“The Odyssey” ka dominuar arkëtimet globale në kinema, duke gjeneruar 264 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë të shfaqjes, sipas studios Universal Pictures.

Me aktorët Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway dhe Zendaya, filmi është një përshtatje e poemës epike të Greqisë së lashtë nga Homeri. Ai rrëfen historinë e Odiseut, Mbretit të Itakës, i cili përpiqet të kthehet në shtëpi gjatë një udhëtimi të rrezikshëm 10-vjeçar pas luftës së Trojës.

I publikuar të premten, filmi pati një debutim edhe më të madh se “Oppenheimer” i Nolan në vitin 2023, i cili përfundimisht arkëtoi 975 milionë dollarë në mbarë botën.

Përshtatja e poemës 2.700-vjeçare raportohet të ketë kushtuar rreth 250 milionë dollarë. Nolan ka deklaruar se mundësia për ta realizuar këtë projekt erdhi vetëm pas suksesit financiar dhe kritik të “Oppenheimer”.

The Odyssey është hapja më e madhe në karrierën e Nolan jashtë filmave të “Batman”. Filmi “The Dark Knight Rises” kishte arkëtuar 249 milionë dollarë globalisht në vitin 2012, që korrespondon me rreth 362 milionë dollarë sipas vlerës së sotme të parasë.

Vetëm në Amerikën e Veriut, “The Odyssey” fitoi 124.5 milionë dollarë, duke u renditur si hapja e tretë më e madhe e vitit, pas dy filmave familjarë: “Toy Story 5” (159 milionë dollarë) dhe “The Super Mario Galaxy Movie” (131 milionë dollarë). Ky rezultat konsiderohet veçanërisht mbresëlënës pasi filmi ka klasifikimin R, i cili kufizon audiencën që mund ta shohë.

Universal Pictures fillimisht kishte parashikuar një fundjavë hapëse prej rreth 100 milionë dollarësh në Amerikën e Veriut. Atje, burrat përbënin 56% të audiencës së përgjithshme dhe më shumë se tre të katërtat e blerësve të biletave mbi moshën 25 vjeç. Gjysma e shikuesve ishin të moshës 18–34 vjeç.

Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda ishin tregu ndërkombëtar me performancën më të mirë, duke arkëtuar 12.9 milionë paund (17.4 milionë dollarë) gjatë tre ditëve të para.

“The Odyssey” është filmi i parë artistik që është xhiruar tërësisht me kamera IMAX – një sistem kamerash shumë të mëdha dhe të zhurmshme që ofrojnë imazh më të mprehtë, më të ndritshëm dhe me rezolucion më të lartë.

Shfaqjet në kinemanë BFI IMAX në Londër ishin të gjitha të shitura për fundjavën e hapjes, ndërsa disa fansa mbërritën që në mesnatë ose në orën 4 të mëngjesit për ta parë filmin.

Gjatë fundjavës, “The Odyssey” u shfaq në 73 tregje ndërkombëtare, në më shumë se 12.800 lokacione dhe 26.000 salla kinemaje në mbarë botën, përfshirë 440 salla IMAX. Në Amerikën e Veriut, formatet premium me ekran të madh, përfshirë IMAX-in, përbënin 53% të të ardhurave nga biletat.

Nolan ka deklaruar së fundmi se do të kalojnë të paktën tre vjet para se të realizojë një film tjetër, për shkak të vështirësive të xhirimeve të “The Odyssey”.

“Jam shumë i etur të kem një periudhë kur nuk kam asgjë për të bërë”, tha ai për The Guardian.

“Ka kaluar shumë kohë që kur kam pasur një periudhë të tillë. Është e vërtetë – mërzitem shumë shpejt dhe kjo është një nga arsyet pse më pëlqen t’i rikthehem punës. Bëhem i paduruar. Tash për tash, gjithçka që shoh është ta përfundoj këtë, ta nxjerr filmin dhe pastaj të bëj një pushim të shkurtër”.

“The Odyssey” është vlerësuar nga shumë kritikë si filmi më i mirë i Christopher Nolan deri më sot. Në kast bëjnë pjesë edhe Robert Pattinson, Lupita Nyong’o, Samantha Morton dhe Charlize Theron.