Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të hënën se janë ndërprerë të gjitha diskutimet tregtare me Kanadanë pas një spoti reklamues në të cilin Trump dhe ish presidenti amerikan, Ronald Reagan, flisnin kundër tarifave.

Trump kishte vendosur tarifa në çelikun, aluminin dhe veturat kanadeze më herët gjatë vitit, duke e shtyrë Otavën të kundërpërgjigjet. Të dy palët kanë zhvilluar bisedime për javë të tëra që potencialisht të arrijnë një marrëveshje për sektorët e çelikut dhe aluminit.

“Bazuar në sjelljen e tyre skandaloze, TË GJITHA NEGOCIATAT TREGTARE ME KANADANË TASH E TUTJE JANË TË NDËRPRERA”, ka shkruar Trump në Truth Social.

Kryeministri kanadez, Dough Ford, ka thënë më herët gjatë javës se spoti reklamues nga provinca e tij me mesazhe anti-tarifave e ka tërhequr vëmendjen e Trump. Spoti shfaqte Reagan tek kritikonte tarifat në të mirat e huaja, duke thënë se ato kanë shkaktuar humbje vendesh pune dhe luftëra tregtare.

“Kam dëgjuar se presidenti ka dëgjuar reklamën tonë. Jam i sigurt se ai nuk ka qenë shumë i lumtur për të”, ka thënë Ford të Martën.

Fondacioni presidencial i Ronald Reagan ka lëshuar një deklaratë të martën mbrëma në të cilën thuhet se në reklamën e qeverisë së Ontarios u përdorën “audio dhe video selektive” të Ronald Reagan dhe se fondacioni po rishikon opsionet ligjore.

“Reklama keqinterpreton adresimin presidencial të Reagan në vitin 1987 dhe Qeveria e Ontarios nuk ka kërkuar ose marrë leje për të përdorur apo ndryshuar fjalët”, shkruhet tutje në deklaratën e fondacionit.