Përkundër se me një elektorat që për nga besnikëria me gjasë s’e ka asnjë parti tjetër, Partia Demokratike duket ta ketë lodhur edhe optimistin më të madh, duke ia ofruar gjithmonë sigurinë e vendit të dytë e mungesën e ambicies për vendin e parë.
Prandaj edhe rezultati i zgjedhjeve të fundit, kur pas 6 vjetësh në opozitë në vend se të bind votues të rinj, i humb rreth 50 mijë votues të vetë, përbën një nga rezultatet më të dobëta të PDK në disa palë zgjedhje.
Nga partitë opozitare, PDK është e vetmja që ka humbur elektorat, derisa AAK e LDK ruajtën votën e vet.
Çka do të thotë se humbja e votës nuk kishte të bënte thjesht me rënien e përgjithshme të elektoratit, por me një protestë të votuesit të PDK-së kundër partisë që tash e sa kohë shëtitet pa busullë në hapësirën politike me idenë se votuesin e ka në xhep.
PDK-ja del se ka humbur vota jo veç krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit, por edhe nëse krahasohet me zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar.
Plot 37 mijë vota i ka humbur PDK-ja nga shkurti i 2025-es.
Këtë parti mund ta kenë dëmtuar edhe momente si këto, kur në pikë fushate një nga figurat kryesore të partisë, RamizLladrovci, shfaqet me simbolin e korrupsionit në Kosovë, Martin Berishajn.
Mbase kjo fotografi mund të ketë qenë angazhim në atë që Lladrovci dikur e paralajmëronte si thyerje në kurriz të partisë.
Derisa PDK në studio televizive e sulmonte pushtetin pikërisht me shembullin e Martin Berishajt, Lladrovci pozonte me të duke e përshkruar si “mik të hershëm”.
Ose incidenti në Skenderaj, ku zv.ministri i Vetëvendosjes e akuzonte Sami Lushtakun për grushte deri në gjakosje.
Por, normalisht, fatura kryesore i shkon kryetarit të partisë, i cili ka pasur probleme ta definojë vetën në publik.
Bedri Hamza vazhdimisht shëtitej nëpër qëndrime, pa pozicione, vendime e nganjëherë edhe pa fjali të qarta.
Veçanërisht ai tregohej labil në raport me pushtetin, sikur rasti kur njëherë pati premtuar publikisht se s’ka as pse takohet me Albin Kurtin, nëse ai formon qeveri pa konsultime paraprake…
Po nëse krijohet, konstituohet Kuvendi, krijohet Qeveria, nuk ka marrëveshje politike, dhe vjen e diskutohet për Presidentin ose Presidenten, as që bisedojmë. Deklaronte Hamza në Rubikon.
E më pas u takua për të diskutuar edhe veç për Presidentin.
Sikur PDK të ruante votën e vetë, njëjtë siç bëri AAK e LDK, aktualisht do të ishte afër 30 deputetëve dhe do shënonte një rikthim spektakolar.
Por, ky shanc humbi nga apatia e vazhdueshme, politikat e plogështa, qëndrimet jo stabile, çirrjet e brendshme dhe ideja se Hashim Thaçi e Kadri Veseli do vazhdojnë t’ua mobilizojnë elektoratin nga qendrat e paraburgimit në Haga.








