Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar pezullimin e Dialogut Strategjik, ka thënë se Kosova nuk është prishur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se opozita po i zmadhon gjërat.

“Duam të qartësojmë për qytetarët tanë se behët fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai shtoi se “nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, ndonëse, sipas tij, “opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë tonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t`i minimizoj zhvillimet e fundit”.

“I siguroj qytetarët tanë se qeveria e jonë i trajtojnë seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e ambasadës amerikane”, pohoi.

Dallimet e SHBA-në, sipas Kurtit, janë vetëm në fushën e diplomacisë.

“Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që raporte dhe partneriteti ynë me ShBA-të të forcohet në tri shtylla kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomaci kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë”.

“Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime ngaherë jo për çështje operacionale e taktike. Me gjithë këto vështirësi në këtë shtyllë, padyshim që ka ecje substanciale në dy shtyllat tjera”, deklaroi.

Të premten e kaluar, ambasada e ShBA-ve në Prishtinë njoftoi se kanë pezulluar Dialogun me Kosovën për shkak të veprimeve të kryeministrit Kurti.