përfunduar, por ato në Windsor po vazhdonin.

Edhe pse arrestimi nënkupton se policia ka dyshime të arsyeshme se është kryer një krim dhe se i dyshuari mund të jetë i përfshirë, kjo nuk nënkupton fajësi.

Një dënim për shpërdorim detyre në zyrë publike mund të sjellë dënim maksimal me burgim të përjetshëm, dhe rastet e tilla trajtohen në Gjykatën e Kurorës, e cila merret me veprat më të rënda penale.